Përplasja me armë në Tiranë, si nisi sherri për tavolinat e klubit ku këndonte Noizy

26 Shtator 2016, 09:15Kronika TEMA

Një tavolinë e rezervuar në zonën VIP të një lokali nate në zonën e Saukut është bërë shkak për përplasjen me armë mes disa të rinjve. Ngjarja ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në Tiranë, para lokalit ku këndonte Rigels Rajku, i njohur me emrin Noizy, ndërkohë që policia ka njoftuar arrestimin e dy personave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Dy persona që dyshohet se u përfshinë në këtë konflikt u ndaluan nga shërbimet e Komisariatit nr.1, ndërsa personat që dyshohet se qëlluan me armë arritën të largoheshin me makinë, duke lënë pas vetëm targën, shkruan “Panorama”.

Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se ngjarja ndodhi rreth orës 04:20 dhe njoftimi është dhënë në sallën e emergjencave nga banorët e zonës, të cilët i kanë shtëpitë shumë pranë lokalit ku ndodhi konflikti.

Të frikësuar për atë që po ndodhte afër dritareve të tyre, banorët kanë nxituar të telefonojnë policinë, duke thënë se aty po qëllohej me armë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.1 e më pas edhe punonjësit e Njësisë “Shqiponja”.

Para derës kryesore të lokalit janë gjetur 4 gëzhoja arme, që dyshohet se i përkasin një pistolete të përdorur nga autorët, që sipas dëshmitarëve janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Mercedez Benz”. Ndërsa gjatë ndjekjes, policia ka mundur të ndalojë një tjetër “Mercedez Benz”, duke shoqëruar dy të rinjtë që po largoheshin nga vendngjarja.

Mëngjesin e sotëm, policia njoftoi se ka arrestuar Elson Doçaj, 27 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë dhe Përparim Gaxhaj, 27 vjeç, lindur në Mitrovicë dhe banues në Londër, Angli.

Atyre iu sekuestrua edhe automjet i markës “Mercedez ” me targa Angleze FY 61 XFB.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje