Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë sot pretencën për ‘bandën e tritolit’ që tronditi vendin dy vite me parë për vrasjet me pagesë.
Konkretisht, organi i akuzës ka kërkuar burgim të përjetshëm për dy kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj, të akuzuar si porositës dhe ndërmjetës të atentateve.
Kurse, për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, Prokuroria ka kërkuar 35 vite burg, pasi ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Për Ndriçim Gjokonën, organi i akuzës ka kërkuar 8 vite burg, pasi prej tij u zbuluan vrasjet dhe të implikuarit.
Ndriçim Gjokona është i penduari i parë i drejtësisë, që shkoi të bënte denoncim në policinë e Durrësit.
Gjithashtu, është kërkuar 5 vite burg për biznesmenin Ilir Karçini; 26 vite burg për Marjon Mitron, personi përgjegjës që ka porositur vendosjen e tritolit poshtë makinës së ish-prefektit të Vlorës Besni Dervishi dhe 11 vite burg për Albin Mexhajn, personi që i shiti armët vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.
Kundrejt pagesave të majme, Sinanaj kryente shpërthime me eksploziv duke vrarë biznesmenë të ndryshëm, ndërsa në shënjestër kanë qenë edhe ish-Prefekti i Vlorës, Bensik Dervishi dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Kollozi.
Sinanaj u arrestua në Tiranë, në janar të vitit 2014 me një sasi të konsiderueshme armësh dhe eksplozivësh.