OSHEE po gëlon së fundmi nga një sërë problematikash me karakter administrativ, shoqëror dhe penal gjithashtu. Fillimisht, gjurmët e fshirjes së 20 milionë lekëve pagesa nga sistemi i OSHEE-së nisnin në Vlorë dhe mbaronin në Tiranë. Një ndërtues kishte bërë lidhje të reja për dy pallate dhe shmangu totalisht degën e OSHEE-së në Vlorë, duke mbaruar punë direkt në Tiranë.
Më tej këto lidhje janë fshirë nga sistemi dhe nuk figurojnë gjëkundi, ndaj Sektori Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Shtetit mësyu në zyrat qendrore duke hetuar çeshtjen. Irma.D, specialiste në OSHEE u pezullua nga puna dhe burimet nga Antikrimi Ekonomik, të cilat e konfirmuan lajmin, thanë për TemaATV se dosja i kaloi prokororisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërsa pronari i pallateve është shpallur në kërkim. “Dyshojmë se janë me dhjetra raste të tilla abuzimesh përsa u përket fshirjes së lidhjeve të reja nga sistemi dhe kësisoj shtetit i është shkaktuar një dëm kolosal”-thanë burimet. Logjika të çon në përfitimin e të gjithë shumës nga ana e punonjësve.
Për të mësuar diçka më tepër rreth kësaj praktike, u interesuam privatisht për një lidhje të re energjie për dy pallate në Korçë. Në sportel sugjeruan komunikimin me një djalosh rreth 25 vjeç, i cili tha se ndërtuesi duhet të vijë në Tiranë për lidhjet e reja dhe nuk duhet të ketë lidhje me Korçën.
Por zyrtarisht OSHEE na tha se çdo lidhje e re nis në rrethin përkatës dhe më tej, në bazë të vështirësive mund të kalojë edhe në Tiranë. Zyrtarisht Policia e Shtetit shprehet se nga gushti i këtij viti, deri më sot ka regjistruar 7 procedime penale për punonjës të OSHEE-së. Rasti më i fundit u përket 2 specialistëve të Kujdesit ndaj Klientit, të denoncuar nga një emision investigativ si pjesmarrës në një skemë ku qytetarëve u merreshin para në këmbim të fshirjes së kamatvonesës. Njëri nga 7 rastet i përket gjithashtu Vlorës, ku u procedua 52-vjeçarja me inicialet L.M, pasi një banore e Navoselës e denoncoi se nga 2007-a deri në 2013-ën kishte paguar detyrimet për OSHEE-në, por nuk ishin faturuar.
Në gusht, Prokuroria e Tiranës procedoi faturuesin e OSHEE-së, me inicialet F.M, sepse për periudhën nëntor-dhjetor 2010, i ka mbifaturuar energjinë elektrike në vlerën 359.188 lekë shtetasit F.Gj, 40 vjeç. Në janar të vitit të kaluar rezultonin 51 mijë e 764 fatura energjie të paguara por të paregjistruara në system. Së fundmi, nga burimet brenda OSHEE-së mësohet se disa punonjës janë detyruar nga shefat që të plotësojnë fatura të vjetra. Edhe për këto dyshime kanë nisur hetimet. Ndërkaq, drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela, shkurtin e 2005-ës deklaroi se do të fshiheshin nga sistemi 54 mijë fatura afrofe (energji e pamatur) nga tetori i 2008-ës deri në prill të 2011-ës .
Para pak ditësh OSHEE prezantoi pajisjen e re PDA, me Bluetooth që sipas kompanisë do të lexojë dhe transmetojë në kohë reale në server të dhënat për çdo abonent, por prillin e këtij viti u hodh akuza nga PD për tenderin 7 miliardë lekësh për matësat e rinj, ndërsa kosotja ishte 1 miliardë. Disa tendera të tjerë u dyshuan me fitues të papapërcaktuar. Mes dokumenteve për një lidhje të re renditet edhe Gen-Plani i objektit, që bëhet vetëm nga privati.
Vetëm 5 metra e ndajnë një pikë të OSHEE-së nga disa zyra private, por shteti nuk e nxjerr dot një planimetri të objektit. Qëkur nisi aksioni i madh kundër vjedhjes së energjisë elektrike e deri më sot përmbi 1 mijë e 500 persona janë proceduar penalisht, arrestuar apo dënuar, ndërsa një numër jo i vogël hallexhinjsh janë detyruar të vrasin veten, apo kanë mbetur të vdekur në tentativë për të rilidhur energjinë, siç është rasti i Sokol Kacës, 27-vjeçarit që shihni në këtë foto, i cili dhjetorin e vitit 2014 ndërroi jetë në Qafë-Kashar.
Ndërkaq, Shaban Hithi, 47-vjeçari nga fshati Kullosë i Fushë-Krujës thotë për TemATV se nga vitet 90 deri në vitin 2011 prindërit e moshuar kishin akumuluar një debi prej 5 milionë lekësh të vjetra. Gjatë këtyre viteve ata paguanin afrofe. Nga viti 2011 ka ndërprerë lidhjen në banesë, por debia e 91-vjeçarit Ramazan qendron. Në fillimshtator të këtij viti u vra ish-drejtori i OSHEE-së në Dibër, Saimir Jaku, për çeshtje që dyshohet se kanë të bëjnë me trafiqe të paligjshme.