«Neue Zürcher Zeitung»: Arroganca dhe korrupsioni i pushtetit e kanë fundosur Kosovën në krizë të thellë

1 Shtator 2016, 21:57Rajoni TEMA
«Neue Zürcher Zeitung»: Arroganca dhe korrupsioni i pushtetit e

Pas fjalosjes së shkurtër në Prishtinë është ndërprerë mbledhja e parlamentit për ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi. Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se munguan «rrethanat» për votim. Në fakt munguan dy të tretat e shumicës parlamentare për t’i dhënë formë të prerë juridike vijës kufitare me shtetin fqinj. Parlamentarët serbë nuk morën pjesë, por edhe në partitë e mëdha qeverisëse ka kundërshtarë. Demonstruesit që ishin mbledhur afër parlamentit shpërthyen në brohoritje dhe lavdëruan përfaqësuesit e popullit, të cilët iu bashkuan atyre. Se kur dhe nëse qeveria do të bëjë një përpjekje të re është e paqartë. Mustafa, ndërkaq, tha se demarkacioni është shtyrë, nuk është pezulluar.

Shkas i debatit janë 8000 hektarë tokë në malet e Rugovës mes Pejës dhe Rozhajës malazeze. Qeveria e Malit të Zi thekson se ky territor i takon atij vendi. Kufiri i ri, sipas palës malazeze, kalon nëpër vijën administrative të vitit 1974, kur krahina e atëhershme serbe e Kosovës u nda me kufi nga Mali i Zi, i cili ishte republikë jugosllave. Barinjtë dhe druvarët lokalë ankohen se kufiri po i shkëput ata prej kullosat dhe malet. Në kohën e Jugosllavisë kufijtë e brendshëm në male nuk luanin rol të madh.

Që nga pavarësia e Kosovës para 8 vitesh asnjë debat tjetër nuk e ka përçarë aq shumë vendin. Kjo së pari ka të bëjë me propagandimin virtuoz të kësaj teme nga Vetëvendosja, një parti opozitare e majtë dhe nacionaliste. Ajo po zhvillon një fushatë të përqendruar në tokë dhe gjak, e cila ngjall frikën për humbje të territorit dhe nxit resentimentet kundër elitës politike. Në ato male janë zhvilluar beteja dhe kanë rënë martir shqiptar, tha të enjten Albin Kurti, figura kryesore e partisë. Malet, tha ai, kanë rëndësi edhe strategjike: kufiri i vërtetë kalon nëpër majë të kodrave dhe jo në ultësirat që s’mund të mbrohen. Po ashtu nuk duhet të jepen edhe pasuritë natyrore të tyre.

Që nga fillimi i vitit deputetët opozitarë penguan votimin për demarkacionin me sulme me gaz lotsjellës. Së fundi u hodhën granata dore në kopshtet e mbështetësve prominentë. Nga këto aksione Vetëvendosje është distancuar qartë.

Por, edhe qeveria bart përgjegjësi të madhe për krizën. Ajo nuk e ka informuar opinionin, nuk i ka marrë parasysh pyetjet dhe kritikën për një kohë të gjatë. Nga kjo arrogancë shumë qytetarëve u ka ardhur te hunda, aq më tepër që ajo shoqërohet me joefikasitet të madh, kur bëhet fjalë për ofrimin e shërbimeve shtetërore. Rastet më të reja të korrupsionit mbase as nuk qenë të domosdoshme për t’i dhënë hov fushatës së Vetëvendosjes. Nga ana tjetër vërejtjet nga Washingtoni dhe Brukseli po kanë gjithnjë e më pak efekt. Në Kosovë aq shumë njerëz ndihen të lënë në harresë nga Perëndimi, saqë premtimi i BE-së se pas demarkacionit të kufirit do të hiqen vizat nuk bën fare punë. Mali i Zi deri më tani ka reaguar me kujdes ndaj prolongimit të caktimit të kufirit. Kjo do të ndryshojë nëse ky proces mbetet pezull një kohë të gjatë.

4 komente në “«Neue Zürcher Zeitung»: Arroganca dhe korrupsioni i pushtetit e kanë fundosur Kosovën në krizë të thellë”

  1. haku says:

    Pershendetje “Zeue Zurcher Zeitung”, ky pushtet i korruptuar si dhe BE e SHBA e kane lene popullin shqiptare ne halle te medhaja. Pushteti e ka humbur legjitimitetin edhe ashtu te krijuar me thyerje te Kushtetutes. Keta te korruptuarit erdhen ne pushtet me dhune dhe nuk jane te gatshem ta bleshojne foteljen ne menyre paqesore. Bashkesia Europiane po edhe SHBA ne njefare menyre jane kah i mbyllin syt, jo per hater te te korruptuareve por per hater te Rusise. Kosovaret me fakte jane kah e humbin besimin ne Europen e civilizuar. BE para se te marri ndonje vendim serioz sic eshte Pakoja e Ahtisarit si dhe Demarkacioni, tash per tash me Malin e Zi, duhet te kerkoje nga Serbia e Mali i Zi hapjen e te gjitha dosjeve super sekrete te cilat tregojne shovenizmin e hegjemonizmin e vertet te tyre ndaj popullit te pambrojtur shqiptar. Nuk besoj se kjo gzete e nderuar mund te depertoje ne ato dosje. BE ende nuk e thot troc se Kosava dhe shume troje tjera te shqiptareve kane qene te okupuara dhe se Serbia nuk ka te drejte te kerkoje ndarjen e trojeve te okupuara ashtu sic po kerkon ndarjen e Kosoves. Gjuric e Jabllanovic e nxorren autofrigoriferin me shifren “DUBIN 2” te stermbushur me kufoma te shqiptareve te pafajshem dhe tani provokojne duke shkuar ne vndet e krimeve pa e nxjerre ende autofrigoriferin me shifren e koduar “DUBIN 1” (Thellesia 1) e cila edhe me tutje gjendet ne thellsite e lumit Danub (Dunav). Z. Veseli duhet te di se a egziston apo jo kodi “DUBINA 1” kur dihet se egziston ai i shifres “DUBINA 2”. Une nuk jam i sigurt per egzistence e “Dubina 3, 4 , 5 etj. Tani pyes z. Gjuric se si mund te sherohet plaga e prindit i cili e ka kufomen e te birit ne autofrigoriferin e “DUBINA 1” kur Srbia nuk lejon te nxirret nga thellesite e Dnubit. Te gjitha dosjet tregojne se Serbia tokat e shqiptareve i morri dhe konfiskoi duke i likuiduar pronaret e tyre. Dosjet, dosjet dhe vetem dosjet civile e ushtarake te Beogradit, e pak a shume edhe te Podgorices, tregojne realitetin te cilin Europa deri me tani nuk deshiron as qe ta dije.

  2. Antoni says:

    Po shtetin e Greqisë apo Maqedonisë apo edhe Malit të zi apo Shqipëria apo Bosnja ASNJË NGA KËTO SHTETE NUK FUNKSIONON SI NJË SHTET I MIRËFILLTË as që do të funksionojë ndonjëherë.
    Nuk është Kosova e vetmja edhe pse Kosovës i bëjnë ndihmë më hile ashtu siç Bosnjës PIKËRISHT JANË PLANET E PERËNDIMIT duke ndarë territorin në Republika e enklava, ndërsa Kroacisë i dhan ndihma ushtarake dhe të drejtën ta pastroj Kroacinë nga serbët.

  3. like says:

    pak i kane marre Mali i zi dhe serbia kosoes por tani dashkan edhe kafene mbas te ngreni?

  4. raimond vlonjati says:

    Gazetar shum i pa afte

    Po ishte fjala per korrupsion esht Serbia shteti me i koruptuar
    Sepse nga Serbia , sipas raportit te Bankes Boterore doln reth 10 miliard euro nga korupsioni per 10 vjet per ne Bankat nderkombetare
    Kur nga Kosova e Shqiperia per 10 vjet nuk dolen as 1 miliard euro
    Ndersa nga Mali i zi dolen 4 miliard Euro

    Mirpo Serbine e Malin e zi nuk i permend asnje gazete europiane

    Ndaj ky artikull flet me stereotipe sa per te bere propagande kunder Kosoves

    Ndersa per kufirin nuk mund te meret parasysh nje kufi qe esht vendos ne 1974 ,, se Kosova atehere ishte e pushtuar nga regjimi serb
    Por merret parasysh kufiri para se te vinte ai regjim

    Mirpo serbet nuk i oermend njeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje