Andrea Stefani nuk ka munguar që të shprehet në lidhje me përplasjen mes opozitës shqiptare dhe konkretisht lidershipit të Partisë Demokratike, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut zyrtar të kësaj partie Lulzim Basha me partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA-BE.
Ai thotë se këmbëngulja e amerikanëve dhe vendeve të Bashkimit Evropian për të miratuar reformën në drejtësi dhe implementuar atë për pastrimin e drejtësisë nga elementët e inkriminuar dhe abuzuesit me këtë detyrë nuk është cënim i sovranitetit pasi atë nuk e kemi, por është një përpjekje për themelimin e këtij sovraniteti.
Stefani për “Dita” jep këndvështrimin e tij në lidhje me këto zhvillime më të fundit politike.
“Propaganda e PD ka ndërmarrë një sulm me synime diskredituese kundër ambasadorëve Lu dhe Vlahutin duke i akuzuar, mes të tjerash, edhe për dhunim të sovranitetit të shqiptarëve. Por e vërteta është se mund të mos ketë asnjë këmbë të huaji ne vend dhe njëherazi, të mos kesh fare sovranitet si popull. Sepse sovraniteti është aftësi për të marrë vendime. Por para se të jetë aftësi e tillë, ai është liri për të marrë vendime
Në një monarki absolute sovran është monarku. Sepse është ai dhe vetëm ai që ka lirinë për të marrë vendime. Në këtë rast nuk ekziston sovraniteti popullor. Madje nuk ekziston as vetë populli si një bashkësi njerëzish të lirë që vetëqeverisen dhe marrin vendime për fatet e bashkësisë politike që, në këtë rast, merr emrin e popullit.
Ashtu si në monarkitë absolute edhe në diktaturat komuniste të Europës Lindore, pra edhe në Shqipëri, që si për ironi quheshin edhe demokraci apo republika popullore, nuk ekzistonte sovraniteti popullor sepse nuk ekzistonte as populli. Kishte vetëm një masë të nënshtruarish që i bindeshin dhe duartrokitnin vendimet e marra nga një kupolë në krye të së cilës qëndronte një diktator. Ai ishte edhe më sovran se një monark absolut.
Në një kuptim diktaturat komuniste ja kaluan, për nga centralizimi i vendimarrjes në një dorë të vetme, edhe monarkive më absolute. Sepse në këto të fundit, për shembull në Kinë, ka ekzistuar, shumë shekuj para se të shfaqej në Europë, një burokraci profesionale që duke zbatuar me rigorozitet ligjet i vinte fre absolutizmit perandorak.
Kështu ka ndodhur edhe më pas me jo pak mbretër apo perandorë në Europë (Prusi, Austro-Hungari, Francë apo Britani) ndonëse këtu kufizimi i pushteteve absolute më shumë se me anë të një burokracie meritokratike u arrit edhe me anë të fuqizimit dhe pavarësimit të pushtetit gjyqësor apo atij përfaqsues legjislativ.
Në diktaturën e proletariatit as mund të mendohej ti vije kufij ligjorë aftësisë vendimarrëse të diktatorit. Kushdo që tentonte një skarikegj të tillë ndëshkohej rëndë si tradhëtar që kish tentuar të shkelte vijën e një partie në pushtet që mbronte interesat e ” popullit”.
Motoja qe: Çdo populli bën partia dhe ç’thot partia bën populli! Ironikisht partia, dmth. lideri absolut, dhe populli paraqiteshin si një trup i vetëm pa asnjë të çarë mes tyre. Kuptohet që sovraniteti i popullit ishte një mashtrim sepse një turmë njerëzish të nënshtruar nuk mund të kenë sovranitet nga që nuk mund të ketë sovranitet pa liri.
Rënia e diktaturës dhe e diktatorit nuk presupozon kalimin automatikisht të sovranitetit në duart e popullit. Që kjo të ndodhë ai duhet të ekzistojë si popull dhe, bashkë me të, edhe gjithë sistemi i pushteteve lirisjellëse. Ndryshe do të kemi, përsëri një turmë të hallakatur të manipuluar nga një elitë sharlatanësh që, duke shfrytëzuar situatën e një demokracie pa liri dhe drejtësi, pasurohen me korrupsion të pandëshkuar duke luajtur pjesën sikur janë përfaqsues apo menaxhues të interesave të popullit.
Dhe është pikërisht kjo që po ndodh në Shqipëri. Shqiptarët vetë nuk kanë sovranitet sepse vendimarrja është në duart e një elite politike përgjithësisht të korruptuar. Prandaj, problemi nuk është se po na e shkelin sovranitetin ndërkombëtarët apo ambasadorët e huaj por një elitë vendase e korruptuar.
Eshtë e vërtetë që në këto 26 vjet tranzicion ka patur raste të një kooperimi aspak parimor të ndërkombëtarëve apo ambasadorëve me elitën e korruptuar të Tiranës. Dhe shkaqet e kësaj dukurie renditen nga nevojat strategjike të ndërkombëtarëve e deri te përfshirja e diplomatëve të huaj në korrupsion për përfitime personale.
Jo pak diplomatë të huaj kanë bërë pasuri në Shqipërinë e varfër. Dhe kritika për ndërkombëtarët ka qenë se përse nuk po bënin sa duhet për të kompensuar mungesën në Shqipëri të elitave të dedikuara për demokracinë liberale. Përse nuk po bënin sa duhet për të themeluar institucionet lirimbrojtëse si gjykatat apo pushtetin e drejtësisë të pavarur nga një klasë politike e korruptuar.
Por aktualisht komuniteti ndërkombëtar, ambasada e SHBA, apo e BE, janë angazhuar në një iniciativë këmbëngulëse për realizmin e reformës në drejtësi në përplasje të hapur me segmente të korruptuara të elitës politike (zyrtarisht ato janë shfaqur në lidershipin dhe grupin parlamentar të PD) që po bëjnë rezistencë kësaj reforme duke mos miratuar edhe ligjet e nevojshme për zbatimin e saj.
Eshtë një përpjekje për të themeluar një nga premisat politike të lirisë së njeriut, drejtësinë e pavarur. Dhe bashkë me lirinë për t’ia dhënë sovranitetin realisht shqiptarëve që pas kësaj, do të nisin të formësohen realisht si popull.
Pra, është një ndërhyrje e ndërkombetarëve që në vend se ta cënojë një sovranitet popullor që nuk ekziston, tenton ta themelojë atë. Prandaj dhe kritikat ndaj kësaj ndërhyrje apo ndaj ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, nuk janë kundër sovranitetit dhe në shërbim të një kaste politike që me qarjet se po gjoja po shkelet sovraniteti (një tjetër rast “patriotizmi” si strehë e fundit e sharlatanizmit politik) tenton të bllokojë reformën në drejtësi për të përjetësuar sovranitetin e vetëm që ekziston sot në Shqipëri, atë të një elite politike të mafiozuar dhe korruptuar”, shkruan Stefani.
Stefani eshte nje gazetar I shkelqyer..
Andrea, ke një gabim aty.
Një shtet mund të jetë sovran edhe kur nuk ka liri. Madje, sa më i lirë, aq më pak sovran është. Pse?
Sepse, me liri nënkuptohet han pa porta fare, si ky yni.
Këtu vetëm sovranitet nuk do të ketë ndonjëherë. Jo me këtë sistem, me siguri.
O Bekim me gjithe respektin lexoje edhe njehere
I lumte zotit Stefani! Degjova qe ka probleme me shendetin dhe dua t’i uroj sherim te shpejte dhe Zoti e ndihmofte!
Andrea eshte realist dhe ka aftesine e shpjegimit te dukurive ne menyre shume te drejte dhe te qarte. Vetem injorantet (ketu perfshij edhe ata qe e heqin vehten per intelektuale) dhe kujt i preket interesi i kundervihen. I kam dhuruar dy libra ne shenje mirenjohje dhe respekti per menyren si i trajton problemt. Nese ka problem me shendetin, i uroj sherim te plote dhe te shpejte.
A. Stefani e ka zgjatur dhe e ka sterholluar me sofizma dhe aresyetime kontradiktore ceshtjen e sovranitetit, pa e qelluar ne shenje. Fakti eshte se ka popuj ne bote, qe dine ta ruajne sovranitetin e tyre dhe nuk ja dorezojne ate bandave te hajduteve dhe kriminelave vendas ose te huaj. E verteta e hidhur per ne shqiptaret eshte se ne nuk kemi ditur historikisht ta ruajme sovranitetin e popullit tone. Prandaj qe, kemi nevoje per guvernatore te huaj, te na tregojne, mesojne dhe edukojne me kulturen demokratike dhe ligjore te sovranitetit. Keshtu eshte vepruar me shume popuj te tjere ne bote, te ngjashem me shqiptaret, qe jane zhvilluar nen diktatin e te huajve. Kete po ben ne fakt ambasadori LU dhe BE-ja.