“Dosja e zezë e trukimeve”. Kështu mund të quhet raporti i argumentuar për pezullimin e Skënderbeut nga Kupat e Europës. Një dosje që është gati për të shkuar edhe në dyert e prokurorisë, sepse implikon jo vetëm një klub futbolli, por edhe personazhe, të cilët, sipas UEFAs, janë të dyshuarit kryesorë në skandalin e madh të basteve në Shqipëri.
Ende nuk ka një vendim nëse Prokuroria e Përgjithshme do të marrë një vendim nëse do të hapë apo hetimet mbi këtë skandal. “Top Channel” raporton se ka kontaktuar ditën e djeshme edhe Prokurorinë e Korçës, por këta të fundit kanë thënë se nuk mund ta hetojnë rastin dhe nuk janë institucioni i duhur dhe nuk kanë kompetencë për të ndërmarrë hapa konkretë për këtë çështje. Ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme është ende në dilemë për të nisur një hetim në lidhje me skandalin e basteve të zbardhur me detaje nga UEFA.
Sipas “Top Channel”, Prokuroria e Përgjithshme ka raportuar se është duke e shqyrtuar çështjen, ndërsa në ditët e ardhshme do të marrë një vendim përfundimtar për të nisur apo jo hetimin. Kjo nuk është hera e parë që një prokurori merret me shqyrtimin e një ndeshjeje futbolli, pasi më parë edhe ndeshja mes Teutës dhe Flamurtarit ka shkuar në dyert e organit të Akuzës.
Problemi është se kjo çështje ka mbetur pezull dhe nuk ka asnjë fajtor. Mbetet për t’u parë çfarë do të bëjë edhe Federata Shqiptare e Futbollit lidhur me këtë çështje, sepse në raportin e UEFAs thuhet se Skënderbeu ka trukuar ndeshje edhe nga kampionati vendës.