Martesat homoseksuale, ja deputetët që rreshtohen kundër legalizimit: Rrëzon familjen

17 Qershor 2016, 09:14Politika TEMA

Deputetët e parlamentit shqiptar duket se nuk janë të gatshëm të votojnë ndryshimin në Kushtetutë që lejon martesat brenda të njejtës gjini. Pothuajse në një zë, janë 13 deputetë ata të cilët deklarohen publikisht se një “mëny” e tillë është e rëndë për stomakun e shqiptarëve dhe nuk është e udhës që të përshpejtohet për një proces të tillë të martesave brenda të njejtës gjini kur shumë vendeve të Evropës me demokraci më të zhvilluar dhe më funksionale se sa Shqipëria ende nuk i kanë hapur rrugë një procesi të tillë. Deputetët që janë shprehur kundër martesave të së njejtës gjini në një formë apo tjetër të daklaruar publikisht janë Dashamir Shehi i LZHK, Namik Dokle i PS, Albina Deda e PD, Mesila Doda kryetare e grupit parlamentar të PDIU, Luçiano Boçi i PD, Fatmir Toçi i PS, Vangjel Tavo i LSI, Mimoza Hajdarmataj e PD, Anduel Xhindi i PS, Mirela Ferracaku e PKD, Genc Ruli i PD, Ylli Shehu i LSI dhe Dashamir Tahiri i PDIU. Ata janë shprehur tani, teksa Kushtetuta e Shqipërisë pritet të ndryshojë në disa nene për të bërë të mundur reformën në drejtësi, e bashkë me të po bëhet edhe një ndryshim, në dukje i parëndësishëm, por që ka ndezur debatin mes deputetëve dhe shoqërisë civile. Bëhet fjalë për nenin Neni 18, paragrafi 2, ndryshohet duke shtuar si arsye për të mos u diskriminuar edhe “orientimin seksual”.

“2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, identiteti gjinor, orientimi seksual, gjendja ekonomike, pasurore, arsimore, origjina shoqërore, lindja, aftësia e kufizuar, përkatësia shoqërore ose prindërore”-thuhet në riformulimin e këtij neni sipas draftit të miratuar në komisionin parlamentar për reformën në drejtësi. Pikërisht kjo shtesë, i jep të drejtë komunitetit LGBT të kërkojë ndryshim në Kodin e Familjes e më tej liberalizimin e martesave mes këtij komuniteti.

Teksa votimi i paketës kushtetuese për drejtësinë, përfshi edhe këtë nen kundër diskriminimit është e afërt, deputetët janë rreshtuar kundër votimit të këtij neni. Ata e kanë shprehur kundërshtinë dhe argumentet e tyre përmes prononcimeve për “Shqiptarja.com.

“Unë jam kundër këtij neni dhe nuk kam ndërmend ta votoj, sepse e gjykoj jo si një akt kundër këtyre zonjave dhe zotërinjve, por si një vendim prematurë për një shoqëri si e jona, e cila ka shumë probleme për marrëdhëniet e seksit. Ka nevojë të emancipohet dhe të liberalizohet për shumë e shumë kohë të tjera. Nuk ka këtë problem sot për sot shoqëria jonë. Ky është një numër shumë i vogël interesi. Ne kemi hall të çlirojmë me mijëra djem dhe vajza të qyteteve dhe fshatrave tona që akoma s’dinë asgjë për mundësitë e veta të seksit, që kanë vështirësi në marrëdhënie, me mijëra vajza që s’martohen. Kjo shoqëri është shumë e mbingarkuar nga probleme të kësaj kategorie, sidomos në 20 vitet e fundit edhe si pasojë e emigracionit.

Kështu që, të merremi me kaq seriozitet të madh, të ndërhyjmë në Kushtetutë, për të tilla tema gjykoj që është prematurë dhe jo serioze për një shtet serioz. Ndërkombëtarët e kërkojnë sepse ata e kanë në vendet e tyre. Por ndërkombëtarët janë 200 vjet para nesh. Ata i kanë të ardhurat nga 30 mijë euro për frymë, ne i kemi 4 mijë euro. Ndërkombëtarët kanë shkallë arsimimi të lartë, kanë nivel demokracie dhe nivel emancipimi shoqëror shumë të lartë. Për ndërkombëtarët seksi nuk është me tabu, as divorci nuk është më tabu. Janë dy botë të pakrahasueshme”, shprehet Dashamir Shehi, kryetar dhe deputet i LZHK.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje