Të gjithë e mbajnë mend aksionin e nivelit të lartë të vështirësisë së helikopterit të FA “Cugar”, i cili në zonën e vështirë të Memaliajt shpëtoi një banor nga përmbytja e 31 janarit 2015.
I rikthyer në Shqipëri dhe me besimin tek shteti Fatos Vrenozi gjen rastin të falenderojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura për aksionin e fundvitit që i shpëtoi jetën, pasi e gjeti mbi çatinë e shtëpisë, dhe vetëm një telefonatë larg i erdhi evitimi i mbytjes.
“Ishte ora 6 e 30, vura dorën dhe po notoja mbi ujë. Po më shqyheshin dyert dhe po më dilnin plaçkat jashtë. Të them të drejtën u tremba sepse vinin furi të mëdha dhe dëgjova një tronditje. Hipa sipër në tarracë dhe një çerek ore mbeta aty. Thashë të hidhem se nuk kisha çfarë bëja më.
Të gjitha mi mori lumi. Mora në telefon Ministrinë e Mbrojtjes dhe më tha që sa të kesh mbaruar telefonatën me mua do kesh helikopterin lart mbi kokë. Dhe ashtu ndodhi. Sa ndeza një cigare, erdhi helikopteri. Erdhën zbritën, më morën, më lidhën. Më thanë: “a ke ndonjë problem, të të çojmë në Tiranë”?. I thashë jo jam në rregull. Ishte e rrezikshme. Ishte një gjë e hidhur për mua. Sinqerisht kam ardhur me një mendim tjetër nga Greqia, se ashtu e lashë Shqipërinë. Aty mu duk që është shteti”, thotë banori Fatos Vrenozi nga Memaliaj.