Shkarkohet shefi i Sigurisë së Farkës. Fluturonte me një helikopter privat

22 Maj 2016, 16:09Kronika TEMA

Kur Prokuroria e Shkodrës ka ripyetur për të disatën herë të mbijetuarin Gerald Baramuça, pa marrë ende një përgjigje se çfarë ndodhi para aksidentit ajror të Grizhës, Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar hetimin administrativ për këtë ngjarje.

Burime pranë kësaj ministrie, jozyrtarisht pohuan se është shkarkuar nga detyra shefi i Sigurisë Ajrore në Komandën e Forcave Ajrore në Farkë. Nënkolonel Altin Lame – thanë burimet, – duhej të ishte në detyrë ditën e 6 prillit, kur edhe ndodhi aksidenti ajror, raporton TCH.

Largimi i tij nga Forcat Ajrore është bërë me motivacionin “për shkelje të rëndë të disiplinës”.

Sipas listës së miratuar, ai ishte zyrtari i fundit në bazën e Farkës, që firmoste lejen e fluturimit dhe konfirmonte kontrollin e pilotëve që do të niseshin me mision trajnues. Por prania e tij ka qenë fiktive në detyrë, pasi nënkoloneli në fakt atë ditë rezulton të ketë qenë i angazhuar si pilot në një agjenci private fluturimi.

Nga ana e saj, Prokuroria e Shkodrës i ka dërguar fletëthirrje shtetasit Altin Vrapi, me detyrë drejtor i Sigurisë Ajrore të Licencave, në Autoritetin e Aviacionit Civil. Prokuroria thotë se thirrja e tij është bërë pasi shikohen të dyshimta licencat e lëshuara ndaj kompanisë private për fluturimet, në një kohë që një piloti ushtarak nuk i lejohet të jetë i angazhuar.

Aktualisht Prokuroria e Shkodrës është në pritje të ekspertizës së kartës së memories së helikopterit “EC 145”, nga rrëzimi i të cilit humbën jetën Donald Hoxha dhe Florian Deliu. Ndërkohë i mbijetuari Baramuça, në të gjitha seancat e pyetjeve këmbëngul se nuk mban mend asgjë nga dita e aksidentit.

2 komente në “Shkarkohet shefi i Sigurisë së Farkës. Fluturonte me një helikopter privat”

  1. illyri says:

    Bravo BARMUCA !Te gjallet me te gjallet te vdekurit me te vdekurit mos trego he burr.

  2. siguria says:

    Shefi i sigurise nuk ka faj nese pilotét sillen si karagjoz dhe rrezohen per faj te tyre. (keshtu besoj 90%)
    edhe sikur shefi i sigurise te ishte ne detyre nuk do i ndalonte dot nga rrezimi sepse nese nje mjet flutures ngrihet ne ajer sipas te tera rregullave atehere shefi i sigurise nuk mban pergjegjesi.

    shefi mban pergjegjesi deri ne castin qe mjeti ngrihet ne ajer pastaj eshte piloti ne detyre qe mban pergjegjesi per veprimet e tij ne ajer.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje