Gjermania-vendi që nuk i “do” refugjatët

7 Gusht 2016, 20:05Blog TEMA
Gjermania-vendi që nuk i “do” refugjatët

 

Prof. Asoc. Gafur MUKA

Në afërsi të stacionit qendror hekurudhor të Mynihut po prisnim autobuzin e linjës “Mynih-Prishtinë”. Tok me ne prisnin edhe plot të tjerë ku binin në sy veçanërisht fëmijët e moshës 7 deri në 15 vjeç. Në kohëpritjen, siç e kanë zakon fëmijët, ata flisnin e loznin me njëri tjetrin. Ajo që na bëri përshtypje ishte fakti se me njëri tjetrin flisnin gjermanisht. Flisnin një gjermanishte shumë të mirë sa mendoje se kishin lindur atje. Edhe pse të zhurmshëm dhe nganjëherë me lëvizje e tone jo fort të pranueshme, e ke vështirë të mos i ndjekësh. Fëmijët e kanë magjinë e të të bërit për vete. Nuk kaloi shumë kohë dhe autobuzi erdhi. Pasi sistemuam  bagazhet u ulëm në vendet tona. Duke parë udhëtarët e tjerë, ndonjëherë edhe me interesin për të gjetur ndonjë të njohur, përsëri binte në sy numri i madh i fëmijve. Ata shoqëroheshin nga prindër, por fakti që kosovarët kanë familje të mëdha, dukej që mazhoranca u takonte fëmijve. Autobuzi nisi rrugën, ndërkohë që bisedat e fëmijve nuk reshtën. Përkundrazi ato flisnin me zë të lartë dhe bisedat e tyre, të gjitha në gjermanisht, dëgjoheshin e kuptoheshin edhe nga ne të tjerët. Vetëm kur komunikonin me prindët flisnin shqip, por edhe shqipja e tyre, dialektore natyrsiht, ishte shumë e mirë. Ndërkohë para nesh, një vajzë e vogël, rreth 8 vjeç kishte hapur librin “Deutsch& Mathe” (gjermanisht dhe matematikë). Nga pozicioni ku ndodhesha e shihja fare qartë çfarë ajo lexonte dhe çfarë përgjigje jepte për ushtrimet e tekstit. Më bënë përshtypje përgjigjet e sakta. Ajo vazhdoi për një farë kohe dhe pastaj e mbylli librin. Kurioz, doja të dija diçka rreth saj. E pyeta në shqip për emrin dhe u përgjigj: unë quhem Donjeta. -Paske emër të bukur- i thashë. Ajo puliti sytë dhe buzëqeshi duke shikuar nga e ëma. –Ke lindur këtu në Gjermani, ti Donjeta- e pyeta. Jo-u përgjigj ajo. Unë kam lindur në Suharekë. –Po ke shumë vite që banon në Gjermani-vazhdova unë. Jo kam vetëm dy vite këtu. -Dhe ke mësuar kaq mirë gjermanisht?!. Ajo përsëri puliti sytë dhe buzëqeshi duke shikuar nga e ëma. Në këtë moment hyri në bisedë nëna e saj. Ajo na tregoi që kishin tash dy vite në Gjermani dhe po ktheheshin në vendlindje, pasi fëmijët kishin filluar pushimet e shkollës. Pasi biseduam një copë herë për Suharekën dhe Kosovën, unë pa dashur ta lëndoja e pyeta për statusin me të cilin qëndronin në Gjermani. Ajo më tha që po prisnin të merrnin statusin e refugjatit por, për këtë, asaj dhe të shoqit iu duhej të jepnin provimin e gjermanishtes. –Ne e kemi ca të vështirë, por po i bëjmë të gjitha përpjekjet- tha ajo- ama fëmijët e kanë mësuar shumë mirë dhe ne përpiqemi përditë të mësojmë prej tyre. Shteti gjerman na i ka krijuar të gjitha kushtet. Për fëmijët po e po, por edhe ne vazhdojmë kurse intensive. Duhet me e ditë gjermanishten-vazhdoi më tej- pasi ndryshe nuk integrohesh dot. Unë dhe im shoq kemi punuar në shëndetsi në Suharekë dhe profesionet tona janë të kërkuara në Gjermani, prandaj i jemi përveshur mësimit të gjermanishtes. Shpresojmë t’ia dalim mbanë- përfundoi ajo. Ne i uruam suksese dhe shprehëm bindjen se me siguri do t’ia dilnin mbanë. Këtu përfundoi kjo bisedë, ndërkohë që na erdhi në mend gjithë ai numër i madh refugjatësh që ka pritur Gjermania këto dy-tri vitet e fundit. Gjatë një vizite në Gjermani e konstaton menjëherë që vërtet numri është rritur mjaft. Pa çfarë masash po merr Gjermania që ato të integrohen në ambientin social e ekonomik gjerman. Në tërësi këto masa lidhen me një integrim sa më të shpejtë duke u vënë në dispozicion gjithë infrastrukturën që duhet për mësimin e gjuhës dhe kualifikimi profesional. Këto ditë shtypi gjerman njoftonte për rritjen e numrit të kopshteve e çerdheve si dhe shtimin e punonjësve të tyre, në mënyrë që fëmijët e refugjatëve t’i frekuentonin pa probleme ato. Po kështu edhe për shkollat bazë. Këto masa pasohen edhe me ngritjen dhe funksionimin e kurseve intesive të gjuhës dhe kurseve të formimit sa më të shpejtë profesional të prindërve. Duket qartë që të gjitha këto masa merren për të mos patur për shumë kohë refugjatë, në kuptimin klasik të fjalës, por njerëz të integruar, që nesër pasnesër të jenë me vlerë edhe për Gjermaninë por edhe për vendet e tyre. Natyrisht, për t’i arritur këto standarte nuk mjaftojnë vetëm masat që merr shteti gjerman, por duhet që edhe refugjatët të angazhohen seriozisht në përdorimin sa më me eficencë të tyre. Ata, të cilët presin vetëm gojëhapur, i humbasin shanset për të realizuar, së pari, vetveten dhe pastaj edhe për tu bërë sa më të dobishëm për vendin pritës e, në perspektivë, pse jo, për vendet e tyre. Gjermania vërtet i pret këta refugjatë, por ajo nuk do që ata të mbeten të tillë. Jo më kot principi bazë i ndihmës gjermane është: “Hilfe zur Selbsthilfe” (ndihmë për t’u bërë i zoti të ndihmosh vetveten). Fëmijët, që ne takuam në autobuz, ishin në rrugë të mbarë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje