FOTOT/ Policia jep detajet për masakrën në Shkodër: Autori, pronar i lokalit dhe përdorues droge (ja kush janë viktimat)

4 Tetor 2016, 09:44Kronika TEMA
FOTOT/ Policia jep detajet për masakrën në Shkodër: Autori,

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për masakrën e ndodhur në Shkodër, si edhe ka publikuar foton e autorit të ngjarjes.

Ai është Miklovan Parubi, i cili tri ditë më parë mbushi 33 vjeç, ishte person i njohur në zonë si konsumator i lëndëve narkotike, si dhe me luhatje emocionale. Mendohet se në këto kushte, i prekur në sedër pas lojës, ai të ketë ndërmarrë krimin.

Parubi ishte pronar i një lokali në Dajç, por nuk konfirmohet nëse bëhet fjalë për ambientin ku ekzekutoi bashkëfshatarët e tij.

Ai është i martuar dhe baba i një vajze, por paraprakisht nuk pohohet të ketë pasur precedentë penalë.

Policia thotë se vrasja ka si motiv një konflikt banal mes autorit dhe personave që gjendeshin në lokal.

Ai qëlloi me armë zjarri pak para mesnatës së 4 tetorit në lokalin në Dajç duke vrarë shtetasit Arjet Saiti 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç.

Gjithashtu, nga të shtënat mbetën të plagosur shtetasit: Aleks Prendi, 40 vjeç, Viçens Kopshti 26 vjeç, Ndok Marku 35 vjeç dhe Kitas Molla 26 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Me datë 03.10.2016, rreth orës 22: 40, është marrë njoftim se në një lokal tek kryqëzimi i Dajçit, Shkoder, ka të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se pas një konflikti për motive të dobëta ( dyshohet gjatë një loje pokeri) , shtetasi Miklovan Parubi , 33 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Arjet Saiti 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç.

Gjithashtu ka plagosur edhe shtetasit A.P. 42 vjeç, N.M. 35 vjeç, V.K.22 vjeç dhe K.M. 26 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmen e nevojshme mjekësore ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ky shtetas njihet në zonë si përdorues i lëndëve narkotike dhe probleme emocionale të pakontrolluara.

Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zones në bashkëpunim me F.N.Sh-në me qëllim kapjen e tij dhe vendosjen para përgjegjësisë penale.

Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shërbimet e Komisariatit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër së bashku me forcat FNSH janë në ndjekje të autorit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje