Klonimi i tapisë!

1 Prill 2016, 16:52Blog TEMA
Klonimi i tapisë!

Artan Xh. DUKA

Prona nga shiu në breshër! 

Nëse motoja e rilindjes janë reformat pavarësisht kostos elektorale, ky vizion duhet edhe ndaj pronës dhe votës të marra peng gjatë me faturë për të gjithë. Ironikisht në një vënd ku privatizohet gjithshka (deri në klientelizëm haptazi), prona dinjitoze sidomos ajo rurale e 1946, shpërfillet me arrogancë.

 

Ligji i kontestuar i pronës nuk është reformë por arnim i anarkisë rreth saj që provokon klimën e investimeve, besimin tek politika dhe kohezionin social. Zgjidhja nuk duhet të bazohet në mundësitë e ditës. Sesa afatet, jetike mbetet futja në hullinë e duhur.

 

Në origjinë toka nuk kishte pronar. E kemi gjetur dhe do e lëmë pas e nuk kemi meritë ndaj saj. Edhe në socializëm (ku kishte pronë private si shtëpia etj), sesa injorimi i pronës private, problemi ishte anatemimi i sipërmarrjes private.

 

Por nëse socializmi bëri “krim” se kolektivizoi pronën private(!) (i bie që privatizimi i pronës publike sot të jetë “krim”), demokracia po bën super-krim duke e tjetërsuar atë. Nëse socializmi e shpërfilli por e ruajti tapinë, demokracia po e klonon pakthim, nëse socializmi nisej nga premisa se toka në gjenezë i përket dhe i bashkon të gjithë, demokracia po cënon mirëkuptimin social dhe sensin e drejtësisë.

 

Ndonse toka në parim nuk ka zot (tjetër gjë ndërtimi apo kapitali financiar), kur pranojmë një shoqëri të bazuar tek prona private pakufizim, atëhere edhe pronësia legale mbi tokën e bazuar tek puna (dhe jo e dhuruar nga sulltani), duhet respektuar njëlloj.

 

Deformimet filluan me 7501 kur prona iu mohua pronarëve sepse banonin gjetiu (!) (ndonse politikanët e sotëm “lalzista” edhe pa patur gjëndjen civile kanë privatizuar vila e troje pafund në terrene primare).

 

Për shumicën e pronarëve të 1946, prona e të cilëve e uzurpua sistematikisht pas 90 me bekimin e politikës, nuk e gjet fond kompensimi monetar apo fizik plot 25 vjet ndërkohë që u dhanë prona për ish-monarkun (ndonse publike dhe funksionale), ish-kolaboracionistë, troje private (për pallate ku  kishte pjesë politika) etj skema klienteliste.

 

Ndërsa shtëpitë ish-pronë private (ku banorët ishin me letra) iu kthyen pronarit duke shpërfilluar koston sociale për dhjetra mijra familje, për pronat e zëna arbitrarisht në rrethina, politika arrogante (edhe ndaj Strasburgut), mori anën e antiligjit dhe koston sociale e serviri si alibi për vota më shumë.

 

Prona tek (më) i zoti!

Flitet shumë për interesin publik si kriter në ligjin e pronës, kufizimet financiare etj ndërkohë që interesi publik primar mbetet drejtësia. Skemat mund të variojnë por tryeza e debatit me pronarët në krye ia vlen.

 

Nëse toka është e zënë me ndërtime, pronarit të vjetër t’i ofrohet me prioritet kompensim fizik gjetiu – urgjente publikimi i hartës së tokave të lira apo shtetërore ku pronarët e vjetër mund të alokohen sipas vëndbanimeve, një llotarie shtetërore etj.

 

Në këtë fond kompesimi mund të futen ndërtime publike si ish-reparte ushtarake, magazina etj, fonde turistike si pyje, kullota, zona rurale, ishuj, laguna (psh. Sazani e Karaburuni mund të përdoren si fond kompensimi apo bashkëpronësie në investime (fshatra turistikë), aksione në fabrika rentabël, vepra energjitike etj.

 

Edhe pronat e konfiskuara me burim korrupsionin apo trafiqet duhet të jenë pjesë të kompensimit fizik dhe financiar (përmes ankandeve).

 

Ndërkohë alternativa e kompensimit financiar paraqitet e ndërlikuar dhe sebep për mosdakortësi. Syresh mendon se ajo nuk duhet të bazohet as tek 1946 (padrejtësia gjysëmshekullore vuloset me padrejtësi) e as tek 2016 (vlera sot ka edhe kontributin e të ardhurve). Një mesatare! Apo në varësi të hartave të taksave shtetërore mbi pronat!

