Nga Kristo Mërtiri
Kur hyn vjeshta e dytë në Përmetin tonë me borzilokë e trëndafilambuluar, buzëmbrëmjet marrin një nur të vecantë bukurie, të qetë e pa bujë. Dhëmbeli hijerëndë e Vjosa valështruar, të duken sikur mbajnë vesh dhe përcjellin jo pa kënaqësi vozat e kadet me rrush të shtypur, të pjekur e bërë musht, që rrokullisen e derdhen në kazanët e bekuar të rakisë së famshme.
“Nëne”.
Kështu i thërriste rakisë të zier dy herë !… Por Polit(h)ika me kazanë në kryeqytet, është shumë larg jetës së njerëzve të thjeshtë e të ndershëm në qendër a në periferi. Gati tërë liderët partiakë majtas e djathtas; analistë të ftuar e të paftuar në median e varur dhe të “pavarur”; sipërmarrës privatë a shtetërorë; ekologjistë llogoresh etj., prezantohen si të pabërë esëll. Thonë e c’nuk thonë për importin e mbetjeve nga Evropa. Akuza e kundërakuza trishtuese, që bëhen tërkuzë kazanësh në fushën e betejës politike. Dhe faji bëhet qyrk që nuk e vesh askush. I ziu popull shushatet e tulatet nga gjëmimet televizive dhe shpreson te frytet e protestave qytetare.
Vecse të tillë kazanë politikë nuk kanë asgjë të përbashkët me kazanët e kallajisur e të mbyllur ku zihet rrushi, kumbulla, thana, dëllinja etj. dhe ku trokëllijnë gotat a filxhanët e urohet me zemër për mot më shumë shëndet e bereqet. Shpesh na duket se ata kazanë politikë ziejnë më tepër në boshllëk e maskarallëk, përtej interesit të vërtetë publik. Sepse në këtë Tranzicion të hardallosur, Polit(h)ika ka shitur xhaba e me bollëk leksione demokracie e trimërie “parlamentare” me disa “kobure” në brez, me sharje e betime bajate ndaj njeri-tjetrit. Madje nganjëherë ngjajnë edhe me kazanë distilimi ku prodhohet vetëm avull uji. Gjë që mund t’u dalë edhe huq nga temperatura e lartë në foltoren e tempullit të Demokracisë, sidomos ditën e enjte. Disa hazërxhevapë nga mazhoranca e opozita, përpunojnë e hedhin teza thjesht për të mashtruar e trilluar dëgjuesit, lexuesit e shikuesit që i quajnë “dele shtrunge” në stanet e tyre partiake. Pra, vazhdojnë të luajnë ende “kaladibrance” !…
Në fund të fundit, ata ziejnë në një kazan dhe rrallë e për mall mund të dallojnë nga njëri-jatri. Në të vërtetë, loja kaladibrance mazhorancë – opozitë nuk u mbyll me votimet përvëluese në Peshkopi. Majtas e djathtas po luajnë “kaladibrance” me plehrat në Tiranë, pa përjashtuar këtu ndonjë “lojtar të lirë” nga shoqëria civile. Harrojnë që fytyrëkallajisurve të tillë u del shpejt kallaji. Dhe pastaj mund të luajë hidhur a egërsisht vetë qeni i kallajxhiut ! Kurse fjala tradhëti po shpërdorohet pa hesap e si me vrap rreth patriotizmit kallp, kësaj strehe të fundit të horrave politikë e mediatikë. Përshembull, e patë të shtunën varavingon e kësaj tollumbaceje të plasur nga Tirana në Lezhë dhe anasjelltas ? Hidh e prit, si batuta karagjozësh që nuk gudulisin njeri.
-Aman, të kemi rixha, o miku ynë në metropol ! Shumica flasin si në mulli. Njëri i bie gozhdës e tjetri i bie potkoit. Deputetët policë e biznesmenë dhe qeveritarët mujsharë bëjnë be e rrufe për drejtësinë e atij Ligji me yçkla shumë. Apo u bë leku gur mulliri, sic po ndodh me fukarenjtë e këputur ?! Ne mendojmë se hall më vete është kur mjaft “oratorë” mikrofonash e ekranesh, fejsbuqesh e ulluqesh, bluajnë si mulliri pa kokrra e plot dokrra. Shkurt, pa ujë ! Dhe nuk qajmë dot. Prandaj ia morëm asaj këngës së vjetër me shpoti : “Aman mullixhi, derman mullixhi/ Pse s’e bluan grurin, si për revani…”. Po kush të dëgjon në këtë Shqipërizën tonë ! Deshëm të të largojmë sadopak stresin e dëshpërimin e pamerituar. Ja, një rrëfenjë e vockël : “ Njëri, kur pa një mulli me erë, u cudit ngaqë s’kish parë ndonjëherë dhe pyeti se c’farë ishte.
-Mulli me erë,-iu përgjigjën.
-More, që është mulli me erë e mora vesh, po nga i vjen uji ?”…
Dhe lihen në ballë të oxhakut, kallpazanët në krye të partive e qeverive që vijnë e shkojnë pa u hyrë gjëmb në këmbë nëpër Shqipërizën tonë halleshumë e për lumë. Vijnë të varfër e largohen pasanikë nga kolltuqet e pushtpushtetit ! Dhe Drejtësia hesht, rri e vështron si skuth në folenë fitimprurëse mbi kurrizin e shtetit ligjor që ëndërrojmë plot cerek shekulli rrumpallë. Mbi kurrizin e hallexhinjve të mjerë në fshatra e qytete. Se batakcinjtë politikë të kësaj klase politike të korruptuar gjer në grykë dhe që duhet shporrur pa mëdyshje e dilema nga vota popullore, tani po luajnë me helmatisjen mizore të tokës, ujit e ushqimit. Majtas e djathtas. “Ku të qesh e ku të qaj ?/ Majtas dreqër, djathtas djaj !…”, shpërthen shpirti i poetit luftëtar e atdhetar i madh. Po kush dëgjon nga ai vesh ?! Bashkë me sytë, janë përmbytur nga eurot, dollarët e lekët shqiptare që kundërmojnë erë hashashi e plehrash gjirizi nëpër majat e gërxhet nepotike të Administratës Shtetërore. Unë vetë jam skeptik edhe përballë daulleve të Reformës në Drejtësi. Kam shprehur mendimet dhe argumentet e mia açik në media, por askush nuk më përgjigjet drejtpërdrejt e hapur. Përjashto ca minj anonimë që qelbin faqet e internetit… Por mua më trishtojnë e irritojnë realisht “Partitë Tregtare të Rilindjes dhe një treg i ri : Tregu i Ligjeve”. Këto i njohin mirë me rrënjë e degë disa firma riciklimi që ustallëkun dhe pazarin e kalojnë me kallaj mbi gunë, me kazanët mbi e nën udhë. Por le ta mbyllim me dy pyetje të thjeshta :
Së pari, ku janë fshehur ekspertët e vërtetë me spaleta e grada të rënda shkencore dhe vetë akademikët që vegjetojnë mbi paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë? Taksapagues që kanë hequr dicka nga buka e gojës për rrogat dhe pensionet e vecanta shtetërore të tyre. Le të dalin në sheshmejdanin e televizioneve a të protestave qytetare dhe t’u thonë për pak caste liderëve kalanderë në mazhorancë e opozitë : Hapni krahun, kur flasin ekspertët e depolitizuar, duhet të heshtë Polit(h)ika ! Boll e çakërdisët miletin në Parlament, tani hapni veshët e dyllosur nga paratë e pista dhe mbani shënim e reflektoni…
Së dyti, unë i besoj shumë Publikut të vendit tim. Mirëpo, kush e futi atë Ligj brenda tempullit që nga sovrani po pagëzohet dëshpërimisht “Shkërdhatokraci” ? Kush i tha “rrugë të mbarë!”, interesi publik apo ai privat ?! Shkurt e shkoqur : Kush i trembet Referendumit popullor, firmat e riciklimit që kanë derdhur trastat e korruptimit apo mazhoranca arrogante e opozita hipokrite ?…
Pa folur ekspertët e shkencëtarët patriotë të vërtetë dhe pa Referendum, politika shqiptare e molepsur kokë e këmbë do vazhdojë të bëjë hajgarë me kazanë, mullixhinj e kallpazanë të pacipë !
Politika shqiptare ka 26 vjete qe ben hajgare me ne. Ne kemi 26 vjete qe i durojme. Popull legen
Eh mor Kristo xhani. Politika e qelbur po e katandis vendin poshte e me poshte. Kush pyet per popullin per njerzit e ndershem. U ikin parate te pangopurve, prandaj nuk duan referendum pozite dhe opozite qe peshteten ne kurriz te njera tjetres ne . E ka thene mire Ali Asllani per kete rrace politikanesh: Hani, pini dhe rrembeni, mbushni xhepe, mbushni arka, te pa breke ju gjeti dreka, milionere ju gjeti darka… Edhe ca me nder politikan te rij po ua kalojne dhe me te vjeterve ne Shqiperi, futur thelle ne halet e korrupsionit. Do kete Zot per ta, se me duket ska Zot qe ti krreje poshtersite e tyre. Sikur te ishte, sic thote poeti i madh Asllani:
Dhe kujtoni tash e tutje, me te tilla dallavera
kukuvajka do pertypi zog e zoga si perhera.
Ja, ja grushti do te bjeri permbi krye te zuzarve,
koha eshte e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarve.
Jam pesimist me kete klase politike por dhe me median qe e hedh vallen si kjo. Po ti numroj media brinjet asaj si ne kete artikull gjerat do te ishin ndryshe. Cdo gje eshte qelbur.
Te lumte dora i dashur Kristo,po kujt ja thua,ku ka ngelur ekspert a shkencetar,pa u politizuar? Pastaj a spo e shikon qe as nuk pjerdh njeri per ta. A nuk ishte ai mavriu sali,qe si kur ishte ne pushtet,po dhe tani qe ka ngrene 1milion grushta surratit te tije te zgjebosur,prap ben si shkencetar e kaluar shkencetarit.