“Arjan Çani na ka gjetur pikën më të dobët, seksualitetin. Ne duam të shohim shalë e gjoks”

12 Maj 2016, 10:36Sociale TEMA

Dy emisionet e fundit të Arjan Çanit kanë shkaktuar një tërmet të vërtetë online.

Kjo, për shkak të të ftuarve dhe bisedave të tij dhe faktit se emisioni “Zonë e Lirë” ka marrë ngjyrime të forta erotike.

Kjo ka bërë që edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive t’i tërheqë vëmendjen Çanit dhe TV Klan.

Gilman Bakalli shkruan sot tek Mapo, se Çani iu ka gjetur pikën më të dobët njerëzve, që është seksualiteti.

Sipas tij, pavarësisht thirrjes së Çanit, që ata që nuk janë dakord me të ftuarit e tij ta fikin televizorin, kjo është e pamundur të ndodhë.

“Çani e ka kapur audiencën përmes pikës së saj më të dobët: Dobësia njerëzore për imazhe me lakuriqësi mishi. E thënë ndryshe, në mënyrë stereotipike, Çani e ka kapur idenë se forca e seksit të dobët është dobësia e seksit të fortë për seksin e dobët.

Miliarda eurot e përvitshme të një industrie gjigante mediatike pornografike e nxjerrin zbuluar lakuriq këtë prirje të errët njerëzore për kofshët, gjokset apo vithet femërore. Forca e lirisë te “Zonë e lirë” bazohet te mungesa e lirisë njerëzore për ta fikur televizorin apo për të ndërruar kanal televiziv, kur ajo përballet me imazhe me përmbajtje seksuale”, shkruan Bakalli për Mapon.

Arian Çani ka të drejtë kur thotë se “vajzat që puthen në studion e tij”, gjokset dhe bythët e zbuluara, nuk përbëjnë aspak skandal dhe provokim. Në një kohë invazioni imazhesh me përmbajtje të forta seksuale nëpër të përditshmet online, në fakt, duhej të thoshte, nuk përbëjnë më as skandal e as provokim. Por Arian Çani nuk ka të drejtë kur pretendon prej teleshikuesit të pamundurën: Të jetë në gjendje të shohë një grumbull vajzash të bukura dhe lakuriq dhe të vazhdojë mbrëmjen me qetësi a thua se s’ka ndodhur asgjë. Apo ta fikë televizorin. Apo të ndërrojë kanal televiziv. Sepse emisioni i tij, tashmë shfrytëzon pikërisht mungesën e lirisë së teleshikuesit për ta fikur televizorin e për t’iu përkushtuar leximit të tregimeve të Çehovit, kur në skenë shfaqen disa bukuroshe shalë-e-gjoks-jashtë. Kur Çani në intervistën e tij ngre pyetjen naive se pse në kësi rastesh njerëzit nuk ndërrojnë kanal televiziv, ai thjesht po e zhvesh seksualitetin nga forca dhe pushteti i tij për psikikën e njeriut”, vijon Bakalli.

Jam kundër pozicioneve moraliste dhe apeleve patetike që thërrasin në skenë modelin ideal të njeriut. Ideja ime është që pa e shtypur paksa libidon tonë, nuk mund të jetojmë të qetë. Meqë nesër do dalim në punë, do çojmë fëmijët nëpër shkolla, do kujdesemi për gjërat e së përditshmes, do të duhej të mos i jepnim flatra pushtetit seksual, qoftë në televizion, qoftë nëpër portale online. Thjesht do na shkatërronte. Seksualiteti është njëra prej atyre forcave, për të cilat zor se uron njeri seriozisht që të çlirohen plotësisht”, e mbyll shkrimin e tij Bakalli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje