Ilir Daja jep dorëheqjen nga drejtimi i Tiranës. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi bardheblu që në faqen e tij zyrtare publikoi deklaratën e teknikut kryeqytetas nëpërmjet së cilës Daja bën të ditur se i ka komunikuar presidentit Halili dhe skuadrës dorëheqjen, duke kujtuar se në këtë mënyrë është duke mbajtur premtimin që kishte dhënë se nëse Tirana nuk do të kualifikohej në Europë do të bënte një akt të tillë. në deklaratën e tij trajneri 49 vjecar thekson se që kur mori drejtimin e bardhebluve kishte rënë dakord me presidentin për objektivin Europë i bindur se ky ishte një mision i realizueshëm por dëmtimet e shumta në mesin e sezonit kushtëzuan ecurinë e skuadrës.
Daja siguron se ka qenë i impenjuar maksimalisht dhe falënderon presidentin që i dha mundësinë për të drejtuar klubin më të titulluar në Shqipëri. Gjithsesi duhet pritur ende për të thënë se ky është fundi i aventurës së Ilir Dajës te Tirana.
Ishte vetë tekniku që deklaroi në fillim të muajit maj para ndeshjes me Flamurtarin se ai do të vinte në dispozicion dorëheqejen në rast se nuk arrinte objektivin dhe më pas i takonte Presidentit Halili që të vendoste nëse do ta pranonte dicka të tillë.
Topi tanimë kalon në fushën e Refik Halilit. Klubi në të kaluarën është shprehur publikisht për qëndrimin e trajnerit edhe pas këtij sezoni, ndërkohë që tekniku gëzon edhe simpatinë e tifozerisë bardheblu.