Ministri Tahiri u ka dhënë fund hamendjeve rreth ekzistencës së një pajisjeje teknike, e cila shërben për trajnimin e punonjësve të Policisë së shtetit, gjatë daljes së tij në emisionin Top Story me gazetarin Sokol Balla.
Tahiri ka theksuar se pajisja në fjalë nuk shërben për përgjime të telefonatave, emaileve, mesazheve etj, siç është aluduar, por bën thjeshtë evidentimin e telefonave aktivë në një zonë të caktuar.
“Mbaj përgjegjësi të plotë për çfarë po them dhe konfirmoj që kjo pajisje është për trajnimin e oficerëve të policisë dhe është një pajisje e ligjshme që përdoret në bazë të një marrëveshjeje me policinë italiane, të firmosur në vitin 2007 nga ish-ministri Nishani, aktualisht president i vendit”, tha Tahiri.
Ministri ka nënvizuar se akuzat e hedhura në shtyp nga zyrtarë të opozitës do të marrin një përgjigje ligjore nga hetimi që po zhvillohet, dhe “pres që Prokuroria të thotë të vërtetën për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.
Tahiri ka sqaruar se aktualisht Policia e Shtetit nuk i ka kapacitetet teknike të bëjë përgjime për shkak se pajisje të tilla janë shumë të kushtueshme dhe të sofistikuara.
Ndërkaq konfirmoi se pajisja me të cilën po trajnohet specialistët e Policisë, nuk mundet të bëjë përgjime të telefonatave.
Me qëllim që të hiqte çdo hamendje rreth kësaj çështjeje, ministri theksoi përsëri gjatë intervistës së policia, nuk ka patur kurrë, nuk ka dhe s’mund të ketë me ligj në përdorim, një pajisje përgjimi.
“Policia e Shtetit nuk ka pasur kurrë, sa jam unë në detyrë, nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë në përdorim një pajisje përgjimi të çfarëdolloj, që të përgjojë telefonata, mesazhe e komunikime të tjera të kësaj natyre. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, mbaj përgjegjësi për atë që them para institucioneve”, tha ministri.
Tahiri theksoi më tej se gjatë vizitës së zhvilluar së fundmi në SHBA dhe marrëveshjeve të nënshkruara me FBI-në është rënë dakord që të vijnë në Tiranë, ekspertë amerikanë të cilët do të asistojnë konkretisht Policinë e Shtetit dhe BKH për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me fushën e zbatimit të ligjit.
Në lidhje me aparaturën e përmendur, ai tha se “Kjo pajisje është për trajnim dhe ajo që bën është evidentimi i telefonave në një zonë të caktuar. Nëse do të bënim një krahasim me telefonat fiks, do të ishte njëlloj si të merrnim një numrator të abonentëve të telefonave fiks. Pajisja pasqyron numrat në një zonë të caktuar dhe është një mjet që përdoret në shumë vende të botës. Kjo pajisje ka qenë në polici dhe tashmë po zhvillohen trajnimet sipas marrëveshjes së 2007,” ka sqaruar Tahiri.
Duke folur rreth implikimeve ligjore që mund të shtroheshin në lidhje me këtë çështje, Tahiri thah se “Pajisja evidenton numrat dhe kjo nuk përbën asnjë problem. Unë numrin tim e kam afishuar në dço komisariat të policisë. Numrat e zyrtarëve të shtetit nuk ka nevojë që t’i gjejmë përmes kësaj pajisjeje, pasi mund t’i marrim manualisht. Pajisja është në përmbushje të detyrës që ka policia e shtetit dhe nuk ka asgjë të paligjshme në këtë histori.”
I pyetur në lidhje me hetimet që ka nisur prokuroria për këtë çështje, ministri tha se ky hetim i nisur është një gjë tërësisht e panevojshme dhe një lapsus i rëndë që cenon besimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve.
“Pres që prokuroria t’u thotë të vërtetën qytetarëve shqiptarë në lidhje me këtë çështjen e akuzave për përgjime pasi kësisoj cenohet edhe bashkëpunimi që kemi me partnerët ndërkombëtare që na asistojnë në rritjen e kapaciteteve të institucioneve tona”, theksoi Tahiri.