Destinacioni i kësaj vere është shtëpia jote!

25 Korrik 2016, 12:48Kulturë TEMA

Nga Rudina Xhunga

Tani që reforma në drejtësi kaloi, ajo çfarë ka më shumë nevojë Shqipëria që të ndodhë, më pas, është një reformë tjetër. Ajo për turizmin. Nëse ka drejtësi në Shqipëri, kjo do të sillte zhvillim, por reforma në turizëm do të prodhonte edhe më shumë zhvillim dhe mirëqënie.

Mundësia e vetme e Shqipërisë për industri, është industria e turizmit dhe për bujqësinë, agroturizmi. Mjafton të shohësh Malin e Zi, Greqinë dhe bindesh se nuk kemi asgjë më pak, përkundrazi nëse reformojmë idetë dhe angazhimin për turizmin, mund të jemi konkurrues në rajon dhe të bëhemi destinacion nga më të preferuarit. Shqipëria ka gjithçka mund të dëshirojë një tokë të ketë, ka potencial dhe treg. Sikur vetëm shqiptarë nga trojet të kemi turistë, ne ia dalim të mëkëmbim një mundësi të artë zhvillimi per vendin, siç ështe turizmi.

Nuk di nga ta nis e ku ta mbyll, duke thënë çfarë mund të bëjë shteti, ndaj nuk po jap mend. Por besoj se e para është fjala.

Ajo që mund të bënin rrjetet sociale dhe personat me ndikim në to, këtë verë është tregimi i kësaj parajse vend e pëllëmbë, pa komplekse se të pushosh në Shqipëri do të thotë se nuk ke para dhe të vesh në Turqi, është in. Në të vërtetë, të jesh person publik dhe të ndash me ndjekësit në instagram foto pushimesh në Turqi, këto muaj, ka më shumë mundësi të kesh hotelin falas nga agjencitë në Tiranë. Pasi pak shanse ka të kesh shkuar në Turqi, se janë ulur çmimet, apo se nuk ke frikë nga situata prodhuar nga çfarë sapo ka ndodhur në këtë vend. Agjencitë bëjnë punën e vet dhe nuk di nëse Ministria e Turizmit mund të kërkonte prej tyre, në mënyrë të kujdesshme të bënin më shumë kujdes me ofertat e këtij sezoni me gjendje të jashtëzakonshme në Turqi, pasi ky është treg i lirë dhe çdokush merr përsipër vetë rreziqet, por Turqia, megjithatë, nuk ngjan të jetë destinacioni më i mire për shqiptarët, pavarësisht nga fotot e vipave dhe ftesa e agjencive turistike.

Destinacioni i kësaj vere të paqartë, dhe plot lajme, është shtëpia jote. Jo për frikë, por për siguri, jo për patriotizëm, por për dashuri.

Shqiptarët e Kosovës e dinë më mirë nga ne, se destinacioni i kësaj vere është Shqipëria, me Valbonën dhe Thethin, Sarandën dhe Vlorën, Korçën dhe Shëngjinin, Divjakën dhe Gjirokastrën, Ersekën dhe Tushemishtin. Nuk është gati siç do të donim, diku ende punohet, diku shkatërrohet, diku është shtrenjtë, diku është pis, diku s’ka rrugë, diku s’ka ujë, por do e gjesh  një dhomë, një çadër, një tryezë, një njeri që do të të bëjë vend e që do të të lërë pa mend.

Unë që shkruaj, e kam shëtitur të gjithën këtë verë, nga Tropoja në Rehovë. Sonte në Dritare, në Vizion Plus, do të tregoj për një fshat që nuk duhet humbur pa e parë, një ushqim që nuk duhet lënë pa ngrënë, një plazh që nuk duhet lënë pa shkuar. Këte do të bëj edhe të hënen tjetër, do të tregoj një tjetër destinacion si Semani që për kë nuk e njeh kujton se është kanal, ndaj duan ta kthejne në grumbullim plehrash atë zonë. Por jo, është det dhe rërë, është ushqim dhe mundësi zhvillimi i Myzeqesë, hambarit të Shqipërisë. E kam parë, ndaj e di dhe e them pa drojë, që Shqipëria këtë verë është më e bukur dhe do të jete më plot. Aq plot sa do të habiteni kur të dëgjoni sa erdhen e sa dolën, nga këta kufij, ku e kanë kuptuar se nuk bën dot pa ndryshuar, pa u përmirësuar, pa rregulluar detajet, pa u bërë nga e para.

Dhe kjo sepse secili operator turizimi, familjar apo masiv po e bën reformën e vet. Ajo që pritet është reforma e përbashkët e shtetit me shqiptarët, për turizmin e viteve që do të vijnë./dritare.net

7 komente në “Destinacioni i kësaj vere është shtëpia jote!”

  1. Altin says:

    Shume bukur Rudina, por sikur ti kishe permendur ne kete shkrim edhe Vermoshin dhe Velipojen nuk do beje ndonje mekat.

    1. Albatros says:

      Tu4iz.i eshte shkaterrim per nje vend.Shikoje Greqine si perfundoi duke u varur nga lemoshat e turisteve.Pa industri dhe bujqesi te rte apo infrastrukture nje vend si i yni eshte i vdekur.Flora dhe fauna do shkatwrrohen nga mbipopullimi i vizitoreve.Lloj lloj kriminelesh dhe njerez me semundje infektive apo Aids.Lloj lloj pedofilesh.Turizmi eshte rremuje dhe kur nuk duhet t3 vleresohet si bqze ekonomie

  2. katarakti says:

    Shqiperia si vend eshte ndoshta nga me te bukurit ne Europe. Dhe une qe shkruaj keto rreshta e kam shetitur gjere e gjate Europen. Por Shqiperia ka nje te keqe te madhe: shqiptaret. Pra banoret e saj. Ne nuk kemi kulture turizmi, na mungon ne pergjithesi thellesisht civilizimi. Infrastruktura eshte zero. Sjellja e kulturuar edhe me keq. Jemi dembela dhe kokeperpjete njekohesisht. E kemi per turp punen. Na pelqen te bejme patriotin dhe politikanin ne kafene, por kurrsesi te shtrojme kurrizin. Shqiperia do te ishte bere vertet si Zvicra, sikur te ishin zviceranet qe te banonin ketu. Ja nje shembull: Ne vitet 1960, kur i kishim raportet mire me ish_Bashkimin Sovjetik, çeket qe si edhe anetaret e tjere te kampit socialist, vinin per te kaluar pushimet ne Durres dhe Vlore, kishin rene ne dashuri me bragdetin jonian. Kur pane Llogorane, aq prane Dhermiut, u lujti truni dhe i propozuan qeverise shqiptare te asaj kohe te ndertonin nje teleferik nga Llogoraja ne plazhin e Dhermiut. Ideja ishte qe diten ta kalonin ne plazh dhe naten ne freskine e Llogorase. Por ne ate kohe marredheniet me kampin sovjetik u prishen. Projekti u la ne harrese. Por edhe gjate ketyre 25 vjeteve shkerdhatokraci a u kujtua ndonje qeveri qe te ndertonte kete teleferik bashke me ndonje hotel me 5 yje ne Llogora, ku çmimi mund te arrije pa frike 500 euro/nata?! Askush. Qeveritaret e sotem, dhe me shume ata te djeshmit, njelloj si gjyqtaret, deputetet etj etj, e kane mendjen te vjedhin sa me shume. Askush nuk mendon per vendin. Prandaj e dashur Rudina, sfumoje pak ate entuziazmin tend per Shqiperine turistike. Nuk mund te kete turizem mes plehrave dhe egersise. Kur te behet Shqiperia shtet si duhet, ne te gjitha drejtimet dhe fushat, atehere do behet edhe turizmi. Te shpresojme se me reformen ne drejtesi eshte hedhur hapi i pare ne kete drejtim. Nese kjo reforme do te deshmoje se ata qe jane pasuruar padrejtesisht, qe kane shitur detin, qe kane vrare ne Gerdec dhe bulevard, do perfundojne me te vertete ne burg.

  3. Ks says:

    Unë mund të shkoj gjithkund për pushime por Shqipërinë nuk e ndërroj.

  4. emiljano says:

    ik o rudi futi nej tas llall mjaft na hape barkun me patriotizem folklorik. me mire iki i harxhoj leket ne kroaci apo korfuz dhe trajtohem si njeri sesa te duroj katnarin hundperpjete te vlores apo himares. me mire shtrenjte jashte sesa lire e per hall brenda.

  5. ledia says:

    Dje isha ne Voskopoje…turp…dhoma pis…ushqim mizerje…sherbim i ndyre…dhe asgje per te pare…me gjithe respektin Z.Rudina…jemi shume larg…ne nuk e duam punen.

  6. ledia says:

    Dje isha ne Voskopoje…nuk e prisja por zhgenjim i madh…dhoma pis…ushqim mizerje…sherbim i turpshem…dhe asgje per te pare…te lutem Rudina…ju jeni personazh publik dhe sigurisht merni me te miren…por nuk eshte keshtu per te gjithe.Te perpiqemi te flasim me kembe ne toke se mezi i mbledhim ne te thjeshtet leket per te shkuar diku dhe pastaj themi se eshte me mire te rime ne shpi…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje