Medalje dhe rekord nga Luiza Gega! Shpallet nënkampione e Europës në 3000 metra me pengesa

10 Korrik 2016, 17:56Sport TEMA

Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur sot nënkampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, duke marrë medaljen e argjendit, në Europianin e atletikës që po zhvillohet në Amsterdam të Holandës.

Një paraqitje e shkëllqyer e atletes shqiptare, që dueloi deri në xhiron e fundit për të artën, që e mori atletja gjermane Gesa Krause. Kjo është medalja e parë e atletikës shqiptare në një Europian, e arritur nga një kampione e padiskutueshme e atletikës shqiptare si Luiza Gega, ikona e atletikës shqiptare prej vitesh, e kualifikuar edhe në “Rio 2016”…

Përveç medaljes së argjendit, Gega vendosi edhe rekord të ri shqiptar në këtë disiplinë, 9’28″52, duke përmirësuar kohën që mbante vetë atletja kuqezi (9’32″58). Gara e Gegës ishte fantastike, duke qenë gjithnjë në krye, në një duel të fortë me rivalen gjermane, e cila arrin të shkëputet vetëm në 400 metrat e fundit dhe fiton me kohën 9’18”85.

Gjithsesi, atletja shtatshkurtër shqiptare nuk e ka ulur ritmin për asnjë moment, duke garuar fort deri në finish dhe në fund renditet e dyta, me 10 sekonda pas gjermanes. Ndërsa e treta renditet turkja Ozlem Kaya, me 9’35”05, por festa është vetëm për Gegën, e cila ngjitet në podiumin e Europianit.

Lot gëzimi, të merituara për atleten shqiptare, që pas garës ulet në gjunjë me grushtet lart, pasi arriti një rezultat që askush në atletikën shqiptare nuk e kishte realizuar deri më sot (në bateritë eliminatore kishte dhënë kohën më të mirë). Pas dy medaljeve të marra vjet në Olimpiadën Europiane të Bakusë, sot Gega i shtoi koleksionit të saj edhe një tjetër të argjendtë në Europian, një rezultat fantastik për të dhe atletikën shqiptare.

Dhe ndoshta, pas një muaji, në Olimpiadën e Rios do të vendosë në gjoks edhe medaljen më të rëndësishme, atë olimpike (do të mbajë edhe flamurin në ceremoninë e hapjes). Kjo falë një pune të shkëlqyer që atletja ka bërë për vite me radhë, nën guidën e suksesshme të trajnerit Taulant Stërmasi./Telesport

6 komente në “Medalje dhe rekord nga Luiza Gega! Shpallet nënkampione e Europës në 3000 metra me pengesa”

  1. Prudentino says:

    Pasaporta diplomatike neser ne kryeministri.

    1. Flamur says:

      Jo vetëm ajo por dhe trajneri e masazhatori, …të tërë me pasaporta diplomatike ?

  2. Shushica says:

    Sportiste e shkëlqyer e nivelit botĕror.Tunduni ju burokratë sepse atletika është mbretëresha e sporteve.Dhe prodhuesit shqiptarë ta shfrytëzojnë për prodhimet e tyre ,ndërkohë nxitet rinia drejt sporteve cilësorē .

  3. mirel says:

    Shqiperine e nderojne cikat. Bravo dhe suksese

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje