Historia e vajzës që u shfrytëzua si prostitutë, por hodhi dhimbjen pas dhe vijon universitetin

30 Qershor 2016, 21:50Sociale TEMA

Në Shqipëri autoritetet dhe organizatat joqeveritare po i shtojnë përpjekjet për të goditur trafikimin e qenieve njerëzore, sidomos trafikimin e vajzave për shfrytëzim prostitucioni.

Vitin e kaluar numri i vajzave të mbrojtura nga këto trafiqe është rreth 107 vetë.

Ky nuk është as zëri dhe as emri i vërtetë i Stelës, por dramat e jetës së saj janë sa të vërteta aq edhe tronditëse.

Ajo është vetëm afro 20 vjeç, por dhimbjet dhe traumat në jetën e saj janë të jashtëzakonshme. Qysh e mitur ajo u trafikua disa vjet më parë për shfrytëzim prostitucioni jashtë vendit.

Personat që e trafikuan jashtë Shqipërisë për ta shfrytëzuar seksualisht u arrestuan dhe ajo pati guximin ti denonconte dhe të dëshmonte kundër tyre.

Tashmë ajo është pjesë e programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit që zbaton në Shqipëri organizata “Të ndryshëm dhe të barabartë”.

Stela po merr një ndihmë afatgjatë e të kualifikuar për të tejkaluar traumat.

Ajo ka arritur të mbyllë me sukses shkollën e mesme dhe tani sapo ka filluar studimet e larta në Universitetin e Tiranës.

Ajo dhe prindërit që e mirëpritën në familje pas trafikimit nuk kanë shumë dëshirë të japin detaje nga jeta e saj tronditëse, përpiqen ta harrojnë atë të kaluar të hidhur, duke shpresuar që vajza e tyre të rehabilitohet sa më parë.

Stela është vetëm njëra nga 107 vajza dhe gra të trafikuara, për të cilat kujdesen koalicioni i Strehëzave dhe Qendra shtetërore e Rehabilitimit.

Drejtuesi i organizatës “Tjetër vizion”, Arjan Çala, thotë se dy vitet e fundit niveli i trafikimit dhe i krimeve të kësaj fushe ka mbetur i njëjtë, por janë shtuar masat mbrojtëse dhe rehabilituese për viktimat.

Ai thotë se administrata shtetërore, policia dhe donatorët e huaj po kujdesen më shumë për kthimin e këtyre vajzave në familje, strehimin dhe punësimin e tyre.

Rrjeti i qendrave struhuese mbulon të gjithë territorin e Shqipërisë. Qendra Psikosociale “Vatra” në Vlorë, ngriti të parën strehëzë për vajzat e trafikuara që në vitin 1997.

Një nga koordinatoret e saj, Entela Avdulaj, tha se qendra i mbron vajzat nga kërcënimet e trafikantëve dhe i jep ndihma të tjera ligjore, ekonomike deri në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre të plotë.

Ajo shton se në përgjithësi profili i këtyre vajzave është i vështirë për t’u trajtuar, sepse ato vijnë nga zona rurale, të varfra, pa edukim dhe shkollim të përshtatshëm, ku mbizotërojnë mendësi të vjetra.

Trafikimi i vajzave dhe i grave për shfrytëzim prostitucioni është një dukuri e pandarë në shoqërinë shqiptare gjatë gjithë viteve të tranzicionit.

Autoritetet kanë ngritur struktura të posaçme për strehimin dhe mbrojtjen e tyre.

Megjithatë veprimtarët e të drejtave të njeriut pohojnë se gjykimet dhe denimet e trafikantëve nuk ecin në të njëjtin ritëm me integrimin e viktimave.

Gjyqet e tyre shpesh zvarriten, ato nuk kalojnë tek krimet e rënda ndërsa prokuroritë dhe gjykatat e rretheve japin për ta dënime të vonuara dhe të pakta. /VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje