“As viktima, as ekzekutues” është një seri esesh të botuara në vjeshtën e vitit 1946 nga Albert Camus (Alber Kamy) në “Combat”, gazetën e rezistencës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të cilën Camus kontribuoi përgjatë luftës dhe për një periudhë të shkurtër pas përfundimit të saj. “Vetë-mashtrimi i socialistëve” është eseja e tretë e këtij cikli.
Nëse pranojmë që dhjetë vitet e fundit kemi jetuar dhe vazhdojmë të jetojmë në një gjendje terrori- burimi kryesor i ankthit tone- atëherë duhet të shqyrtojmë mënyrën për t’iu kundërvënë. Dhe kjo të çon detyrimisht drejt socializmit. Sepse terrori është i legjitimuar vetëm nëse i qëndrojmë parimit “rezultati justifikon mjetin”. Nga ana tjetër, ky princip mund të pranohet vetëm nëse efikasiteti i një veprimi shikohet në vazhdën e një fundi absolut, si në ideologjitë nihiliste (çdo gjë kalon, suksesi është e vetmja gjë për të cilën vlen të flitet), ose si në ato filozofi të cilat e shikojnë Historinë si fund absolut (Hegel, i ndjekur nga Marksi: fundi është një shoqëri pa klasa dhe çdo gjë që të çon drejt saj është e mirë).
I tillë është problemi që u parashtrohet socialistëve francezë. Ata janë të bezdisur nga skrupujt. Dhunën dhe shtypjen, për të cilat kishin vetëm një ide teorike, tani po i shikojnë praktikisht. Dhe, për këtë arsye, u është dashur të pyesin veten nëse, sikurse kërkon filozofia e tyre, ata do i lejonin vetes përdorimin e dhunës si një mjet të përkohshëm dhe për një fund të ndryshëm. Autori i një libri të kohëve të fundit për Saint-Just, duke folur për njerëz të një epoke pararendëse, të cilët shfaqnin skrupuj të ngjashëm, shprehet me përbuzje: “Ata zmbrapsen në fytyrë të tmerrit”. Kjo është e vërtetë. Prandaj ata duhet të përçmohen nga shpirtra të fortë, superiorë, të cilët jetojnë ndërmjet tmerreve pa iu dridhur qerpiku. Por, sidoqoftë, ata u japin mundësi për t’u shfaqur thirrjeve të agonisë të shpirtrave të zakonshëm si ne, të cilët përbëjnë bazën materiale të Historisë dhe të cilët duhet të merren në llogari, pavarësisht gjithë përbuzjes.
Mendoj se një detyrë edhe më e rëndësishme është përpjekja për të kuptuar gjendjen e paqartësisë dhe kontradiktës në të cilën ekzistojnë socialistët tanë. Ne nuk kemi menduar mjaftueshëm për krizën morale të socializmit francez, i shprehur rishtazi në një kongres partie. Është e qartë që socialistët tanë, nën influencën e Léon Blum dhe nën presionin e ngjarjeve, janë shqetësuar më shumë me çështje morale (qëllmi nuk i justifikon të gjithë mjetet) se në të kaluarën. Ekzaktësisht, ata duan të bazohen në principe të cilët e tejkalojnë dhe ngrihen mbi vrasjen. Është gjithashtu e qartë që disa socialistë duan të prezervojnë doktrinën marksiste; disa sepse mendojnë se nuk mund të jesh revolucionar pa qënë marksist, të tjerë për shkak të besnikërisë ndaj traditës partiake, e cila thotë se nuk mund të jesh socialist pa qënë marksist. Detyra kryesore e kongresit të fundit ishte të pajtonte dëshirën për një moralitet superior ndaj vrasjes me vendosmërinë për t’i qëndruar besnik marksizmit. Por, nuk mund të pajtohen të papajtueshmet.
Nëse marksizmi është i vërtetë dhe që ka një logjikë në Histori, atëherë realizmi politik është legjitim. Sikurse është njëlloj e qartë që nëse vlerat morale të proklamuara nga Partia Socialiste janë legjitime, atëherë marksizmi është absolutisht i gënjeshtërt, përderisa pretendon të jetë absolutisht i vërtetë. Nga ky këndvështrim, përpjekja për të “shkuar përtej” Marksizmit në drejtimin humanitar dhe idealist është një shaka ose një ëndërr vere. Është e pamundur të “shkosh përtej” Marksit, pasi ai e çoi mendimin e tij në ekstreme logjike. Komunistët kanë një bazë të fortë logjike për të përdorur gënjeshtrat dhe dhunën që refuzojnë socialistët dhe ajo bazë është pikërisht dialektika që socialistët duan të ruajnë. Prandaj, nuk është e habitshme që kongresi socialist mbaroi duke parashtruar në të njëjtën kohë dy pozicione që e kundërshtojnë njëra-tjetrën, një përfundim steril i cili u pasqyrua në rezultatet e zgjedhjeve të fundit.
Në këtë mënyrë, paqartësia do të mbretërojë gjithmonë. Ishte e nevojshme një zgjedhje dhe socialistët nuk deshën ose nuk mundën të zgjidhnin.
E zgjodha këtë shembull jo për të hedhur poshtë socialistët, por për të ilustruar paradokset ndër të cilat jetojmë. Për të hedhur poshtë socialistët, dikush duhet të jetë superior ndaj tyre. Kjo nuk ka ndodhur akoma. Përkundrazi, mendoj se kjo kontradiktë është e zakonshme për të gjithë ata për të cilët flas, të cilët duan një shoqëri të shijueshme dhe të respektueshme; ata të cilët duan që njerëzit të jenë njëkohësisht të lirë dhe të drejtë, por të cilët hezitojnë ndërmjet një lirie e cila tradhëton drejtësinë dhe një drejtësie që shtyp lirinë. Ata të cilët dinë Çfarë Duhet Bërë ose Çfarë Duhet Menduar qeshin me këtë ankth të patolerueshëm. Por, do të ishte më mirë nëse do të përpiqeshin ta kuptonin dhe sqaronin këtë ankth, në vend që të talleshin me të. Të shikojnë çfarë nënkupton, të interpretojnë një refuzim quasi total të botës që e provokon dhe të përpiqen të hetojnë gjurmët e shpresës së zbehtë që ekziston.
Një shpresë e cila është e bazuar pikërisht në këtë kontradiktë, përderisa i detyron- ose do i detyrojë- socialistët të bëjnë një zgjedhje. Ata ose do të pranojnë që qëllimi justifikon mjetin, duket legjitimuar vrasjen në këtë mënyrë, ose do të hedhin poshtë idenë e marksizmit si një filozofi absolute, duke u mjaftuar vetëm me aspektin kritik të saj, çka është shpesh mjaft e vlefshme. Nëse zgjedhin opsionin e parë, kriza e tyre morale do të shkojë drejt fundit dhe pozicionet e tyre nuk do të jenë më të dyjëzuara. Nëse zgjedhin të dytin, ata do të thjeshtojnë fundin e ideologjive në epokën tonë, pra të Utopive absolute që shkatërrojnë vetveten me çmimin e asaj që kërkojnë të arrijnë. Do të jetë atëherë e nevojshme të zgjedhim një Utopi më modeste dhe më pak të kushtueshme. Të paktën refuzimi i legjitimimit të vrasjes na detyron ta shtrojmë çështjen në këtë mënyrë. Po, kjo është pyetja që duhet të ngrejmë, pavarësisht se asnjë nuk do të mundet të japë lehtësisht një përgjigje.
Solli në shqip Akri Çipa