 

Individi që ka përfituar pa paguar pronarin e vjetër, duhet të paguajë që të gëzojë realisht tapinë e re. Pagesa mund të jetë e menjëhershme (me skonto në këtë rast) ose e shtrirë në kohë dhe në këtë formulë mund të përfshihet edhe vlera e pronës nga vinë.

 

Në pamundësi financiare, të jepet kredi afatgjatë pa interes bankar (interesi të paguhet prej shtetit si shkaktar i rrumpallës), llogjikë e ngjashme kjo e aplikuar edhe ndaj banorëve në shtëpitë e ish-pronarëve që nuk përfituan si 230 mijë familje në 1992 por ose morrën me qera gjetiu, hynë në marrëveshje me pronarin apo u trajtuan me kredi afatgjatë pa interes.

 

Pagesa të përfshijë truallin e ndërtesës dhe atë të rrethuar prej tij (nëse nuk e dëshirojnë këtë të fundit, t’i rikthehet pronarit të vjetër ose të zbatohet një rregjim qeramarrjeje). Nëse pronarët e rinj shesin pronën e legalizuar me çmimet e tregut para shlyerjes së pagesës ndaj pronarit të vjetër, të zbritet prej fitimit vlera e përllogaritur e mbetur e kompensimit zyrtar.

 

E drejta e do që edhe toka e marrë nga të tretë sipas 7501 por që nuk përdoret më prej tyre, t’i kthehet pronarit pavarësisht vëndbanimit të tij (të tretët nëse kanë tapi të kompensohen gjetiu fizikisht).

 

Prona kërkon drejtësi dhe konsensus ndryshe preçedenti i shpërfilljes së tapisë cënon rëndë sigurinë juridike dhe kohezionin social (ndasia mes qytetarit që respekton ligjin dhe atij që që e shkel dhe detyron shoqërinë ta kapërdijë atë). Demokracia mund të jetë shoqëria “mos pyesni për milionin e parë” por prona nuk është kursim naiv në piramidë për të pritur 25 vjet lëmoshë për një fraksion të saj.

 

Sot shteti kompenson të përndjekurit pa dallim (disident apo ordiner) por të përndjekurit e mëdhenj mbeten ende pronarët e 1946. Sikurse me të përndjekurit, edhe për pronarët kompensimi duhet të jetë proçes (ndoshta i gjatë por i drejtë) duke mos spekulluar me afate sepse edhe nëse pronari nuk e merr sa është gjallë, e di që do shkojë tek të tijët një ditë.

 

Respektimi i pronës është sovranitet kombëtar sepse tokat në rajonet kufitare duhet të shkojnë tek pronari shqiptar dhe jo pakicat sikurse praktika fqinje dëshmon.

 

Rilindja bëhet me zëmër dhe laps dhe fati i pronës është fati i së ardhmes të përbashkët ku nuk ndjehet i braktisur askush dhe shpreson kushdo. Bërja e shtetit dhe jo mbajtja e pushtetit bën histori.

3 komente në “Klonimi i tapisë!”

  1. mirel says:

    o Artan, shyqyr qe foli nje njeri drejt dhe ngre nje problem teper delikat.
    Problemi I pronave eshte thelbi I banditizmit dhe kriminalizimit te shtetit, qe vjedh dhe grabit ne mes te dites popullin e vet, dhe aq me teper ne emer te demokracise.
    Shteti criminal kurr nuk ka per ta rregulluar ceshtjen e pronesise se nuk ka mbaruar se vjedhuri per vete.
    Prona te luajtshme e te paluajtshme I kane marre larot dhe balot e Berishes, Metes, Ramiut dhe me tej bajgat qe punojne per to.
    Populli fle..hidhe ne ere si ne Gerdec, prape do bjere ne gjume.

  2. Argita says:

    Ku na dolen gjithe ata pronare ne tokat afer bregdetit ne fshatin turistik,qerret kavaje.
    Ajo ka qene toke me pisha,keto pisha u mbollen qe ne kohen e fullcit dhe keto toka me pisha afer bregdetit
    Ishin ne prone te shtetit,,nuk kemi nje pellembe toke qe nuk ka pronare,,,,,o zot cfare na beri saliu,volli sa vodhi dhe la te vidhnin dhe ata qe kerkonin nje cop toke si prone dhe kete cop ja blene saliut dhe ai Ju dha tapite,,,,,u pasura me leket e shtetit dhe me leket e popullit u bene pronar tokash pa qene te tille,,,,nje mish mash,,,,,qe nuk merr vesh I pari te dytin,,,,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje