“Zgjedhjet janë afër dhe nuk shoh surpriza, por këtu janë blerë opinionistët"

20 Gusht 2016, 09:26Politika TEMA

Kreu i Frymës së Re Demokra tike, Bamir Topi në një intervistë dhënë për gazetën “Shekulli” nuk i sheh si të realizueshme ndryshimet në qeverinë “Rama”. Ai e lidh këtë me faktin se pas 10 muajsh do të mbahen zgjedhjet parlamentare, e për këtë fakt, ish­presidenti, pavarësisht debateve apo zërave që qarkullojnë, nuk sheh asnjë surprizë. “Këndvështrimi im rreth punës së qeverisë sigurisht që është i ndryshëm. Për ata që janë në qeveri gjithçka shkon më së miri. Për ata që janë në opozitë gjithçka shkon blozë. Për aleatët në qeveri sigurisht që prevalon interesi për të pasur sa më shumë pushtet që do t’i garantojë “të mirat” që burojnë nga pushteti. Për të tjerët që janë jashtë këtyre grupimeve interesi jetik është ai publik

Këtu çdo subjekt politik ka zërin e tij, por media duhet të bëjë skanerin dhe jo të dëgjojmë disa zëra opinionistësh që s’ka pikë dyshimi që janë blerë nga partitë politike që duan ta dominojnë publikun me zëra ‘të papërlyer’ me pushtetet. Sidoqoftë zgjedhjet politike janë pas 10 muajsh. Dhe sipas parashikimeve të mia muajt e mbetur nuk do të ofrojnë surpriza për ndryshime. Gjithçka që dëgjojmë është retorike politike. Me gjithë problemet në eficiencë apo marrëdhëniet brenda koalicionit, kjo qeveri do ta përfundojë inercinë e ecjes mes debateve dhe pakënaqësive që janë në treg”, shprehet ish­presidenti. Sa i përket reformës në drejtësi, kreu i FRD­së shprehet se nuk ka ndonjë alibi për të bllokuar apo ndaluar miratimin e 7 ligjeve.

Zoti Topi, votimi në unanim i Kushtetutës ishte një sinjal se reforma në drejtësi do të kryhej në kohë. Por vonesa e votimit të 7 projektligjeve të emergjencës po nxjerrë në pah probleme të reja që mund të krijojnë një ngërç të ri në procesin për reformimin e sistemit të drejtësisë? Si mendoni, mos kemi të bëjmë me tentativa për të shtyrë sa më shumë reformën?

Padyshim, miratimi i ndryshimeve kushtetuese, që i hapi rrugë rregullimeve ligjore për funksionimin e drejtësisë është një nga arritjet e spikatura të Kuvendit për të gjithë periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Sipas meje votimi unanim nuk përligj një vullnet politik në unison të partive, sesa një reagim të detyruar nga presioni publik dhe nga ndërkombëtarët veçanërisht. Për vazhdimësinë mendoj se ky proces është futur në shina dhe pavarësisht vonesës votimi i 7 ligjeve nuk do të bllokohet, pasi nuk do ketë alibi për të devijuar nga ky proces.

Si e cilësoni ju nenin 13 të projektligjit të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ku në një farë mënyrë penalizohen mediat?

Duket që ka një reflektim dhe një “mea culpa” nga ata që e kanë hartuar draftin. Unë mendoj se media e ka fituar këtë të drejtë dhe në aspektin formal e ka fituar betejën me politikën. Uroj që media në substancë të “shijojë” liritë dhe të dijë të çlirohet nga varësia reale nga interesat e politikës që kanë arritur ta fusin median nën kontroll. Përgjithësisht, me ndonjë përjashtim, media në Shqipëri noton në të njëjtat ujëra të turbullta me politikën ku shpesh interesat dominojnë interesin publik.

Mos votimi i projektligjit të “Vetting”­ut vuri në një pozitë të vështirë Presidentin e Republikës, i cili në shkelje të Kushtetutës nuk hodhi shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi? Si e komentoni ju, si ish­kreu i shtetit, qëndrimin e zotit Nishani? A Mund ta shkelte ai Kushtetutën?

Mendoj se ishte pozicionim i detyruar. Aty ku thyhet, Kushtetuta nuk ka legjitimim të aktit kushtetues. Sipas mendimit tim është një veprim i përligjur nga Presidenti, jo për ta deleguar pushtetin e tij tek kreu i Kuvendit, por në pamundësinë kushtetuese në funksion të kohës kur ende nuk është plotësuar kuadri ligjor që është kompleks. Është një moment ku nuk ka debat politik, pasi të gjitha palët janë koshiente për boshllëkun ligjor që për momentin ekziston.

Partia Demokratike ka shprehur rezerva për “Vetting”­un dhe SPAK­un dhe disa prej tyre janë pranuar nga EURALIUS­i dhe OPDAT­i? Është kjo një tentativë për ta shtyrë sa më shumë reformimin e sistemit të drejtësisë, apo për ta bërë atë më efektiv?

Nuk dëshiroj të futem në terma dhe logjikën juridike, por në parim nuk ka asgjë që ndalon grupet parlamentare të shprehin opsionet dhe objeksionet mbi një draft ligjor, pasi për atë punë janë, por në fund duhet të mësohemi me rregullin demokratik që gjithçka kalon me votë. Gjithsesi koha shumë shpejt do të qartësojë edhe dyshimet që ngrihen.

Cili është vlerësimi juaj mbi punën e deritanishme të qeverisë? Është hapur një debat mbi ndryshime të mundshme në kabinetin Rama. Madje dhe kreu i LSI­së, Meta është shprehur i hapur për përmirësime të qeverisjes. A mendoni se duhet të ketë ndryshime në qeveri?

Këndvështrimi im rreth punës së qeverisë sigurisht që është i ndryshëm. Për ata që janë në qeveri gjithçka shkon më së miri. Për ata që janë në opozitë gjithçka shkon blozë. Për aleatët në qeveri sigurisht që prevalon interesi për të pasur sa më shumë pushtet që do t’i garantojë “të mirat” që burojnë nga pushteti. Për të tjerët që janë jashtë këtyre grupimeve interesi jetik është ai publik. Këtu çdo subjekt politik ka zërin e tij, por media duhet të bëjë skanerin dhe jo të dëgjojmë disa zëra opinionistësh që s’ka pikë dyshimi që janë blerë nga partitë politike që duan ta dominojnë publikun me zëra “të papërlyer” me pushtetet. Sidoqoftë zgjedhjet politike janë pas 10 muajsh. Dhe sipas parashikimeve të mia muajt e mbetur nuk do të ofrojnë surpriza për ndryshime. Gjithçka që dëgjojmë është retorike politike. Me gjithë problemet në eficiencë apo marrëdhëniet brenda koalicionit, kjo qeveri do ta përfundojë inercinë e ecjes mes debateve dhe pakënaqësive që janë në treg.

Në zgjedhjet e pjesshme për kreun e bashkisë së Dibrës FRD­ja nuk kandidon. A do të vazhdojë partia e juaj që jetë në koalicion me PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Zgjedhjet jashtë radhe në Dibër erdhën në një kohë kur FRD­ja nuk ka mbajtur ndonjë pozicion të ri politik në funksion të administrimit të pushtetit vendor. Në këtë kontekst ne kemi respektuar ndjeshmërinë lokale të përfaqësuesve tanë, të cilët nuk kanë pasur ftesa për administrim të pushtetit në Dibër dhe as ftesë për ngjarjen e radhës. Sa i takon mundësive për koalicion për zgjedhjet politike e kemi kohën e mjaftueshme për të vlerësuar konjukturat dhe interesat politike të FRD­së, që mbetet një forcë politike e moderuar dhe me vullnet për të bashkëpunuar për Shqipërinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje