Seneka, filozof i madh i lashtësisë

5 Prill 2016, 10:50Kulturë TEMA
 Seneka, filozof i madh i lashtësisë

 

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

 

 Eliana Sotiri

Seneka (Lucius Annaeus Seneka), i quajtur zakonisht Seneka Filozofi, është një nga personalitetet më komplekse dhe më interesante të Lashtësisë. Jeta e tij qe e jashtëzakonshme për nga ngjarjet dhe personazhet që e shoqëruan, për nga shtrirja dhe larmia e veprimtarisë mendore që ai zhvilloi, për nga armiqësia e dhunshme që e ndoqi gjatë gjithë jetës me një forcë të papërfytyrueshme.

Seneka qe një mendimtar, që guxoi i pari të lidhte filozofinë me politikën, gjë kjo që përbën një nga ndihmesat e tij më të thella në mendimin modern. Me veprën e tij, Seneka na mundëson të njohim mirë përbërjen kulturore dhe historike të gjashtëdhjetvjeçarit të parë të erës sonë.

Ka lindur në një familje të pasur e të kulturuar romake, në qytetin Kordu të Spanjës së sotme, në kapërcyell të erës së vjetër me erën e re, ndërmjet viteve 4 dhe 1 para Krishtit dhe vdiq më 12 Prill të vitit 65 pas Krishtit. Në moshë shumë të re, studjoi filozofi dhe gojëtari në Romë. Pasi ishte njohur më parë me pitagorizmin, u bë pjestar i doktrinës stoike, të cilën e zbatoi deri në fund të jetës së tij. Vepra e tij përbëhet prej shkrimesh të ndryshme: poezi, fjalime politike, traktate shkencore, tragjedi, punime filozofike. Poezitë dhe fjalimet kanë humbur; nga traktatet shkencore kanë mbetur shtatë vëllime të “çështje të natyrës”, dhe vetëm tragjeditë e botimet filozofike kanë mundur të mbërrijnë pak a shumë të plota deri në ditët tona.

Ushtroi në fillim avokatinë, pastaj u bë kuestor e më pas senator. Gjatë kësaj kohe ai u bë i njohur edhe si gojëtar i shkëlqyer e shkrimtar i madh. Tragjeditë që ai shkroi konkuronin më së miri me tragjeditë e Greqisë së lashtë. Falë dhuntive të tij, Seneka përfitoi e pësoi njëkohësisht: përparoi në karrierë, por tërhoqi gjithashtu zilinë e perandorit Kaligula, i cili ndërmori, në vitin 39, nismën për ta dënuar me vdekje, dënim nga i cili Seneka shpëtoi me të drejtë.

Në vitin 41, Seneka emërohet funksionar i oborrit perandorak romak nën perandorin Klod, por bëhet përsëri shënjestër sulmesh: paditet, mesa duket përsëri me pa të drejtë, për lidhje jashtë martesore me Xhulia Livilan, motër e Kaligulës dhe mbesë e Klodit njëkohësisht. Për këtë arësye ai internohet, me urdhër të perandorit Klod, në ishullin e Korsikës, ku qëndron 8 vjet. Atje ai i përkushtohet studimit, dhe shkruan librin “Ngushullime për nënën time Helvia”. Thelbi i këtij shkrimi është thirrja e fuqishme që Seneka i bën arësyes dhe dinjitetit njerëzor. Ti thërrasësh arsyes për të zbutur dhëmbjen shpirtërore, do të thotë, sipas Senekës, t’i thërrasësh dinjitetit njerëzor, veçorisë së të qenit njeri. Dhe të jesh njeri, do të thotë të jesh i arësyeshëm.

Seneka kthehet në Romë falë Agripinës, e cila i kërkon të bëhet mësues dhe udhëheqës i të birit, Neronit, perandorit të ardhshëm të Romës, ashtu siç kishte qënë dikur Aristoteli për Aleksandrin e madh të Maqedonisë. Që nga ky çast, Seneka fillon të shkruajë sprova për formimin filozofik të perandorit të ardhshëm. Drejton perandorinë me një mënyrë të spikatur gjatë  viteve që Neroni ishte në moshë minore, i ndihmuar edhe nga Agripina e miku i tij Burrus. Më pas, përpiqet ta frenojë agresivitetin e perandorit të ri, që bëhej gjithmonë e më i rrezikshëm. Fundi ishte një zhgënjim i plotë: në vend të një filozofi, në krye të perandorisë doli një diktator i tmerrshëm.

Në vitin 54, me ardhjen në pushtet të Neronit, Seneka shkruan traktatin e tij të parë filozofik “Mbi mëshirën”. Gjithashtu, ai emërohet këshilltar politik i Neronit. Por, pak nga pak, personaliteti i Neronit ndryshon. Qëndrimi i tij bëhet gjithmonë e më i paparashikueshëm dhe shqetësues. Pas vdekjes së dyshimtë të  Burrus-it, më 62,  Seneka, duke ndier rrezikun t,i afrohej, i kërkon Neronit t,i jepte leje për të  dalë në pension. Por ai ishte tepër i vyer për Neronin, i cili, zyrtarisht, nuk ja dha kurrë këtë leje, por as nuk  e pengoi që të merrte pjesë gjithmonë e më pak në jetën politike të perandorisë. Kështu, Seneka fillon t,ia kushtojë pjesën më të madhe të kohës hartimit të shumë veprave, punë që nuk zgjati më shumë se tre vjet, sepse në Prill të vitit 65, i paditur me pa të drejtë si pjesmarrës në komplotin e Pizonit kundër Neronit, ky e urdhëron Senekën të vetvritet. Dhe Seneka e zbaton këtë urdhër në mënyrë të atillë që “të mos zhdukej nga jeta por të dilte prej saj në mënyrë sa më dinjitoze”.

Përgjatë disa muajve përpara vetëvrasjes, Seneka shkruan kryeveprën e tij filozofike  “Letra për Lucilin”. Në këto letra, Seneka i drejtohet, mendimi i të cilit kishte arritur pjekurinë e plotë, i përçon nxënësit të tij shumë të dashur shumën e persiatjeve të veta, të cilat çdo njeri i ndjen shumë pranë vehtes dhe i ka ndier në çdo kohë, sepse ato kanë të bëjnë me përpunumin e shpirtit njerëzor, me përpunimin e njeriut si vetë e si qënie shoqërore, me përparimin e jetës njerëzore.

Në këto letra, shfaqen parimet dhe emrat e mëdhenj të stoicizmit, si Zenoni, Kleanthi, Krisipi, Panetius, Posidonius, Hekatoni etj. Megjithëse filozof, Seneka nuk ështe i vështirë për t,u kuptuar.  Përkundrazi, ai është i qartë, i thjeshtë e konkret, por edhe hijerëndë e i thellë. Në këtë kryevepër të letërsisë filozofike botërore, Seneka flet para së gjithash për forcat dhe dobësitë njerëzore. Drejtësia dhe ëmbëlsia e fjalëve të tij, mesazhi shpresëdhënës që ai dërgon për çdokënd që dëshiron ta ndjekë, i bën Letrat për Lucilin një vepër të përbotshme për të gjitha kohërat, leximi i sëcilës shndërron dhe pasuron pambarimisht njeriun dhe shoqërinë njerëzore. Ky ishte edhe qëllimi përfundimtar i Senekës në të gjithë letërkëmbimin e tij.

Temat që trajtojnë Letrat për Lucilin, janë të pranishme sot po aq saç ishin edhe dy mijë vjet më parë, kur ato u shkruan. Figura e njeriut të urtë që paraqitet në to, është njëkohësisht mit dhe realitet i mendimit antik romak. Veçantia e këtij mendimi shfaqet nëpërmjet  përputhjes së asaj që Seneka thotë me atë që ai bën e jeton çdo ditë. Për Senekën, filozofia nuk është art për të përmbushur kënaqësitë, por për të formuar shpirtin e njeriut, për të përmirësuar jetën, për të treguar se çfarë nuk duhet bërë në këtë jetë. Ai e sheh filozofinë si dritën e së vërtetës, si një përputhje mes atyre që janë fizike, logjike dhe morale. Seneka nuk e pranon që bota mund të qeveriset nga një fat i verbër. Ai mendon se, gjithçka ndodh sipas një plani hyjnor dashamirës, që quhet providencë. Për t,u bërë thirrje aftësive arsyetuese të bashkëbiseduesit, si dhe për ta bërë filozofinë të pranueshme në problemet e përditshme të jetës, Seneka përdor analogjinë, krahasimin dhe figurat: “ Ashtu si lumenjtë, shirat e rrëmbyer dhe ujrat minerale nuk mund ta ndryshojnë shijen e ujit të detit, nuk mund ta zbutin kripën e tij, ashtu edhe vrullet e një gjëme nuk mund ta turbullojnë a ta cënojnë njeriun guximtar, përkundrazi, ato e çelnikosin natyrën e tij të fortë, dhe është pikërisht kjo natyrë që ndryshon rrjedhën e ngjarjeve, sepse ajo është më e fortë se çdo gjë tjetër që vjen nga jashtë”. Ai merr e analizon veset e këqia të njeriut, që mud ti sjellin dëm jo vetëm atij por gjithë shoqërisë. Një nga këto vese është zëmërimi, të cilën e sheh si një dëshirë të dhunshme, të papërmbajtur për hakmarrje. Ai thotë: Ashtu si çmenduria, edhe zemërimi nuk mund të përmbahet; zemërimi e nëpërkëmb mirësjelljen, i harron lidhjet e ngushta njerëzore, ngul këmbë në të vetën si mushka, i qepet keq asaj që ka ndërmarrë, nuk dëgjon as këshilla, as arësye, merr flakë për shkaqe të gabuara, është i paaftë të dallojë të drejtën e të vërtetën, dhe u ngjet atyre rrënojave që shkërmoqen mbi rrënojat që zënë nën vehte… Zemrimi është shumë i fuqishëm për të dëmtuar”.

Mendimi filozofik antik greko-romak kishte vetëm një synim: artin e të jetuarit. Ato përçojnë artistikisht deri në ditët e sotme vlerat në mënyrën e të jetuarit. Filozofia e Senekës përcjellë kumtin që e keqja nuk vjen nga sendet apo gjërat, por nga përceptimi i gabuar për to. Ndaj ai na fton që të punojmë për të riedukuar gjykimin tonë, i cili do të mundësojë një përceptim të drejtë, dhe si rrjedhim, një sjellje të drejtë. Ky kumt i tij themelor ka përshkuar shekuj dhe ka frymëzuar mendimtarë të panumërt të brezave e vendeve të ndryshme të rruzullit tokësor.

 

 

17 komente në “ Seneka, filozof i madh i lashtësisë”

  1. Muzapopullore says:

    Autorja duhet te permende referencat nga e ka perkthyer.
    “Ishim rehat deri sa u shfaqen keta gazetaret me wikipedia university”
    Seneca’s Epistles Volume I

  2. Alfred says:

    Urtesi njerëzore qe vjen nga lashtesia. Te jep te kuptosh se njeriu shume pak ka ndryshuar ne mijera vjet. Gllaberues, zemërak, xheloz, injorant.
    me mire te loxojme te tilla gjera sesa marrezite e Çiljetes, te Tunë apo te Noezit. etj etj, boshesira.
    falemnderit.

  3. krysho ludovik says:

    Seneca mësuesi i Neronit.
    A duhet të thuash më shumë për ta gjykuar?

  4. Para Laci says:

    O tema, Seneca nuk i ndoqi mendimet apo filozofine e tij me perpikshmeri. Ai vdiq i pasur sepse mori rrushfete. Por i qendroi besnik perandorit qe e denoi me vdekje. Kur perandori e denoi me vdekje Seneca shkoi ne vasken e tij dhe preu damaret e dores pa e kundershtuar Perandorin. Sa per Stoicismin, ajo lindi nga Greket kur ata po kalonin nje kohe shum te erret (pak a shum si kjo qe Greket e sotem po kalojne tani), dhe kishin nevoje te arrinin nje zgjidhje per problemet e medha qe greket po kalonin ne ate kohe.

    Stoicismi pak a shum do te thote qe: Nuk eshte ajo qe te ndodh ty si njeri (psh fati i keq qe te bjen per risk/pjese dhe ti shpenzon gjith jeten duke qare apo vajtuar per fatin e keq), por esht se si ti reagon me ate fat/risk qe te ka rene per pjese. Keto metoda perdoren edhe sot nga psikiatret per pacientet me semundje mendore. Gjithashtu ushtria amerikane ka filluar te perdore kto metoda te stoicismit. Marcus Aurelis, perandori i Romes thoshte, mos lufto fatin tend. Nqs te ka rene per risk/pjese qe ti si ushtar te rreshtohesh ne rreshtin e pare perpara nje beteje, pranoje sepse ky esht fati yt. Dhe kjo vlen edhe per gjera te zakonshme te perditshme.

    Nqs Berisha na ka rene per pjese ne shqiptareve, ne duhet ta pranojme kte gje, sepse kjo esht e verteta, por cfare esht e rendesishme ktu nuk esht sharja qe ne i bejme atij per dite (pra ne jemi duke vajtuar dhe duke qare per fatin e keq qe na ra per pjese), por esht menyra se si ne si popull reagojme me faktin qe Berisha na ka rene per pjese. Ne ose ta pranojme faktin se ky njeri na ka ra per pjese dhe ne vazhdojme jeten tone ashtu sic eshte, ose ne duhet te marrim masa qe njerez si Berisha mos te vijne me ne pushtet.

    Nevoja esht e nevojshme sepse te ndihmon te krijosh gjera dhe i jep zgjidhje problemeve. Zvicra asnjehere nuk ka pasur lufte, dhe cfare kan arritur ata te krijojne apo shpikin? Nje ore te shtrenjte. Gjate rilindjes Italiane qe ishte nje rremuje midis principatave, ata linden Michelangelo, Da Vinci, Galilei, etj..

    1. ZEUSI says:

      shume analize e sakte

    2. xhani says:

      tek dy fjalite e fundit o para laci ke kopjuar nje shkrim tek bota.al
      kjo tregon qe lexon shume ne kompjuter

      1. Para Laci says:

        Xhani, natyrisht qe i kam me te lexuar se une nuk kam jetuar as ne mesjete e as ne lashtesi, por jo te bota.al.

        Kjo qe kam shkruar me siper esht nje permbledhje qe i kam bere kti subjekti me aq sa kam lexuar perreth ktij subjekti.

      2. Para Laci says:

        Xhani, nuk ta them me te keq, por ti si fillim e gjete por ne te njejten kohe edhe e humbe te gjith esencen e ketij shkrimi qe bera une.

    3. stil says:

      nuk eshte e vertete qe Zvicra nuk ka pasur kurre Luftra. Deri ne vitet 1600 ishin te copetuar dhe ne konflikt te perjetshem mes tyre. Dhe kane shpikur shume gjera. Kryesorja kane shpikur Paqen dhe per ta ruajtur jane te gjithe ne gatishmeri e te armaosur. Kane shpikur marreveshjen mes popullsive me gjuhe e fe te ndryshme, besnikerine ndaj kombit te ri qe formuan. Respektin ndaj ligjit se ky eshte progressi me i madh. Shpikjet e tjera nuk u interesojne. U mjafton Mastercard.

      1. Para Laci says:

        O Stil, para se te shkruash ti dhe xhani me siper duhet te kuptoni se cfare do te thote analogji.. Zvicren dhe italine e perdora si analogji per thjeshtesuar shkrimin tim per njerez si ty e si Xhani qe ta kuptoni me lehte. Bej vetes tende nje nder, blej librin e Marcus Aurelis meditations, dhe lexo pak per stoicismin ne pergjithsi ne libra te tjere, se ti po i leh karvanit nga mbrapa.

        1. stil says:

          Ke pak ide dhe te gjitha lemsh. Per vete preferoj Jul Qezarin, Augustin, Tiberin, Afrikanin e madh apo Katon Censorin. Ti beji nje nder vetes. Bli nje liber edukate dhe nje gramatike te Shqipes. Te pakten do mesosh si shkruhet emri i Mark Aurelit. Po me duket eshte sforcim i madh tejet per ty. Mbaj fort analogjine.

  5. jrmx says:

    edhe athinasit vrane mesuesin e tyre sokratin . Per me teper me akuza qesharake.. Si duhet gjykuar atehere demokracia athinase…

  6. pjatalarsi says:

    Ndonese gjera te njohura sot edhe nga njerzit qe nuk lexojne, sepse shihen ne emisione televizive dhe ne internet, serish eshte gje e mire per gazetat te botojne shkrime te tilla. Shkrimi i mesiperm eshte i sakte dhe terheqes.

  7. rako ferra says:

    E kush tha se eshte Demokracia sistemi i persosur dhe i drejte
    Por nuk kemi deri tani sistem me te perkryer se Demokracia
    CURCILL

  8. BAJRAM BALA says:

    ME VJEN MIRE KUR SHQIPTARET SHKRUAJNE PER FILOSOFET DHE AKOMA ME MIRE KUR SHKRUAJNE VAJZAT REJA . DARDHA NEN DARDHE I LESHON KOKRAT ESAJ .SA ME SHUME LEXON AQ ME SHUME MESON SE SA PAK DI NJERIU MU DHA MUNDESIA TE MESOJE GJERA TE REJA FAIEMINDERIT AUTORES DHE URIME TE PERZERMTA

    1. Aleksander says:

      Thjeshtesia e perulesia jane virtyte qe i bejne nder atyre qe i kane .Te pergezoj Bajram per leksionin qe edhe ti padashur na e jep !-Kane nevoje sidomos rinia shqiptare te mesojne te jene te thjeshte .

  9. Rey says:

    Dua tu them tè gjithve né qoftese ne shqiptaret do tè kishim nje filozof tè mirfillt do jetonim me mire dhe bejne mir qe shkruhen keto gjera ne kemi studjuar filozofin markesiste dhe ishim pa buk por tè lumtur dhe sot kemi gjithe cka por nuk jemi te lumtur. . .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje