Nën drejtimin e zv/ ministres se Brendshme Elona Gjebrea u zhvillua takimi rajonal për çështjet e kufirit, në të cilin u diskutua mbi situatën aktuale të migracionit ilegal si dhe përgjegjësive për të koordinuar veprimtarinë në përballimin e këtyre flukseve migratore nga vende të ndryshme.
Në fjalën e saj Gjebrea theksoi se Shqipëria do të bashkëpunojë me të gjitha vendet e rajonit, Bashkimit Europian për të ndihmuar në çështjen e fenomenit të emigracionit.
“Shqipëria e ka thënë vazhdimisht, në mënyrë të qartë pozicionin e saj: nuk jemi për politikë të dyerve të hapura dhe as për atë të dyerve të mbyllura, duke shprehur angazhim për zgjidhjen e situatës me të cilën mund të përballeshim.
Shqipëria sigurisht, asnjëherë nuk do të mbyllë apo do të krijojë gardhe, por do të bashkëpunoj me të gjithë vendet e rajonit, me të gjitha vendet e Bashkimit Europian për të ndihmuar për një zgjidhje europiane, me një bashkëpunim transparent, të hapur dhe të drejtë mes të gjitha vendeve”, tha zv/ministrja.
Po ashtu Gjebrea u shpreh se “sfidat themelore janë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet nesh, forcimi i sigurisë së kufijve, sigurive të brendshme, trajtimi i të zhvendosurve sipas standardeve më të mira humanitare dhe në respekt të plotë të të drejtave dhe lirive themelore”.