Rrëfimi i gruas së biznesmenit të ekzekutuar në Durrës: U nis për futboll e s’u kthye më

11 Maj 2016, 09:32Kronika TEMA

Bashkëshortja dhe babai i Shpëtim Shalës, 39-vjeçarit që u ekzekutua nga persona dhe për shkaqe ende mister mesditën e së dielës në Durrës, shprehen se në dijeninë e tyre Timi, (siç e quajnë ata), nuk kishte konflikte të hapura me persona të tjerë.

Familjarët shprehen se babai i tri vajzave të vogla, i cili mbeti i vrarë me 15 plumba, nuk kishte lidhje me botën e krimit. Sipas tyre, Shpëtimi nuk ishte person me precedentë penalë, pasi nuk u dënua për atë që u akuzua padrejtësisht.

Bashkëshortja e Shpëtimit, Kristina, ka theksuar se “mediat dhe policia kanë hedhur baltë mbi personalitetin e 39-vjeçarit, pasi ai ishte familjar i rregullt, aspak konfliktual dhe pa konflikte me persona të tjerë”.

Duke folur për ditët pas krimit, ajo thotë për Panorama se:

“Jemi të indinjuar, pasi është trajtuar shumë keq kjo ngjarje. Timi nuk kishte lidhje me botën e krimit dhe as kishte probleme apo konflikte me persona të tjerë në dijeninë tonë. Shpëtimi ishte bashkëshort dhe baba shembullor, bënim një jetë të qetë”.

Për gruan e mbetur të ve dhe që nuk di kujt t’ia drejtojë gishtin si autorin që i mori jetën të shoqit, largimi nga jeta i duket ende i pabesueshëm.

“Të dielën u nis si zakonisht për të luajtur futboll, por nuk u kthye më. Ende nuk na besohet se ka ndodhur kjo. Është një humbje e madhe për ne”, shprehet mes dhimbjes bashkëshortja e Shpëtim Shalës, Kristina.

Ndërsa babai i 39- vjeçarit, Muharrem Shala, shprehet se i biri nuk ka qenë person me precedentë penalë, nuk i ka para borxh njeriu dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e bandave kriminale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje