A mjafton të jesh vetëm artist i madh?!

4 Gusht 2016, 20:13Blog TEMA

Nga Jonida Hitoveizi 

Lajmi për dorëheqjen e Drejtorit të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni mori gjithë vëmendjen mediatike të këtyre ditëve, me reagime të shumta se ikja e tij nuk ishte e drejtë dhe se në njëfarë mënyre “ai qe detyruar të largohej”. Arsyet e “braktisjes”së detyrës nga Kerni mbeten ende të paqarta, megjithatë shumica e komenteve të bëra, kryesisht janë fokusuar tek fakti që një artist i madh, nuk duhet lënë të iki nga drejtimi i një institucioni si opera; edhe sikur ky artist i madh, në fakt të qëllojë një drejtor jo aq i mirë?!

Ky është problemi që në fakt askush nuk e prek sa herë ndodhin qoftë emërime, qoftë shkarkime, qoftë edhe dorëheqje si kjo e Ilir Kernit. Në vendin dhe në median tonë, mungojnë thuajse fare analiza të tilla apo investigime se çfarë ka ndodhur vërtetë. Kjo i ka kthyer të gjithë në tifoz dhe gjithçka në emocione personale apo mosreagim po për njohje personale. Këtu nuk i referohem vetëm rastit të Ilir Kernit, i cili është vërtetë një balerin i çmuar i yni dhe kjo është një vlerë që as nuk ia shton dhe as nuk ia heq dot, çfarëdolloj gjëje që ne mund të themi për të si drejtor. Por gjërat duhet të mësojmë t’i ndajmë.

Kerni duke renditur disa nga arritjet e tij para se largimi të bëhej publik, shkruan se puna e tij ka qenë heroike në Opera pasi mesatarish një shfaqje ka pasur buxhet prej rreth 600 eurosh. Një rekord për Guinness siç e quan ai, ndërsa minimalisht rezulton, që vetëm kostumografi dhe skenografi në një produksion në TKOB të paguhen ( ose janë paguar) të paktën 70.000 lekë të reja. Por edhe nëse kjo është e vërtetë; përse drejtori i Operas nuk e ka ngritur zërin më herët, por ka pritur pikërisht ditën e largimit për të na treguar buxhetin e ulët me të cilin ka punuar për 3 vite. Në statusin e tij të lamtumirës Kerni fokusohet thuajse vetëm tek buxheti dhe tek artistët e famshëm shqiptarë që kanë qenë pjesë e shfaqjeve të ndryshme, të cilët për hir të së vërtetës përherë kanë ardhur duke performuar falas për publikun shqiptar, si Pirgu, si Ermonela Jaho e shumë të tjerë. Dhe kjo nuk mund të quhet një arritje e këtij institucioni nën drejtimin e tij.

Hijet e këtij largimi shtohen edhe më pas lajmit të publikuar nga kolegët e revistës Java, se në fakt për Kernin ishte firmosur largimi nga qeveria para se ai të shpallte dorëheqjen. Po sipas burimeve, që konfirmojnë edhe për Pasqyre. al kjo ka qenë e vërtetë dhe kjo për shkak të disa shkeljeve të ndodhura në institucion gjatë drejtimit të tij. Shkelje, të cilat nëse janë të dokumentuara do të ishte mirë të bëheshin të ditura, në mënyrë që publiku, por edhe artistët të kenë një ide se çfarë ka ndodhur dhe nëse largimi i Kernit është me të vërtetë zgjidhja më e mirë apo është një krim që po bën Ministrja e Kulturës, ndaj TKOB-it dhe ndaj aftësive drejtuese të Kernit. Dikush duhet ta sqarojë publikun, pasi është e vështirë të bazohesh vetëm mbi simpatinë ndaj Kernit si balerin i famshëm, apo të bazohesh mbi deklarime publike që vijnë më së shumti për inate ndaj ministres Kumbaro.

Nuk është hera e parë dhe duket se nuk do të jetë as e fundit për pritshmëritë e larta që ne kemi ndaj njerëzve të talentuar në fusha të caktuara, se ata mund të jenë të talentuar të bëjnë gjithçka. Dhe po ashtu është fakt, që kur kemi vendosur në krye të insittucioneve artistë gjërat kanë shkuar keq: ose ka pasur konflikte, ose janë transmetuar mëritë dhe inatet personale, ose artistët të cilët e kanë jo pak të zhvilluar egon, mendojnë se gjithçka ata bëjnë është më e mira etj. Pra kanë dështuar në rolin e të qenit menaxher të mirë. P.sh ne kemi në krye të Teatrit Kombetar një regjisor të mirë si Hervin Çuli, i cili ka qejf t’i bëjë vet të gjitha, edhe aktorin, edhe regjisorin, edhe drejtorin edhe rojen siç ndodhi vjet. Pa harruar këtu të shtojmë se drejtorët kur vijnë tërësisht nga mjedisi shqiptar;(pra jo ata që kanë jetuar jashtë) kanë dhe ca inate të vjetra, të cilat kujtohen t’i lajnë me kolegët kur kanë pak pushtet si drejtorë.

Ne jemi mësuar që shpesh të nderojmë emra vetëm për shkak të famës, por jo punën e tyre drejtuese. Askund nuk është e shkruar apo e thënë që një artist i mirë, aktor, balerin, soprano, tenor;apo gazetarë;etj mund të jetë po aq i talentuar sa të mirëmenaxhojë një institucion të tërë. Vetëm në Shqipëri dëgjon dhe sheh çudira të këtij lloji, të cilat nuk i kemi të pakta sidomos në fushën e artit, ku shpesh profili artistik nuk përputhet fare me profilin si drejtues. Ndoshta është koha që në krye të institucioneve si opera ose teatri të zgjidhen drejtues që vijnë nga fusha të ndryshe për të menaxhuar institucionin, ndërsa të ketë drejtues artistik të posaçëm, të cilët merren me gjithë detajet që kërkon, opera, baleti, drama apo komedia, pra ato që do skena. Ndoshta nuk duhet të kërkojmë kaq shumë nga artistët. Ndoshta duhet të mjaftohemi tu japim atë që meritojnë si profesionistë në fushat e tyre, vlerësim, mirënjohje, por jo tu vëmë përsipër barrën e të qenit drejtor, sepse kjo nuk është hera e parë që ata dështojnë apo drejtojnë keq dhe ne na mbetet veç të hamendësojmë se çfarë ka ndodhur. Dhe kur nuk dimë asgjë kthehemi tek simpatia jonë për dikë si aktor apo balerin.

Ashtu siç ndodhi edhe me dorëheqjen e Kernit, e cila duket se do të mbetet një hije e pandriçuar nga dielli i fakteve.

8 komente në “A mjafton të jesh vetëm artist i madh?!”

  1. Artisti vjeter says:

    Po pse moj zonje, keta qe jane artiste,bile te medhenj sic po thua zotrote,nuk na bekan per drejtues te institucioneve artistike dhe ata qe mund te vikan nga fusha te tjera,psh fjala vjen zooteknik,inxhinier ,mesues kimie,pyjesh,gjeolog,financier e ku di une,mund ta bejne mire drejtorin e nje institucioni artistik?Nga nisesh ti qe hedh kete alternative?Mos ke bere ndonje studim?
    Megjithate, qe ta dish ti, ne institucione shkencore dhe artistike, vihen gjithmone drejtues te asaj fushe.Mund te ndodhe qe ndonjeri prej tyre edhe mund te mos jete drejtues shume i mire.Por kjo mundesi eshte shume e vogel.Ndersa alternativa jote eshte nje deshtim qe ne nisje.I sigurte.
    Institucionet tona artistike nuk vuajne nga paaftesia e drejtuesit qe eshte artist.Ato vuajne ne rradhe te pare nga buxhetet mjerane qe akordojne qeverite dhe nga menyra e funksionimit qe vazhdon te jete si ne kohen e socializmit.Qe do te thote:Nje tabor me njerez qe marrin roga,sigurisht te ulta,ku disa kokrra jane puntore e te talentuar,kurse pjesa dermuese te pa afte qe marrin rogen dhe merren me punra te tjera.
    E kur nje drejtor shkon qe ta reformoje institucionin,d.m.th ti jape ate qe i takon puntorit dhe ate qe i takon parazitit,fillon sulmi i “Aleances se te pa afteve”e cila eshte e pa thyeshme dhe ne fund gjithmone triumfon.
    Shikoji keto dy dite neper media, anonime te pa degjuar qe vegjetojne si produkt i menyres komuniste te organizimit te atij institucioni, se si e sulmojne te relaksuar Ilir Kernin.Jane te lumtur qe u largua.E quajne edhe komunist!I kerkojne llogari qe nuk kishte nje platforme.Medemek per ta ngritur TKOB ne nivele evropiane.Por harrojne se platformat e nje drejtuesi fillojne me seleksionimin e skuadres.Dhe pikerisht ketij seleksionimi keta te pa afte dhe medioker i kunderqendruan me greva,peticione e sulme ne media.I pa mbeshtetur dhe tradhetuar nga Ministria, Kerni ne ate institucion u ndodh si nje trainer i madh futbolli te cilin e marrin per ti nxjere kampione duke i premtuar mbeshtetje,por pastaj nuk e lene te bleje asnje lojtar dhe mos ndryshoje asgje ne skuader.Pastaj i kerkojne llogari pse nuk e nxori skuadren kampion!
    U zgjata pak me ty zonja artikullshkrues per te te dhene nje keshille.Kur te marresh lapsin e te shkruash,gjithmone shkruaj per ato gjera qe i njeh mire.Nga brenda e kisha fjalen.

    1. Ali Pipa says:

      O motra ne kete emer pallimi Jonida Hitoveizi, mos ke lindur gje ne Bursa, ti moj cupe? Po pse cfare duhet te besh me shume ne rastin konkret z. Ilir Kerni si drejtor i TOB qe vjedhjet i ben ministria dhe mjerimin ia le ne dere subjektit te artit apo kultures, apo te pjerdhesh sic bejne nje pjese e mire e atyre laraskave (shoqe te sojit tend) qe drejtojne rubrikat e kultures neper gazetat tona. Te fala sateme nga Aliu!

  2. aktori dixhital says:

    Ashtu eshte motra, nuk duhet Te jesh artist apo I edukuar dhe shkolluar jashte per Te qene drejtues, duhet Te jesh ose Tropojan ose Skraparlli pa shkolle ose me diplome kristali

  3. Ermiri says:

    E nderuar Jonida !
    Me shume te drejte, Ju shkruani qe nje artist i mire e i madh, jo doemos eshte dhe drejtues i mire, per me shume te drejtosh te vetmin teater operaja ne vendin tone.
    Ne fakt struktura e drejtimit e operas sot eshte e prapambetur dhe e para 90- tes.
    Teatrot e Operave ne Europe(shumica) ne vende si gjermania, Drejtori pervec se zgjidhet me konkures, ne te shumten e rasteve,eshte Dirigjenti i Operas, qe di realisht detajet e organizimit te shfaqeve dhe kalendarit artistik vjetor, dhe nderkohe Ai dirigjenti, kadhe pergjegjesine e cilesise artistike.
    Ndersa Opera e Tiranes, vazhdon modelin e para 90-tes, ku drejtorin e zgjedh ministria e kultures(me konkurs), dhe drejtori emeron nje tjeter drejtor artistik, dhe qe te dy ngaterrohen rruges.
    Europa i ka te njehesuara, drejtori i operas dhe drejtor artistik ne nje pozicion.
    Faleminderit !

  4. mirel says:

    Mjafton!?…!!!!
    Perkundrazi, nuk duhet te jete fare cilesi dhe kriter per emerim drejtorash.
    Artist i keq, po.
    Artist i vogel, po.
    Rrugac, drogaxhi-keshtu drejtohet qeveria apo jo?
    Ska nevoje te jesh profesionist per te qene perfeksonist, ja shikoni jevgun e gjirokastres we bridhte bulevardeve te Tiranes per te kapur ndonje turist dhe ndonje buce rrugesh..
    Sot drejton ekonomine e shtetit.
    Kriminele profesioniste. .keshtu po, shkon me se miri..shteti me drejtuesin.
    Dhe ju ankoheni pse erdhi Iliri pa platforme.
    Harroni qe platforme perkethehet buxhet.
    Dhe mendoni qe buxhetin tja kerkosh artistit piktor qe e rregullon ekonomine me ministrin sekser..

  5. goni says:

    Znj.Jonida,ndaj te njejtin mendim me Ju : njerezit kane talente dhe prirje te ndyshme,mund te jeshe artist,sportist,, mjek ing etj.me shume talent dhe mundet te te mungoj prirja per drejtim.organizim apo menaxhim.Tranieri I mire stervit boksierin kampion bote ,me gjithese tranieri nuk eshte kampion,ashtu si boksieri kampion nuk eshte e thene se eshte trainer I mire.Mendoj se zgjidhja me e mire , per drejtim ne nje fushe te caktuar ,duhet te behet brenda fushes,duke u nisur kush ka prirje dhe kush eshte me I perkushtuar per kete pune.

  6. Ermiri says:

    E nderuara Jonida !
    Me falni per rikthimin ne temen e drejtimit te operas se Tiranes.
    Ne pergjithesi, Ne ne Shqiperi komentet dhe opinionet i bejme pak me emocion, per me shume zhvleresues, per kedo qe merr nje pergjegjesi, ne cilindo institucion.
    Nderkohe, pervoja e Europes Perendimore, na e thjeshton fare kete zgjatje diskutimesh. Referojuni strukturave te Teatrove te Operave ne Kryeqytete, te medha ose te Vogla, dhe shihini me kujdes dhe vemendje Kriteret e Drejtuesve te Operave, si i zgjedhin, kush jane platformat vjetore e disa vjetore vizionare, qe Teatri i Operas te jete vertet Ajo qendra e kultures se larte, ne menaxhimin e jetes kulturore te nje qyteti.
    Operat Europiane,i jane referuar historise se krijimit dhe venies ne skene te operave, dhe me kohe kane arritur ne konkluzionet se, Nje Dirigjent i Afte, mundesisht personalitek ne fushen e operas, por qe zoteron aftesi te provuara menaxhimi e venie ne skene te operave, e drejton ne menyre te padiskutueshme shume here me mire se balerinet,koreografet,kengetaret, ndoshta ne disa raste edhe regjizore por sigurisht n dhe me pergjegjesira te barabarta me Dirigjentin.
    I qendroj kesaj teme, te Dirigjentit, se vertet aty fillon dhe mbaron nje shfaqe opere, dhe sigurisht dirigjenti do te mbeshtetet tek artistiet e talentuar dhe te afte per te bere punen.
    Pak fjale per Operan dhe Artistet e Tiranes.
    Opera e Tiranes, eshte e vetmja be shqiperi dhe duke mos u konkuruar nga nje tjeter, zoteron domenin e te berit vetem opera te “shkelqyera”.
    Shumica e njerezve qe punojne ne institucione artistike si opera, apo radio, universiteti i arteve apo banda i ushtrise, i kane dhene te drejte vetes te quhen artiste.
    Artiste nenpunes shteti, qe cv e aktiviteteve artistike eshte ne nivel gjynah, pak me mire se amatoret qe punojne me pasion, nderkohe qe e dine shume mire qe artistet Ata te vertetet(si Ilir kerni), punojne dhe sakrifikojne per artin.
    Ndersa keta trimat e tjere te artit, duan vetem leke, dhe sa me te paafte qe jane, aq me shume leke kerkojne.
    Shkurt, edhe Opera e Tiranes ka nevoje per reforme, qe te perqaset me simotrat e europes, ne cdo konktekst, ekonomik, psikologjik, strukturor e shoqeror, ne menyre qe te jete edhe me shume terheqes per popullin e Tiranes dhe te shqiperise.
    Edhe nje here shume faleminderit !

  7. Hodo says:

    Gjate tre vjeteve te fundit a ke qene ndonjehere ne sallen e TOB per te pare ndonje koncert, opera apo balet…. o goce??????????????????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje