Mourinho edhe për humbjen e radhës fajin ua hedh lojtarëve

4 Nëntor 2016, 16:11Sport TEMA

Manchester United në qendër të akuzave. Një tjetër disfatë e pësuar nga José Mourinho, i mposhtur 2-1 nga Fenerbahce dhe Djajtë e Kuq që për momentin renditen të tretët në grupin e Europa League. Një paraqitje për t’u harruar, por që trajneri nuk mund ta kalojë lehtë. Pas ndeshjes, portugezi akuzoi lojtarët e tij:

“Problemi ynë lidhet me sjelljen e skuadrës në fushë. Fenerbahce luajti sikur të ishte një finale, ndërsa ne si në miqësore verore. Fenerbahce e meritoi fitoren. Futbolli nuk është vetëm kualitet, por edhe sakrificë dhe dëshirë për të luajtur përtej limiteve. Lojtarët e mi nuk ishin të përqendruar dhe as gati për këtë sfidë. Një ekip që pëson gol pas dy minutave lojë nuk është i përgatitur psikologjikisht dhe nuk është i përqendruar në detyrën e tij.”

 Mourinho foli edhe për sjelljen e kundërshtarëve në fushë:

“Ata kërkuan të kalonin në avantazh me çdo kusht, për ta vendosur ndeshjen në binarët e duhur. Më tej, ngadalësuan lojën, e vendosën gjyqtarin nën presion dhe simulonin në fushë. Megjithatë, kjo ndodhi vetëm për fajin tonë.”

Pas humbjes mediat britanike nuk e kursyen aspak trajnerin, duke theksuar se “Fenerbahce e mbyti United”, duke përdorur në mënyrë simbolike fotografinë e Ibrahimoviç që i vendosi duart në fyt një kundërshtari.

Në anën tjetër, Paul Scholes, një prej legjendave të “Djajve të Kuq”, shprehet se ndihet “pesimist për mënyrën si luan Manchester United”, ku për të gjithë Jose Mourinho është një prej përgjegjësve për periudhën e errët që po kalon ekipi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje