Opozita e drejtuar nga Lulzim Basha duket se nuk po gjen paqe me Reformën në Drejtësi dhe për pasojë nuk po ndjehet mirë as nga prezenca imponuese e ndërkombëtarëve për reformën.
Kështu, Partia Demokratike vijon kontestimet e saj për ligjin e Vettingut, të paketës së ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi.
Burime brenda selisë blu bëjnë të ditur se, PD do të sjellë në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi amendamentet e saj, pasi sipas PD-së, EURALIUS ka reflektuar vetëm mbi disa shqetësime thelbësore të ngritura nga PD-ja.
Ndërkohë ka nisur mbledhja e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, ashtu sikurse ishte paralajmëruar. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se po diskutohet projekt-ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
Gjatë mbledhjes, misioni i Bashkimit Evropian, Euralius, po prezanton projektligjin e rishikuar pas opinionit prej 55 faqesh të Partisë Demokratike.
Bëhet me dije se Partia Demokratike pretendon se është njohur vetëm mbrëmjen e shkuar për draftin ligjor dhe nga një vështrim i shkurtër, janë përgatitur opinionet për 25 nenet e para të pr/ligjit, për të cilat PD i ka dyfishuar në 47 nene.
Nenet në fjalë kanë të bëjnë me procedurat për emërimin e gjyqtarëve si dhe për nenet e përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve që do të bëjnë përzgjedhjen e gjyqtarëve.
Partia Demokratike në një far mënyre rrëzon komplet draftin e pr/ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve, duke propozuar thuajse një draft komplet të ri.
Mbrëmjen e shkuar, nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi dhe ekspertë të kësaj partie kanë zhvilluar një takim me ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS ku kanë diskutuar për draftin.
Ndërkohë, gjatë pasdites së sotme, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë për seancën plenare që do të miratojë ligjin në fjalë.
Vetëm pak ditë më parë u prezantuan komentet e EURALIUS mbi opinionin e PD për ligjin e Vettingut në Komsionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi.
Ekspertët e EURALIUS kanë publikuar rekomandimet e tyre për 10 propozimet e bëra nga Partia Demokratike, që kanë të bëjnë me ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Materiali që demokratët kishin paraqitur për këtë çështje ishte 55 faqe.
Pas votimit unanim në parlament të ndryshimeve kushtetutese ligji i parë i cili duhej kaluar në Kuvend ishte ai i Vettingut, për të cilin opozita solli në komision opinionin e saj.
Ndërkombëtarët kërkuan miratimin sa më parë të këtij ligji nga Kuvendi i Shqipërisë, mosmiratimi i të cilit ka futur në ngërç edhe ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Gjithe kjo zallamahi per hallin e nje njeriu. (SB)