Niazi Jaho, ekspert i së Drejtës Publike
Shoqata e Mediave Elektronike (SHMESH) i ka kërkuar para disa kohësh Gjykatës Kushtetuese që të vendosë shpalljen të papajtueshme me Kushtetutën të përmbajtjes së paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit nr. 97, datë 04.03.2013 “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Pasi shqyrtoi çështjen, Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së mësipërme. Ndërsa para se sa të shprehem për këtë vendim, e nevojshme është t’i referohemi paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit përkatës ku thuhet: “Asnjë person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, nuk mund të ketë më shumë se 40 për qind të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionere që zotëron një liçencë kombëtare të transmetimit audioviziv”.
E studiova me vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese (me 56 paragrafe në 18 faqe), që e shfuqizon përmbajtjen e kësaj dispozite ligjore dhe të cilit i bashkëngjiten dy mendime paralele dhe një mendim pakice të anëtarëve të Gj. K.., pjesëmarrës në shqyrtimin e kësaj çështjeje. Nuk m’u duk bindës, ndonëse dihet që vendimet e këtij organi të rishikimit dhe interpretimit kushtetues janë të formës së prerë dhe të detyrueshëm për zbatim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Mirëpo, në këtë vështrim ka edhe diçka tjetër të rëndësishme: detyrimet pozitive i imponojnë shtetit që të miratojë një kuadër ligjor për të mbrojtur në mënyrë efikase të drejtat e njeriut, çka do të justifikonte edhe miratimin e paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit 97/2013. Cilat janë argumentet që dua të parashtroj këtu?
Së pari, Gjykata duke e quajtur kufizimin si mjetin më të ashpër, na bën të nënkuptojmë që ligjvënësi mund të legjitimohej nëse do të përdorte një mjet më pak të ashpër, ose më të butë. Ky është një term që nuk përdoret as në nenin 11 dhe as në atë 17 të Kushtetutës. Konkretisht, në nenin 11 thuhet: “Kufizime të lirisë të veprimtarisë ekonomike, mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike”. Ndërsa në nenin 17: “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e interesave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë”. Analizë dhe argumente në vendim për këto çështje nuk ka. Kufizimi që bëhet në paragrafin e tretë të nenit 62 të Ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” nuk cënon thelbin e të drejtave e lirive dhe as nuk tejkalon kufizimet në KEDNJ.
Së dyti, në rastin konkret mendoj që nuk ishte e nevojshme t’i paraqiteshin Gjykatës Kushtetuese studimet e bëra, që kanë kushtëzuar miratimin e paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit për mediat audiovizive. Megjithatë, Gjykata mund t’i kërkonte ato që në fazën e parë. Dhe pavarësisht nga kjo, subjekti i interesuar paraqiti para saj 9 argumente se përse ishte i nevojshëm ky kufizim. Nëse ato nuk mjaftonin, Gjykata mund të kërkonte analiza, përgjithësime, të dhëna statistikore, dokumente ndërkombëtare për Shqipërinë. Zoti V. Kristo në mendimin paralel të paktën thotë, se ato ishin alogjike dhe “shprehte habinë” (në këtë rast thonjzat janë të mijat) që shumica paskej “…rënë pre e prapsimeve…të subjektit të interesuar”.
Së treti, nuk do të ishte e rekomandueshme që ligjvënësit, qoftë edhe indirekt, “t’i tërhiqej vëmendja, se kështu ai ka vepruar edhe në çështje të tjera”, çka e ka detyruar Gjykatën që “të shfuqizojë normat ligjore”. Duke iu referuar shqyrtimit të çeshtjeve të tjera krijohet përshtypja se, deri në një farë mase, ky përfundim ka elemente subjektive, që shprehen në doza paragjykimi.