Guardia di Finanza publikoi raportin për kultivimin e hashashit dhe luftën që po bën Policia ndaj këtij fenomeni, që opozita thotë se është pesëfishuar dhe akuzon drejtpërdrejtë ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për këtë. Por a është shtuar apo pakësuar kultivimi i hashashit në Shqipëri? Ç’raporte ka policia dhe Ministria e Brendshme me Prokurorinë e Përgjithshme? Dhe përgjigjia e Tahiri për kërkesat për legalizimin e hashashit….
Për këto dhe të tjera pyetje, i ftuar këtë të hënë në Top Story është ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Intervista
Sokol Balla: Në fjalën tuaj të ditës së premte, për herë të parë përmendet fjalën problem, një gjë që nuk e kishit pohuar deri më atë ditë. Gjithmonë, Kryeministri juaj dhe jua e mohonit pas eleminimit të problemit të Lazaratit, para të cilit kanabisi dhe mbjellja e tij në Shqipëri ishte në fakt një problem. Jeni dakort që sot është kanabisi një problem?
Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm: Kjo Qeveria e ka pranuar që në ditën e parë të punës së saj që Shqipëria ka një problem me kultivimin e kanabisit. Nuk e kemi fshehur. Nuk kam asnjë droje ta them publikisht që Shqipëria ka një problem, ashtu sic ka çdo vend që është në përballje të vazhdueshme nga kjo lloj paligjshmërie. Shifrat e GDF e konfirmojnë në mënyrë zyrtare, Shqipëria para 2013 ka patur një problem të madh të cilin nuk e ka adresuar, ndërkohë që pas 2013 ka një problem, ndonëse më të vogël që po e adreson me të gjitha kapacitetet tona.
Sokol Balla: Kur thoni problem i vogël çfarë referoni, sepse e thënë në shifra nuk duket edhe aq problem i vogël?
Saimir Tahiri: Për ta bërë më të qartë, sipas Guardia Di Finanza, Shqipëria në 2013 kishte 323 Ha, nga këto vetëm 7 përqind shkatërroi policia, ndërkohë që këtë vit Guardia Di Finanza konstatoi se janë 210 Ha, pra më pak , rreth 35 përqind më pak dhe policia shkatërroi 99.8 përqind.
Sokol Balla: Ka një diferencë tek shifrat që ju thoni sepse 323 përfshin Lazaratin. Pa Lazaratin kanë qenë 14 ose 17 hektarë. Pra po flasim për një gjë që ju e keni zgjidhur, pra Lazaratin dhe për këtë keni marrë edhe lëvdatat e mjaftueshme, por flasim për 213, pra për një shtim eksponencial të parcelave jashtë Lazaratit.
Saimir Tahiri: Shifrat e GDF kërkojnë një interpretim unik dhe jo interpretim të ngurtë të shifrave. Në 2013, hapësira e monitoruar është 361 hektarë, nga të cilat 323 janë të kultivuara me kanabis, nga 323, 319 janë vetëm në Lazarat. Kjo do të thotë që shumica dërrmuese, 99 përqind e monitorimit është fokusuar në Lazarat, është kjo arsyeja pse 25 misione fluturimi gjithsej, ose 59 orë nuk kanë gjetur parcela jashtë Lazaratit. Por unë kam bërë publike edhe në Parlament raportet sekrete të policisë, ku shkruhej qartësisht çdo cep i Shqipërisë ku ishte gjetur kanabis. Në vitin 2016, janë dyfishuar orët e monitorimit, janë 105 orë monitorimi me avionë. Janë të shtrirë 42 misione me mbi 100 orë fluturimi. Hapësira e monitoruar është 506 hektarë…
Sokol Balla: 506?! Prap i referohemi vetëm 17 përqind të territorit dhe këtë e thotë GDF, nuk e them as unë dhe as zoti Basha.
Saimir Tahiri: 506 hektarë, nga të cilat 230 janë të kultivuara dhe të shkatërruara janë 99.8 përqind e tyre. Ndërkohë, në 2013 policia shkatërroi 7.5 përqind. Nëse me pak orë monitorim të fokusuar në Lazarat konstatoheshin 323 hektarë dhe policia shkatërronte 7.5, sot me dyfishin e orëve të fluturimit, me autonomi të plotë për oficerët e GDF që të fluturojnë në gjithë Shqipërinë, me teknologjinë 100 përqind të përmirësuar, ne kemi 213 hektarë të kultivuar prej të cilave policia shkatërron 99.8 përqind dhe kjo është hera e tretë që Policia shkatërron mbi 99 përqind të parcelave të gjetura. Nuk po i them këto shifra për justifikim apo krenim. Unë besoj që kemi një problem me kanabisin, por…
Sokol Balla: Përse nuk është pranuar ky problem në mënyrë “të përulur” gjatë gjithë këtyre muajve gati më shumë se një dy vitesh që vazhdon ky debat, asnjëherë nuk është pranuar që ka problem. Gjithmonë është thënë jo nuk ka problem. Praktikisht, situata nuk qënka kaq e mirë, as kaq problematike dhe as kaq shumë nën kontroll…
Saimir Tahiri: Unë mendoj të kundërtën.
Sokol Balla: Si mendon të kundërtën kur këto të dhëna i referohen 17 përqind të territorit? Çfarë ndodh me 83 përqind të territorit tjetër?
Saimir Tahiri: 83 përqind e territorit është qytete, lumenj, liqene, male dhe fusha ku mbillet kulturë normale bujqësore. Është shumë e qartë analiza që bëjnë ekspertët italianë dhe Guardia di Finanza lidhur me zonat e rriskut dhe hapësirat ku potencialisht mund të kultivohet kanabis. Unë nuk di kur kjo qeveri të mos e ketë pranuar këtë problem.
Sokol Balla: Ju thatë që problemi mbaron pas Lazaratit.
Saimir Tahiri: Unë e kam thënë në këtë studio që nuk është një problem vetëm i policisë, që nuk zgjidhet në një ditë dhe madje nuk është problemi fillestar. Problemi real është varfëria, papunësia, padrejtësia dhe pabarazia. Këto janë problemet në themel që ne duhet të adresojmë dhe pastaj paralelisht edhe kanabisin. Ne kemi thënë që është një problem pavarësisht se është më i vogël krahasuar me qeverinë e kaluar. Sot flasim për një fenomen që është produkt i disa problemeve të tjera që ne kemi trashëguar për më shumë se dy dekada.
Sokol Balla: Cilat janë këto probleme?
Saimir Tahiri: Unë nuk e quaj dot qytetarin e varfër të zonave më të thella të Shqipërisë as trafikant, as kolumbian siç bën opozita, pasi për shkak të varfërisë ai shkon në ngasje për të mbjellë kanabis me të cilat çon nëpërmendje që mund të zgjidhë hallet e veta ekonomike.
Sokol Balla: Pra këta 248 të arrestuarit që thotë raporti i GDF janë të gjithë hallexhinj?
Saimir Tahiri: As atë që shkon për të punuar në një arë kanabis për të zgjidhur hallin që ka me punësimin nuk e quaj dot trafikant apo qytetar të republikës së drogës. Për mua janë qytetarë shqiptarë me 1001 halle mbi supe, që 20 vjet nuk ja ka zgjidhur as politika dhe as pushteti. Unë këta i kuptoj, por nuk i mbështes. U bëj thirrje që të rikonsiderojnë mënyrën e jetesës sepse nuk është kurrë zgjidhje as për varfërinë, as për papunësinë, as për pabarazinë që kemi. Nuk kuptoj kurrë të gjithë ata që trafikojnë, shfrytëzojnë dhe shpërndajnë drogë nëpër rrugët e Shqipërisë, ashtu siç nuk kuptoj cilindo intelektual të 3 km/katrorë që i ka fryrë bilbilit të legalizimit të kanabisit duke çuar në mendjen e njerëzve mesazhin e gabuar, që ndoshta legalizohet.
Sokol Balla: Kur ju nuk arrini si qeveri ta zgjidhni këtë si problem, ndoshta legalizimi është zgjidhja?! Këta 400 autorët, 248 të arrestuarit tuaj, këta çfarë janë?
Saimir Tahiri: Pjesa më e madhe janë njerëz që kanë marrë përsipër këtë sipërmarrje të paligjshme.
Sokol Balla: Hyjnë tek kriminelët apo tek hallexhinjtë?
Saimir Tahiri: Tek kultivuesit.
Sokol Balla: Tek hallexhinjtë!
Saimir Tahiri: Tek kultivuesit që janë njerëz të cilët në një mënyrë apo tjetër, unë nuk i kam hyrë analizës së kushteve ekonomike të seciit, por janë njerëz që kanë patur ngasje për të shkelur ligjin për kultivimin e paligjshëm të kanabisit. Jo pak prej tyre janë edhe pjesa sipërore e këtij aktiviteti të paligjshëm që nxisin financiarisht apo trafikojnë kanabisin. Di të them me siguri që duhet të bëjmë një ndarje të problemit për t’i shkuar në themel.
Sokol Balla: Këtë thotë edhe opozita, që të arrestuarit nuk janë kapot, por hallexhinjtë. Dhe ja ku jeni ju sonte të thoni të njëjtën gjë siç thotë opozita.
Saimir Tahiri: Unë nuk mund të bëj dot të njëjtën gjë si opozita, e cila i quan kolumbianë dhe narkotrafikantë shqiptarët nga një anë…
Sokol Balla: Ju quan ju në fakt…
Saimir Tahiri: Mua më ka quajtur që ditën e parë të punës dhe nga ana tjetër nuk mund të bëj dot atë që e ka bërë Qeveria e kaluar, që e ka fshehur këtë problem që ka qenë aty, pavarësisht se ne flasim sot për herë të parë. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë aty gjithë kohës, Lazarati, Lumi i Vlorës, Dukagjini, Kruja, Burreli, Korça, Tirana. Pra në çdo cep të Shqipërisë ka qenë e kultivuar. Kam raportet sekrete të policisë që konfirmojnë çdo fshat në të 12 qarqet ku është gjetur kanabis kur ministër ka qenë Bujar Nishani, kur ka qenë i ndjeri Sokol Olldashi, Lulzim Basha dhe ky tjetri…harroj një ministër.
Sokol Balla: Zoti Noka.
Saimir Tahiri: Po zoti Noka. Problemi ka qenë aty. Ne sot nuk jemi përballë shtimit të fenomenit, shtimit të hapësirës së kultivuar. Ne sot po evidentojmë më shumë.
Sokol Balla: Kjo është të fshihesh pas gishtit. Ju vetë në shifrat tuaja të një viti më parë 1286 parcela të asgjësuara, viti 2016 2082 parcela të asgjësuara. Pra janë gati 1 mijë parcela më tepër të asgjësuara nga policia. Kjo do të thotë që këtu paskemi një problem, që sipërfaqet janë shtuar, siç janë shtuar faktet, raportet akuzat, fluturimet e avionëve. Pra këtu praktikisht, jemi në limitet e një emergjence dhe këtë nuk e them vetëm unë dhe vetëm zoti Basha, por e thotë edhe zoti Meta, që ka folur për një platformë kombëtare kundër drogës.
Saimir Tahiri: Nuk është shtuar kultivimi i kanabisit nga viti në viti, tani është shtuar kapaciteti ynë për ta identifikuar dhe luftuar. Nëse unë them që ne kemi zbuluar dhe shkatërruar më shumë, ky nuk është dështim, ky është sukses. Nëse ju them që dje aty ka qenë…
Sokol Balla: Nëse e shohim problemin vetëm në punën e Ministrisë, ndoshta, por nëse e shohim në një kend më të gjerë, atëherë kemi një problem shumë të madh.
Saimir Tahiri: Nëse ju them që aty ishte dje dhe nuk e shkatërronte njeri, ky po që është dështim. Unë sot po ju them këtu dhe mbaj përgjegjësi për këtë, aty ka qenë ky problem. Aty është mbjellë kanabis, jo vetëm në Lazarat, por në të gjithë Shqipërinë dhe kjo është e konfirmuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe raportet sekrete të policisë që unë i kam bërë publike. Është një problem që ka qenë aty që ne sot po e zgjidhim. Ne sot po e përballim dhe këtë po e bëjmë me dije tek shqiptarët dhe nuk po e fshehim. Kjo do të ishte më mirë për mua. Nuk do të kishim akuza, do ishim në rregull me opozitën, por Shqipëria do të ishte po aty, njëlloj si para 2013. Unë nuk kam preferuar këtë. Kam preferuar që të përballem me këtë fenomen pa iu fshehur bashkë me shqiptarët, bashkë me ata që opozita i quan kolumbianë sepse unë mendoj që më mirë ta përballim këtë fenomen sesa t’i fshihemi. Më përmende avionët që i thyhet rrota. Nuk dua të jem cinik, por nuk e kuptoj këtë mediokritet kolektiv lidhur me këto fenomene, në çdo vend të botës, sidomos në luftën kundër kanabisit, të shkatërrosh më shumë është sukses. Në Itali vjet ka qenë gati 50 përqind më shumë hapësira e kultivuar në raport me 2014, këtë vit është më shumë dhe po kështu në të gjithë rajonin. Ky mediokritet bëhet akoma më i madh kur përmenden avionët. Në të gjithë shkencën e studimit të këtyre fenomeneve ky konsiderohet një sukses i policisë për të luftuar rrugët tradicionale të trafikimit. Pra, nëse ju nuk do të shikonit atë avionin, si rrugë ekstreme e trafikimit, me plot të drejtë do të mendonit se këtu kalon nga Porti i Durrësit, nga Aeroporti i Rinasit.
Sokol Balla: Vetë Guardia Di Finanza ju tha se prapë rrugët detare po riaktivizohen, me mjete të çuditshme, si morë uji…
Saimir Tahiri: Edhe ai motori i ujit që kalon Kanalin e Otrantos tregon që ka rezistencë nga policia, pra ai është një rafinim i dëshpëruar i botës së krimit përballë masave të policisë. Nëse një tunel nga Meksika në SHBA, apo një transport me nëndetëse nga Amerika Latine drejt SHBA është parë si fenomen disa herë, nuk është dështim i autoriteteve amerikane, por sukses në rrugët tradicionale të trafikimit. Kjo është e gjithëpranuar në shkencën e interpretimit të këtyre fenomeneve.