Rritja ekonomike 2015, u shtua betoni, ra ndjeshëm konsumi

8 Prill 2016, 18:47Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara

Konsumi privat i popullsisë gjatë vitit 2015 vlerësohet se ka rënë me 1.9 për qind, rënia më e lartë e shënuar në të gjithë rajonin e Europës Juglindore. Banka Botërore publikoi sot (8 prill) vlerësimin e vet periodik për ecurinë e ekonomisë në gjashtë vendet e Ballkanit të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Sipas vlerësimit, rritja ekonomike e Shqipërisë qe 2.6 për qind, afro 0.5 pikë përqindjeje më e ulët nga sa qe shpresuar, por kjo rritje ekonomike u furnizua para së gjithash nga sektori i ndërtimit dhe qe e kufizuar në shumë pak projekte, ndërkohë që konsumi total si dhe në veçanti, konsumi privat raportohet të kenë pësuar rënie.

“PBB-ja reale u rrit me 3 për qind në tremujorin e tretë, duke ruajtur një trend pozitiv, ndërsa vlerësohet të ketë arritur në 2.6 për qind për të gjithë vitin. Rritja ekonomike erdhi si rezultat i rimëkëmbjes së investimeve private,” thuhet në raportin e Bankës Botërore. Ndërkohë, konsumi total në ekonomi vlerësohet se ka rënë me 2.3 për qind në krahasim me vitin 2014 ndërsa rritja ekonomike është shkaktuar nga rritja e investimeve dhe e eksporteve.

Rënia e konsiderueshme e konsumit besohet se është shkaktuar në një masë të gjerë nga emigrimi i popullsisë në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, së paku 68 mijë shqiptarë, ose mbi 2.4 për qind e të gjithë popullsisë, kërkuan azil gjatë vitit të kaluar dhe kjo është vetëm një nga rrugët e migrimit që shqiptarët përdorin zakonisht.

Rritje nga betoni

Sipas analizës së Bankës Botërore, faktori kryesor i rritjes së investimeve gjatë periudhës janar-shtator 2015, qe rritja në sektorin e ndërtimit, përgjithësisht hidrocentrale dhe objekte publike jorezidenciale ndërsa pjesë tjetër e ekonomisë nuk raportohet të ketë ecur shumë mirë. Nga sektori i betonit, bie në sy pesha disproporcionale që ka në rritjen ekonomike  dhe në nivelin e investimeve private, të cilit, Banka Botërore i referohet si “një hidrocentral në Shqipërinë e Jugut”. Bëhet fjalë përhidrocentralin e Devollit, i cili është një projekt që mban investime prej 535 milionë eurosh, investime që pritet të përfundojnë në vitin 2016. Kjo është një shifër e barabartë prej rreth 5,5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto dhe ka qenë faktori kryesor pas rritjes ekonomike të tre viteve të fundit.

Faktori tjetër i rritjes vlerësohet se ka qenë programi i riparimit të qendrave të disa qyteteve të vend nga një program i qeverisë i njohur si Rilindje Urbane. Qeveria ka shpenzuar disa dhjetëramilionë euro për këto projekte, duke shtuar nominalisht shifrën e PBB-së, por pa e rritur konsumin dhe mirëqenien e popullsisë.

Iluzioni vijon

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, rritja ekonomike e kësaj natyre do të vijojë edhe në vitet në vazhdim, kryesisht për shkak se për shumë vite, projekti i Devollit pritet të zëvendësohet si faktor nga projekti i Gazsjellësit TransAdriatik, një investim tjetër i konsiderueshëm për nga përmasat, por që ka pak ndikim në nivelin e përgjithshëm ekonomik të vendit. Ndërkohë, për pjesën tjetër të ekonomisë, atë realen, situata nuk duket kaq e mirë.

“Perspektiva afatmesme varet nga ritmi dhe thellësia e reformave të tjera strukturore në sektorin e energjisë dhe sektorin financiar si dhe përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike në infrastrukturë. Reforma në sistemin e Drejtësisë është thelbësore për klimën e investimeve dhe rigjallërimin e kreditimit,” vlerëson Banka Botërore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje