Fillimi i fundit të gazetarisë së printuar?!

26 Mars 2016, 12:16Kulturë TEMA

Nga Ornela Liperi, Monitor

Si do të mbijetojë biznesi prej rreth 3 milionë eurosh i shtypit të shkruar?!

Ajo që ishte paralajmëruar prej vitesh, po ndodh. Gazeta “Shqip”, e treta më e madhe në vend, sipas të ardhurave, do të mbyllet pas disa ditësh. Reklamat në vitin 2015, në 22 gazeta të përditshme, ranë me 25%, ndërsa tirazhet vitin e fundit janë tkurrur me 5-20%, çka nënkupton deri në 1000 kopje të shitura më pak në ditë për mediat kryesore. Konkurrenca e ashpër nga media online po i merr gradualisht lexuesit, teksa printi po dorëzohet dhe nuk po arrin të riformatohet drejt lajmit analitik, për të mbajtur tregun aktual apo për ta shtuar atë.

Një analizë kosto-përfitime e “Shqip” ka çuar në vendimin e aksionerëve për mbyllje të gazetës së tretë më të madhe në vend nga të ardhurat. Shpenzimet vjetore prej rreth 470 mijë eurosh (apo rreth 40 mijë euro në muaj, sipas bilancit 2014), kapitali negativ, fitimet minimale në 2014-n, rënia e tirazhit dhe e numrit të reklamave kanë qenë argumente të mjaftueshme për të orientuar pas 10 vitesh këtë media vetëm në segmentin online. Një veprim që do t’i kursejë asaj një të tretën e shpenzimeve vetëm nga heqja e kostove të shtypshkronjës.

“Shqip” është “viktima” e parë e madhe e krizës që po kalon shtypi i shkruar vitet e fundit. Krizë që vjen kryesisht për dy arsye kryesore. Së pari, rënia e tregut të reklamave, ku printi ishte ndër të parat që u shkurtua nga buxhetet e marketingut të kompanive. Së dyti, konkurrenca e fortë nga online që po merr lexuesit e rinj, që gjithsesi u kishin qëndruar larg gazetave, por edhe ata tradicionalë, që preferojnë të informohen në kohë reale. Ndonëse kjo situatë pritej prej kohësh, media e shkruar ra në “kurthin” e vetëkënaqësisë, duke u fokusuar thjesht te dhënia e informacionit (në gazetë gjen lajmet që shumëkush i ka lexuar një ditë më parë, apo dhe thjesht lista legalizimesh apo pronarësh) dhe nuk tentoi të riformatohej drejt lajmit analitik për të kapur atë lexues që sot është më kërkues.

Teksa dhe grupet e biznesit, që në pjesën më të madhe zotërojnë median e shkruar, panë rënie të fitimeve të aktivitetit të përgjithshëm, gazetat po kthehen sot më shumë në një barrë për ta, sesa në një mjet përfitimi indirekt.

“Media e shkruar po kalon krizën më të rëndë dhe ndoshta edhe krizën që po e shoqëron atë drejt fundit të medias print në Shqipëri”, pohon Sami Neza, gazetar dhe studiues i mediave.

Për Urim Bajramin, kryeredaktorin e Gazetës “Shqip”, “shtypi i shkruar është në ditët e tij më të vështira. Sikurse është thuajse edhe në të gjithë botën”.

Mero Baze, botues i gazetës “Tema” dhe portalit online “gazetatema.net”, që prej kohësh i ka orientuar energjitë drejt portalit, ka pohuar pak kohë më parë për “Monitor” se shtypi i shkruar është i vdekur. Sipas tij, ai duhet të ristrukturojë botimet, t’u kthehet botimeve periodike, tip magazine, duke futur në print, raporte të thella, origjinale dhe prodhime të redaksisë.

Elton Metaj, kryeredaktor i “Shekullit”, ka pohuar se ndryshimi i mekanizmit se si e konsumojmë lajmin apo informacionin, nuk do të thotë se lajmi i vërtetë mund të zëvendësohet me diçka tjetër. “Dhe kjo është sfida e shtypit të shkruar, që duhet ta përdorë internetin jo si konkurrent, por si mjet për të shpërndarë lajmet dhe për të mbërritur te lexuesi, pa pritur që lexuesi të dalë nga shtëpia apo zyra”.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve, e shikon të ardhmen drejt online. “Disa botues, edhe pse me histori të fuqishme në momente të ndryshme të këtij tranzicioni postkomunist, e kanë pranuar e madje njoftuar se do të mbeten vetëm te versioni më ekonomik, ai i online multimedial”.

Gazetat ditore, reklamat bien 25%

Monitorimet e 22 gazetave të përditshme nga “Idra Media” tregojnë se Sasia e Reklamës në numër e ekuivalentuar në faqe të plota ka rënë ndjeshëm me 25% në vitin 2015, pas një tkurrjeje prej 6% në 2014-n. Disa gazeta kanë parë në 2015-n dhe përgjysmim të numrit të faqeve që ziheshin nga reklamat.

“Shqip” pa një rënie të reklamave të ekuivalentuara në faqe të plota me 10% në 2015-n. Panorama arriti të ruante ritmin, duke shënuar një rënie prej vetëm 3.5%. Edhe “Mapo” e tkurri numrin e faqeve të reklamave me 4.4%.

Më e thellë ka qenë rënia për “Koha Jonë”, me gati 50% dhe “Gazeta Shqiptare” me 54%. Tkurrje kanë shënuar edhe “Gazeta Dita” me 16%, “Shekulli” me 15%, “Shqiptarja” me 15%.

E vetmja me rritje të fortë, gati dyfishim është “Tema”, por nisur gjithsesi nga një bazë e vogël.

Të dhënat më të detajuara jepen në grafikun “Sasia e reklamës në numër e ekuivalentuar në faqe të plota, gazetat”. Grafiku synon më shumë të japë trendin, pasi është e vështirë të diferencohet se cilat kanë qenë të ardhurat reale, teksa reklamat e grupit mund të zënë një peshë të konsiderueshme në numër, por janë me kosto minimale në raport me ato të jashtmet.

Reklamues tradicionalë si Vodafone, Albtelecom, AMC (Telekom Albania) rezultojnë të kenë shkurtuar ndjeshëm buxhetet e tyre në median e shkruar, sipas të dhënave nga monitorimet e “Idra Media”.

Biznesi 3 milionë euro

Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 3 milionë euro në vitin 2014, me një rënie vjetore prej rreth 9%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga “Idra Media”.

Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është “Panorama Group” (me median kryesore gazeta “Panorama”, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe “Panorama Sport”) me një qarkullim vjetor prej 256 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej vetëm 0.5% me bazë vjetore. Grupi ka rezultuar me fitime minimale (para taksave) prej 340 mijë lekësh nga 7.8 milionë lekë të një viti më parë. Kompania ka punuar të përmirësojë arkëtimet, duke shmangur në minimum mospagesat, duke qenë mjaft e vëmendshme në administrimin e të ardhurave (për reklamuesit që kanë qenë problematikë në të kaluarën kërkohet edhe parapagim).

Media e dytë më e madhe në vend “Unipress” (gazeta “Shekulli” dhe publikime të tjera të grupit) ka parë një ulje të qarkullimit vjetor me 21% në 89 milionë lekë. Pavarësisht rënies së të ardhurave, grupi ka rezultuar me një fitim prej 9.6 milionë lekësh, nga humbjet prej 3.6 milionë lekësh në 2013-n.

Gazeta “Shqip” ka parë një ulje të lehtë të të ardhurave në 2014-n me rreth 3% në rreth 66 milionë lekë. Edhe fitimi i saj ka rënë ndjeshëm, nga 3.9 milionë lekë në 2013, në 605 mijë lekë në 2014-n. Për periudhën 2013-2014, kompania ka raportuar bilanc me kapital negativ.

“Shqiptarja.com” është media e shkruar dhe online me ecurinë më të mirë në 2014-n, duke u rritur me 60%, sipas bilancit të saj zyrtar, për të arritur një qarkullim vjetor prej 49 milionë lekësh. Fitimi para taksave u zgjerua ndjeshëm, nga 465 mijë lekë në 4.3 milionë lekë.

Shtypshkronja, një e treta e kostos

Sipas të dhënave nga bilancet e gazetave kryesore, më shumë se një të tretën e shpenzimeve e zë shtypshkronja. Pagat e personalit zënë mesatarisht 20-25% të kostos dhe pjesa tjetër përbëhet nga shpenzime administrative.

Për gazetën “Shqip”, shitjet sollën 25% të të ardhurave, ndërsa për “Panoramën”, më të madhen në vend nga tirazhi, ishte e kundërta, 27% e të ardhurave erdhën nga reklamat 71% nga shitjet, sipas burimeve nga grupi, për vitin 2014.

Tirazhet bien deri me 1000 kopje në ditë

Drejtuesit e gazetave kryesore, të kontaktuar nga “Monitor” pohojnë për një rënie të ndjeshme të tirazheve vitin e fundit, nga 5-20%. Për disa media të mëdha, kjo nënkupton një rënie të shitjeve deri me 1000 kopje në ditë, me efekt të konsiderueshëm në të ardhurat e gazetave.

“Panorama” vijon të jetë gazeta më e madhe në vend, e vetmja me tirazh mbi 10 mijë kopje në vend, sipas të dhënave nga shtypshkronjat, ndonëse vitin e fundit ajo ka parë një rënie të shitjeve.

Gazeta “Dita”, ndonëse relativisht e re në treg, hyri me një model ndryshe nga të tjerët, duke u veçuar në kujdesin që i kushtonte faqes së parë dhe shkrimit kryesor, i ndryshëm nga lajmet e “djegura”. “Dhe në fakt, sot “Dita”, renditet e dyta për nga tirazhi, sipas të dhënave që “Monitor” ka siguruar nga shtypshkronjat, me mbi 5000 kopje të shtypura në ditë.

Pas saj renditen gazeta “Sot”, “Shekulli”, “Telegraf”, “Shqip”, “Gazeta Shqiptare”, “Shqiptarja”, “Standard” etj. Përveç “Sot”, të tjerat e kanë tirazhin nën 5000 kopje në ditë. Këto janë vetëm të dhënat nga shtypshkronjat, ndërsa niveli i shitjeve përgjithësisht është 30-70% më i ulët (shpesh gazetat preferojnë të mbajnë tirazh të lartë në shtypshkronjë, me synim tërheqjen e reklamuesve).

3 komente në “Fillimi i fundit të gazetarisë së printuar?!”

  1. "Horri i Bulevardit" says:

    Cfare solli gazeta “Shqip” dicka te re ne shtypin shqiptar?, asgje.
    Te botosh nje gazete, duhet nevrradhe te pare, te kesh nje staf, qe di te rrezikoje dhe qe nuk fut ne ate gazete, shkrime qe mos te “vrase” dike.
    Gazetare partiake, kjo eshte gjendja.
    Jo vetem kjo gazete, por dhe shume emisione, sic eshte emisioni i Sokol Balles, do te shkoje per lesh, se te ftosh “analiste” te tipit Dervishi, qe perton te flase dhe qe sthote as mish as peshk, smbetet rruge tjeter, vecse te falimentosh.
    Kur flet Dervishi apo ndonje tjeter i ftuar:
    U…..ne,……. mendo….j,…….. se Sali…………..Berisha.
    Tipa te tille te ngrejne nervat dhe ne qofte se do te denosh njeri, lere te degjoje keta “analiste” leshi, qe mbushin edhe faqet e gazetave.
    Dy gazeta jane sot per sot TEMA dhe DITA, te tjerat jane kot.

  2. KEVAK says:

    Kete e thone dhe vete gazetaret, edhe profesoret kane 25 vjet, 25 vjet thone te githe dhe 25 vet pjese e gabimit, e duan gabimin dhe e shajne gabimin, ata qe perbetohen ata, po perseri bejne te kunderten, vetem per pa para, jane zhytur ne zhul e po zhgerryhen kush me shume, kush me pak dhe ca qe bejne tifozllek si zhgerryen, ca presin te futen ne zhul, nuk e kane fajin matrapazet, mskarenjte e reklamave, qelbesirat e pushteteve, fajin e ka matrapazi ”NDERGEGJE” qe ka ikur ne drejtim te paditur te njeriu qe pesohet nen vleften e parase, zhulsanjose jemi vetem para duam sa me shume para e pushtet, seks deri ne origji, delir duam, pasion marramandes te narcizmit tone kafsheror, te zgjidhur nga zinxhiri duam vetem para, para per ta shtyp njeriun, njeriu mbi njeriun, mbinjeriu njeriun, dhe hyjninjerinjte njeriun, jemi ne gare per fodullek, pordhaceri lepire kepucesh bythesh nder zyra sallone, vetem per para, cdo gje blehet me para, edhe gruaja blihet me para, edhe nderi edhe ndergjegja, dhe vlerat, edhe normat, dhe etika kane vleren ne para, nepsqare jemi. gazetaria eshte pasoje e shoqerise shfrenuese qe nga intelektualizmi e akademizmi e deri te lypesi qe zhvat me buzeqeshje nenqeshur vetem te holla, per pushtet, per fodullek, per pordhaceri, per dashurine e vetvetes sone qe na ka humbur kamerave dhe jashte kamerave, Per para shesim dhe gruan, dhe vllain, dhe shokun, edhe mikun, hipokriza tashme eshte vlere e lirise sone, jemi shfrenues ne hipokrizi, ndershmeria eshte ”paraqende” per kohet tona 25 vjecare, duam seks jo 1 por nga 10 ne muaj t’i nderrojme, ti flirtojme, ti shqyme me sy, eshte instikt jetesor dhe njerezor i kthyer ne permendore, duam pushtet qe ta shohim tjetrin te vuaje, te poshterohet, gjithashtu te tjeret, vuajarizem delirues, keshtu duam ne supermilioneret e njeriut te ri, shfrenoni fantazine kamerave, teksteve, degjimeve, shqyejeni etiken, perdhunojeni, nuk vlen asnje gram argjendi e jo me floriri, nuk ke c’i do te ndershmit, profesionalet, ata jane lon te realitetit, virtualiteti eshte realitet, imazhi eshte e verteta dhe e verteta eshte mirash i realitetit, spektalizohemi ner ekrane per te pare femra shalehapura, gjoksenxjerra, po po duam, me hir apo pahir, ky eshte pasioni i jetes, lumturia. Duam me shume VIp-rizma kukullash, pordhaceri kostumesh meshkujsh, ore te shndritshme e kepuce lustrafine, pasi mirazhi eshte jeta, dhe e verteta eshte klloun i jetes, ajo shkaterron degjenirimin, por me shume shkaterron enderrimet tona deliruese per seks, pushtet dhe para, skizofrinohemi per para, e ne kontraditat tona reportuese psikopatohemi per para, pushtet dhe seks. Kjo eshte jeta gazetareske cfare doni njerez profesioniste, te arsimuar ne gazetari ne media te bejne punen e tyre, keni luatur mendsh! po ku vihet shkenca para thenieve popullore, e ceshte shenca e profesinalizmi valle, kut i thoni ju shkence komunikimi neve q jemi te popullit qe kemi kushedi sa jete qe komunikojme, po cfare thone moreee. Po miku, shoku, deputeti qe jane siper nesh dhe shqyejne vesh e sy, ta shtypin koken me para ata, ta dhunojne endrrren me para, te degjenerojne hipokrizine me para, ta perdhunojne dashurine hipokrite me para, o burra ngrijini permendore parase, futjani nga pas e nga mbrapa, lart e poshte tjetrit te huajt, sa me fort, sa me shume, sa me gjate, e cfare do mbash mend ne jete, ne fund te fundit 3 metra vend do marresh kur te ikesh. Prandaj sa me shume spektakizoni , buzeperveshuni, shqyeni syte kofshe e gjokse, shfrenojuni, argetojuni, narcizmi juaj ehte e ardhmja juaj e ndritur, juve ju adhurone, ju duan se jeni lakmitare te jetes suaj, te marredhenieve tuaja, shfrenojuni!!!!!!!!! NGA AKADEMIZMIZMI NDRITPERCUES E DERI NE LUPSIZEM SHFRENOJUNI, SHTYPENI ME THUNDER TJETRIN, GROPOSENI, KONKURRENCA KETO KA!!!!!!!!! Delironi ne te verteten tuaj akademizmi dhe lupsizmi juaj profesional 25 vjecar, ne nje brazde te gjithe duke u mburur dhe sharre njeri tjetrin!!!!

  3. kevak says:

    Shkurt muhabeti gazetaria vuan nga vetvetja. S’eshte vetvetja pa s’eshte gazetaria e shkruar, e lidhur qe ne fillim dhe e ngritur ne shumesi nga politika dhe monopoli ekonomik i ngritur nga politika gazeta vuan ndergjegjen shoqerore. Ajo eshte peng, instrument i egoizmit pushtet dhe nemekembesve te saj, vuan nga mosbesimi i publikut, publiku nuk eshte budalla, dikur i shikoje me zili nga profesioni se ata gazetaret kishin pushtet simbolik dhe faktik, sot u pa qe ky pushtet eshte vetem nje instrument per fame, ofiqe dhe lavdi, rrofte partia me gjithe nemekembesit e saj ekonomik. Edhe intelektualet qofte akademizmi intelektual sa e mburrin dhe e shajne kete instrumento-pushtetin, gjithmone si ne rastin e Gerdecit nga pas me kritikat jo me pare fenomenit, pervcse tek-tuk ndonje figure publike qe ka ndergjegje personale e shoqerore, a vlen ndergjegjia? Ky eshte shperblimi i vlejtjes dhe shfrenia per para e pushtet, shoqeri pa vlera dhe pa forma orientimi, neqoftese ky fenomen eshte global ne jemi karikatura e saj pasi nuk dime te krijojme, imitojme dhunshem, brutalisht per forma inegzostente mediash, as mos te na vije mendja per permbajtje po te shikojme formen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje