Pranimi në Universitete, preket fundi, flet dhe Myqerem Tafaj: MAS kaos me maturantët

19 Shtator 2016, 00:05Sociale TEMA

Ish-Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, bën përgjegjëse Ministrinë e Arsimit lidhur me problematikën e pranimit në Universitete me të cilën u përballën këtë vit maturantët.

I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Tafaj tha se MAS i dha veprim prapaveprues ligjit të arsimit të lartë, që as vetë ligji nuk e kishte parashikuar.

Tafaj thotë se formula e re duhej të zbatohej vetëm për maturantët e vitit 2018.

Tafaj: Nga ana tjetër ligji nuk e detyronte qeverinë të zbatonte këtë vit formulën e re. Ligji shprehet në mënyrë shumë neutrale, thotë pranimet bëhen mbështetur dhe në kriteret që propozojnë Universitetet, KM përcakton një notë mesatare, kjo nota e famshme që zhdukën notën 5 nga sistemi. Në fakt cilësia e 5 nuk është zhdukur, është zhdukur nota. Tani fillon nga 6.

MAS nuk kishte pse të përshpejtonte sepse pranimi mbështetet në rezultatet e shkollës së mesme, puna e nxënësve në 3 vite mbi bazën e një plani mësimor. Nuk mundesh të pretendosh që ligji të hyjë në fuqi në tetor të 2015, ndërkohë që 3 javë më vonë, me 1 nënëtor 2015 studentët kanë përcaktuar cilat lëndë do japin provim matyre.

Pastaj nxjerr kriteret në shkurt, kur maturantët ishin 3 muaj para provimeve të maturës. Me këtë veprim MAS i dha veprim prapaveprues ligjit, gjë që nuk e parashikon as vetë. Në mënyrë krej normale duhet të ishte vazhduar me sistemin e vjetër. Kjo formulë duhej të zbatohej vetëm për maturantët e vitit 2018, sepse këta nxënës kanë nisur gjimnazin vitin e kaluar kur ka hyrë në fuqi ligji. Kjo është praktika e mirë ligjore.

Tafaj ndan rezerva për formulën e re kur bëhet fjalë për zhvlerësimin e 5 provimeve të maturës.

Tafaj: Formula është ndërtuar mbi bazën e mllefit dhe anatemimit të maturës shtetërore sepse është diskriminuar puna e maturantëve për të përfunduar sistemin e mesëm. Ne lamë mesataren 20%, me formulën e re shkon dhe 50%. Kjo godet në palcë peshën që zënë 5 provimet e maturës. Në çdo vend ku aplikohet një maturë shtetërore, kjo e Shqipërisë nuk është një shpikje, nuk mund ta mohosh.

Ta zbresësh nga 80 që ishte në 50% ose më poshtë se kaq.Kjo sepse matura realizohet me 5 provime përfundimtare kombëtare të cilat nuk janë provime klase në shkollë, por është vlerësim i jashtëm apo ekspert. Në të gjitha rastet janë shumë më të besueshme, shumë më të mira, shumë më të sakta se provimet e klasës.

Jo më pak kritik, ai shprehet dhe ndaj përfshirjes së arsimit privat në modulin e arsimit publik. Shteti, thotë, ai nuk mund të luajë rolin e ndërmjetësit mes studentëve dhe arsimit privat.

Tafaj: Për fat të keq pranimi në Universitete këtë vit kaloi një kaos të vërtetë. Politikisht e kemi kundërshtuar që kur u bë ligji. Ne e lamë sistemin të mbështetur në dy parime: meritë dhe preferencë.Shumë praktik dhe i thjeshtë.

Do të thotë mbi bazën e pikëve.Sistemi përpiqej të çonte maturantin në preferencën më të lartë që kishte kërkuar. Në fazën e parë 85-90% e maturantëve ishin të sistemuar përfundimisht. Faza e dytë ishte për 10-15% të studentëve. Tani doli formulë e re.

Dua ta sqaroj që nuk është produkt vetëm i Universiteteve, sepse Qeveria përpiqet t’ua kalojë topin, nuk është e vërtetë. Universitetet kanë bërë propozime, Ministria është marrë gjerësisht me Agjencitë e saj, ka ndërhyrë, madje fort në disa raste dhe ka prodhuar një formulë që ka shkaktuar një kaos. E para, formula e re përfshin arsimin e lartë privat.Ok. Në rregull.Por për çfarë?

Duhet të ishte përfshirë vetëm për të siguruar një regjistrim të saktë të studentëve brenda kritereve të parashikuara dhe kuotave të kërkuara prej tyre dhe të miratuara në përputhje me kapacitetet. Kaq duhet të realizohej. Në asnjë rast nuk mundet të funksionojë ky sistem. Arsimi i lartë privat nuk mundet të futej në të njëjtin modul me arsimin e lartë publik. Duhet të ishin ndarë. Shteti nuk ka asnjë të drejtë dhe as detyrim të ndërmjetësojë se cili student do të shkojë tek privati.

Shteti ka vetëm detyrën nëse zbatohen kriteret dhe respektohen kuotat që tashmë janë miratuar në përputhje me kapacitetet që kanë. E dyta, nuk janë e njëjta gjë dhe kemi të bëjnë me një tarifë 10 apo 20 herë më e lartë se ajo e publikut. Ka Universitete akoma që e kanë tarifën 300 mijë lekë në vit. Ndërkohë që ka Universitete private që kërkojnë 3 milion lekë ose 3 mijë euro. Ka ndryshim shumë të madh. Pastaj është vendimarrje vetëm e studentit shkon apo nuk shkon në arsim privat dhe ku shkon.

1 komente në “Pranimi në Universitete, preket fundi, flet dhe Myqerem Tafaj: MAS kaos me maturantët”

  1. Artemisa says:

    Po a mund t’i besohet nje Ministreje kur ate e kundershtoi edhe burri i vet ( Pedagog i nderuar i Shkencave) ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje