Xhaxhi Berti

11 Prill 2016, 23:09Kulturë TEMA
Xhaxhi Berti

Nga Anisa Markarian

Kjo fotografi më është veçanërisht e shtrenjtë. Është kujtimi i fundit me xhaxhi Bertin. Në krahun e djathtë kam tezen e vogël, Aristea MIMA. Edvini, që në ato vite studjonte në Amerikë, është dyfish “i pranishëm”, tek muri dhe tek bufeja. Një foto e shkrepur në apartamentin e tyre – dëshmi e çastit familjar që të shpëton nga duart në një thërrmijë sekonde. Fatmirësisht, atë ditë kisha me vete aparatin fotografik. Xhaxhi Berti pranoi të ndërpriste punën e të pozonte. Sipas mënyrës së tij! Me atë buzëqeshjen e kursyer, që më shumë se në buzët, i lexohej në sytë. Aq sa kisha kuptuar që kur i qeshnin vetëm buzët, në fakt ishte i mërzitur…

Mërzitjen që e mbyste me punë, duhan, kafe e konjak.

Dufin që e shfrynte me romuzet gjakatarë – klithmë qytetare kundër absurditetit të pafund që e rrethonte.
Padrejtësitë që i vuante në heshtje, të ndrydhura përbrënda – pasoja të guximit intelektual, të mosrradhitjes brenda “binarëve”, të një jete jashtë “kallëpeve”.

Nuk mund të hyje tek Shvarcët lakadredhasi, t’u shkoje për një vizitë, sa për të kaluar rradhën. Duhej peshuar mendimi e mprehur arësyetimi. Duheshin konsultuar paraprakisht Fjalori i Gjuhës Shqipe dhe Rregullat e Drejtëshkrimit. Duhej spastruar truri nga dogmat marksiste-leniniste, duheshin thënë gjëra të mençura, që të merrje përgjigje. Nuk ikej nga ajo shtëpi si të mos kish ndodhur gjë, sepse nuk ishe më i njëjti njeri. Ndaheshe prej tyre i bindur që rruga e mundimshme drejt së Vërtetës kalonte, pashmangërisht, edhe përmes livadhit të letërsisë botërore.

Nga dasma e teta Linës dhe xhaxhi Bertit, mbaj mend darkën festive në oborrin e shtëpisë së Momës. Ishte fund qershori. Pesë ditë më pas do të mbushja 6 vjeç. Mbrëmja erëmonte jargavanë e lulezoja. Tryezat e stolisura me qëndisma të ngrira në niseshte, ndiqnin gjeometrinë e brazdave me shimshirë, në zemër të të cilave spikatnin lulet më të larta e më të fisme të kopështit : zambakët, gladiolat, trëndafilët, dahliat, kelkazet… Të ftuarit vallëzonin me merakun për të mos shkelur shtretërit e mbjellur me aguliçe, vjollca, zymbyla, fillikate e këmbanore, që daja Kopi i kultivonte me një dashuri pothuaj prindërore.

Daja Kopi e xhaxhi Berti : XHIVOLA dhe PËRKTHYESI i Brecht-it.

Viti 1971 – premiera e dramës “Arturo Ui”, në sallën e Teatrit Kombëtar.

Kujtimet i kam të pakët, por të saktë. Prozhektorët e stërmëdhenj, në llozhën “teknike” ku kishim zënë vend, që e bënin ajrin përreth përvëlues ; gratë e fisit, të veshura resmije, që na mbanin mbi gjunjë ne fëmijët ; këmba e çalë e Xhivola-s, që daja Kopi e kishte provuar edhe në shkallët e shtëpisë sonë kur përgatiste rolin ; xhaxhi Berti dhe duartrokitjet e bujëshme të spektatorëve, kur regjisori Pirro Mani përmendi emrin e përkthyesit të pjesës ; fjalët e tezes së madhe në fund të shfaqjes : “kështu siç jemi, grup, të shkojmë tani te Moma e t’i tregojmë triumfin!”
“Harku i Triumfit”- shkruar nga Erich Maria REMARK, autori i tij i preferuar. E kishte përkthyer me iniciativën e vet, pa dyshuar, për asnjë çast, se ai libër do të merrte trajtat e persekutimit të tij shumëvjeçar.

Më dha vetëm një natë kohë për ta lexuar, detyrimisht në shtëpinë e tyre. (Dorëshkrimi nuk mund të dilte kurrësesi jashtë katër mureve.) Ndodhi të nesërmen e 16-vjetorit tim. E ç’kisha bërë për ta merituar?! Apo, thjesht, kisha arritur “moshën”? Siç ka një “moshë” edhe për të tjera “bëma” në jetë. Për shembull : tymosja e cigares së parë (dhe të fundit) ; dhurimi i virgjërisë ; biseda e parë politike si kundërshtare e vetëshpallur ; vallëzimi nën tingujt e një kënge të ndaluar ; leximi i një libri të çensuruar…

E lexova e shtrirë në krevatin e tyre (ç’privilegj!) brënda një gjysëm nate. Gjysmën tjetër mund ta kisha kaluar duke formuluar përshtypjet mbi cilësinë e përkthimit, mbi rrjedhshmërinë e tregimit, mbi sensualitetin e dialogjeve mes Ravikut e Xhoanës…, por zgjodha të ikja. Më saktë, të fluturoja! (Me biçikletën e vjetër të sime mëje.) Nga dritarja e katit të katërt, picingulthi mbi asfalt! Duhej të ishte ora katër e mëngjesit. E trullosur, por e ftilluar ; e cungulluar dhe e plotësuar. E vetëndërgjegjësuar që kisha kapërcyer në një përmasë të katërt! Në një kaltërim hyjnor që zigzagonte nëpër mjegulltinë e së pagëdhirës, tymnaja e së cilës vesëtonte parfum Parisi. (Kisha çarë ferrën?!) Rrugët e Tiranës përgjatë itinerarit tim kishin dyzuar identitet. Qenë binjakëruar me emra francezë. (Kisha lajthitur unë, apo kryeqyteti ëndërronte në frëngjisht atë buzëagim?!) Rruga Ali Demi – Avenue Wagram, rruga e Pishës – Avenue Montaigne, sheshi Avni Rustemi – Place de la Concorde, Pazari i Ri – Place de l’Étoile, rruga Shinasi Dishnica – les Champs Elysées…

– Eheeeej!!! Zgjohuni, bre ! Shkunduni nga amullimi! U shembën barrikadat! Rrugët u çliruan! U hapën Portat! – kisha dëshirë të ulëritja lajmin e shumëpritur, por nuk më lejohej të dhunoja sekretin. Kisha dhënë fjalën…
Oh, fjala, fjala, fjala!

Fjala mbretëreshë, fjala burrneshë, fjala e zhdërvjelltë në vendin e vet. Fjala kryekomandante dhe ushtar i thjeshtë!
Më ka ndodhur të jem e pranishme në çastet e ethshëm kur, i pakënaqur, i tallazitur, huqemadh e i papërtuar, zhbironte fjalorët, apo krahasonte përkthime në gjuhë të tjera, në kërkim të FJALËS. Atë që e pengonte të përmbyllte punën, që nuk e ngopte, nuk e paqësonte. Fjalën që e lexonte dhe e rilexonte me zë të lartë ; e rrokëmonte, e nënvizonte, e fshinte dhe e rishkruante ; e shoshiste, e shkarraviste ; e hulumtonte, e kthente përmbys dhe e rindërtonte. Me ngulmin legjendar të kërkuesve të arit që lajnë, shpëlajnë, qëmtojnë, përzgjedhin qindra kilogramë zhavorri lumi gjer çastin e lumtur kur në fund të sitës, përshkëndrit befas çikërrima e mineralit të çmuar : fjala-flori.

Fjala e kulluar, e aratuar, e pasuruar, e tingëlluar! Fjala, aq mjeshtërisht e shqipëruar!

Sikur Goethe, Remark, Cvajg, Brecht, Schiller, Hajne, të kishin folur e shkruar vetëm një gjuhë : SHQIPEN e SHVARC-it.

A.M.© Mars, 2016.

P.S. E njihni atë shprehjen që thotë : «prapa çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e madhe»? Në rastin e xhaxhi Bertit, gruaja e madhe shtatimët i qëndronte dy hapa përpara.

Teze e mençur, besnike, durimmadhe, dhe e pamposhtur ! Vetëm një femre si ty mund t’ia kishte lejuar xhaxhi Berti t’i printe udhën e jetës.

22 komente në “Xhaxhi Berti”

  1. Edi Dervishi - Madrid says:

    Nje shkrim I shkelqyer, emocionues dhe mëse I merituar per kete kollos, mjeshter, pasurues e mbrojtes i gjuhes shqipe. Keta ishin ata qe na bën të dashuronim leximin e te na pasuronin shpirtin. Padyshim qe Shvarci eshte nje nga ata qe meritojne piedestalin per gjithshka beri per gjuhen tone.

    1. Centauri.alb says:

      Doni më për Belulin?

  2. Edi Dervishi - Madrid says:

    Nje shkrim i shkelqyer, emocionues dhe i merituar per kete kollos, mjeshter, pasurues dhe mbrojtes i gjuhes shqipe. Personalitete si Shvarci ndikuan qe te donim leximin dhe na pasuruan shpirtin. Na ka lene si trashegimi nje thesar te madh, kryevepra qe flasin ne nje shqipe te perkryer. Shvarci eshte nder ata njerez qe i kane bere nje sherbim te çmuar kombit dhe meritojne piedestalin.

    1. Mirela says:

      E tepert te shtosh ndonje fjale per kete njeri te madh!

    2. Centauri.albr says:

      Moderatori: U kap koment i përsëritur. Duket sikur e keni thënë një herë këtë!
      Por nuk ka gjë, po t’i çfaq të dyja postimet, sepse ty të kam xhan.
      Dhe të ma dish për nder këtë sepse, atyre që nuk i kam xhan, nuk ua çfaq asnjërin e as tjetrin!

  3. A. Gjyshja USA says:

    …..Sikur Goethe, Remark, Cvajg, Brecht, Schiller, Hajne, te kishin folur e shkruar vetem nje gjuhe: SHQIPEN e SHVARC-it……
    S’mund te thuhet me bukur dhe me sakte se kaq.
    Rrofsh Anisa!
    Kurre nuk mund te linde me nje njeri qe ti bente keta autore legjende per tere kulturen e njerezimit te flisnin shqip; sikur autoret ta kishin gjuhen e nenes shqipen. Kurre – them me bindje. Robert Shvarc ishte vete Goethe, Remark, Cvajg, Brecht, Schiller, e Hajne. Keta ishin gjeni te pranuar nga gjithe bota me vepren e tyre te jashtezakoneshme dhe Roberti ishte sa te gjithe bashke.

  4. gegetoske te gjithe says:

    E lexova me nje fryme……
    Lesho klithmen e embel ne te gjithe hapesirat shqiptare e boterore:
    Ai ishte i paarritshmi, ROBERT SHVARC!
    Asnje tjeter si AI!
    MERITON PIEDESTALIN, per te qendruar lart sa madheshtia e tij !
    Ia kemi borxh BERTIT, ia kemi borxh te gjithe brezave qe do te vijne….
    RESPEKT i perulur !!!!!!

  5. Hodo Trimi says:

    Provova kenaqesine e shpirtit dhe te fjales. E vecante nga Anisa Markajani per te paharruarin Mjeshter te Shqipes, Robert Shvarc. Faleminderit.

  6. Kris says:

    Kujtime mbresëlënëse nga një familje fisnike.

  7. Tritan Kalo says:

    ROBERT = Rob = Njeri, Bert=I bere, nje Gjeni i lindur per te lene gjurme ne jeten tone…Roberet Shvarc e perjetsoj veten me perkthime te perkora…Lartesoj Gjuhen Shqipe dhe e pasuroj ate edhe me shume…Respekt e mirenjohje pa fund!!!

  8. PAKU says:

    SHVARC,KOKONA ETJ HAPNIN PORTAT DHE DRITARET BOTERORE PER LEXUESIT SHQIPTARE

  9. Ladi says:

    Mbese e denje qe ja u rrit edhe me shume krenarine.. Urime.. Shkelqyeshem

  10. Ani says:

    Anisa rrezaton miresi dhe kulture ne fytyren e saj te bukur. Nje shembull per tu marre.

  11. fredi says:

    nje shkrim qe vjen si fllad pranvere per nje peme te rende…..
    njerez te mencur Shqiperia ka nxjerre po aq sa vendet e tjera,
    por ndersa ata i respektojne dhe i vene ne balle , tek ne
    ose mbyllen si Shvarci ose ikin si Anisa…
    dhe “del” politika qe te zvendesoje kulturen e mencurine…
    urime Anisa

  12. yesman says:

    o zot, cfare po ndodh keshtu?? disa punetore te vrame te nje populli primitiv po ngrihen ne piedestal nga te vrame te tjere…pse jetoni ne keto legjenda qe i krijoni vete e pastaj thoni qe jetojme kaq larg realitetit…..

  13. Anisa MARKARIAN says:

    Në qoftë se një herë tjetër do të postoni përsëri shkrime të marrë nga faqja ime Fb, qoftë edhe pa më paralajmëruar, do t’ju lutesha me zemër në dorë të respektoni drejtshkrimin e mbiemrit tim.
    Ju falemnderit,
    Anisa MARKARIAN

    1. anonim says:

      Kur jepej filmi, ” Ne cdo stine”, une isha vetem 14 vjec dhe ju ( ha ha ha ) u bete pa e ditur dashuria ime e pare. U nisa nga nje qytet provincial nje dite qe t’ju gjeja ne Tirane dhe t’ju shikoja nga prane. Isha bashke me nje shok ( nje tjeter te marre si une ) dhe qendruam gjithe diten perpara deres se Akademise se Arteve. Na zuri nata ne Tirane, dhe pervecse u lodhem deri ne rraskapitje u beme problem ne familjet tona qe u alarmuan per dy “budallenjte” e zhdukur pa gjurme. “Misioni” yne deshtoi, por per nje kohe te gjate “turbullimi” me mbeti pa tretur. Pershendetje Anisa.

  14. kultura says:

    e anises, qe na ka lene mbresa ne aktrimet e saja,shkruan per nje kulture te madhe si Robert shvarci,ju lumte anisa markajani..vlerat mbeten gjthmone vlera te kombit…………….ku kultura, arsimi, filmi, teatri, e perkthimi lene per te deshiruar, nga mizantropet qe vetem vlerat i harrojne

  15. Aleksander says:

    Bravoo Anisa …nuk ke humbur asgje nga hijeshia e asaj kohe qe flet ne tregimin tend !-Te ben nder ty ,na ben edhe ne nostalgjikeve te koheve e te vlerave te ndihemi vertet mire …falemnderit !

  16. Agroni says:

    Ne patem fatin e madh qe te madhin Robert Shvarc e kishim ne mesin tone. Faleminderit Robert qe bere kaq shume per ne sa askush tjeter, qe c’fare do qe te benim ne per ty, prap do te ngeleshim borxhli per gjith jeten. Tu prefte shpirti ne paqe o patriot me zemer. I perjetshem kujtimi jot.

  17. Pukjan says:

    Anisa eshte Armene ( nga babai) dhe Robert Schvartc ishte cifut . Me sa kam lexuar ka nje konflikt te rendesishem midis cifuteve dhe armeneve per sa i perket historise se tyre,sepse ne fakt historia e armeneve eshte shume me e lashte dhe e provuar me arktifakte, nga ku cifutet kane modifikuar si te vetat pjese te rendesishme te kultures shume te lashte Armene , dhe qe ne fakt ka gjasa te jete me ata dhe fillimi i qytetrimit dhe i religjionit boteror.

  18. Eva Bar says:

    Nje tjeter shkrim mbreselenes i Anisa Markarianit. Robert Shvarci, mjeshtri i fjales, qe pasuroi shpirtin e etur shqiptar ne kohe te erreta. Une kam qene ne nje klase ne gjimnaz me Edvin Shvarcin djalin e Robertit. I lexoj me interes publikimet e Anises, i shikoj me nostalgji filmat ne te cilat ajo ka luajtur. Kam blere ne Amazon edhe librin e saj Senduku i Kujtimeve. Anisa mbetet simbol i gruas artiste, mjeke, poete. Me habit aftesia e saj per te shkruar ne nje shqipe shume origjinale. Me duket sikur lexoj fjale te krijuara prej saj. Jane ato pjese e fjalorit te shqipes apo prodhim i imagjinates se Anises. Kam 22 vjet qe jam larguar nga Shqiperia. Te uroj shume suksese e krijimtari te bollshme Anisa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje