Skandali i trukimeve vazhdon të tronditë futbollin italian. Camorra trukonte ndeshje të Serie B, ndërsa për të realizuar mashtrimin sportiv kishte siguruar ndihmën e tre futbollistëve.
Anti-Mafia e Napolit arrestoi 10 persona, pjesëtar të klanit Vanella Grassi, nga të cilët 7 ndodhen në burg dhe 3 në arrest shtëpie. Aksioni u realizua pas urdhër-arrestit të dhënë nga Filippo Beatrice, një prej hetuesve të skandalit Calciopoli.
Hetimi lidhet me aktivitetin e klanit kamorrist rreth basteve në dy ndeshje të Serie B, ku në shënjestër është klubi i Avellinos. Bëhet fjalë për ndeshje të sezonit 2013’14, ku fillimisht Avellino fitoi 3-0 me Reggina-n.
Në materialet hetimore për atë sfidë janë regjistruar biseda telefonike ku thuhej “duhet të hamë tre qofte, e kemi barkun plot”. Ndeshja tjetër e hetuar është humbja 1-0 e Avellinos në fushën e Modenas, ku rezultati është paracaktuar nga klani Vanella Grassi.
Mes personave të hetuar janë edhe Francesco Millesi, kapiten i skuadrës së Avellinos dhe Armando Izzo, që aktualisht militon te Genoa në Serinë A dhe është grumbulluar nga Antonio Conte në përfaqësuesen italiane përpara startit të Euro 2016.
Për Armando Izzo-n akuzat e ngritura ishin një dush i ftohtë. Në kulmin e karrierës si futbollist dhe një alternativë për Italinë në Kampionatin Europian, tashmë lojtari duhet të sqarojë pozicionin e tij.
Sipas hetuesve, nëpërmjet futbollistëve që shërbenin si pika kontakti, bosi i klanit, Umberto Açurso dhe bashkëpunëtorët e tij krijonin lidhje me persona të tjerë. Kamorristët vinin në dispozicion shifra të konsiderueshme parash për të blerë lojtarët, në mënyrë që ata të ndikonin në rezultatin e ndeshjeve./SS