Zgjedhja e Trump-it dhe kriza e mediave

9 Nëntor 2016, 18:02Blog TEMA
Zgjedhja e Trump-it dhe kriza e mediave

 Gjovalin Kola

Për amerikanët që votuan për Donald Trump-in nuk është e papritur fitorja e tij. Në një kohë krize të shkaktuar nga globalizmi, emigracioni, pabarazia, korrupsioni i politikës dhe ndryshimet etnike e kulturore, ai tregoi se “american dream” mund të realizohet akoma. Por, zgjedhja e tij është një befasi e hidhur për elitën politike të SHBA-ve dhe mediat amerikane.

Në shumicën e tyre, këto media nuk arritën të kuptonin e vlerësonin valën e pakënaqësisë së popullit dhe nevojën e ndryshimit të pushtetit. Mjaft prej mediave hoqën dorë edhe nga paanësia e tyre dhe u bënë palë në procesin zgjedhor duke i servirur publikut informacione e sondazhe të pasakta në favor të njërit apo në dëm të tjetrit kandidat. Pas shpalljes së rezultatit, gazeta franceze Le Monde botoi një koment me titullin: “Fitorja e Donald Trump-it shënon orën e reflektimit për mediat amerikane.

” Aty kritikohet mënyra se si këto media pasqyruan fushatën presidenciale. Në vend që ta merrnin seriozisht ankthin e qytetarëve përballë globalizmit dhe emigracionit, gazetarët dhe analistët amerikanë u bazuan në opinionet e tyre negative për një “kandidat atipik” si Trump-i, i padenjë, sipas tyre, për president të SHBA-ve. Nga ana tjetër, këto media u bënë jehonë shumë artistëve, shkencëtarëve (edhe nobelistë), sportistëve, politikanëve të gardës së vjetër, të ashtuquajtur VIP-a, të cilët u përpoqën të ndikonin mbi zgjedhësit në dëm të kandidatit republikan ,“jokorrekt politikisht.” Këtë fushatë anti-Trump të mediave amerikane e kanë mbështetur edhe këto të kontinentit të vjetër, sidomos ato franceze, angleze, gjermane, italiane etj. Së bashku me deklaratat e politikanëve, deputetëve të Parlamentit Evropian dhe funksionarëve të ndryshëm të Brukselit, mediat evropiane u angazhuan në të njëjtën mënyrë edhe kundër Brexit-it.

Për ironi të fatit, në të dyja rastet ato dolën të gabuara. Arsyeja është se mediat perëndimore, sikurse elitat politike e intelektuale, duket se janë shkëputur nga realiteti, nga masat e popullit, nga shtresat e ulëta e të paarsimuara nga dalin individë të tillë “të padenjë e vulgarë”, si Trump, dhe zgjedhësit e tij. Të lidhura me pushtetin politik dhe ekonomik dhe në mbrojtje të interesave të tyre, këto media dhe elita nuk hezitojnë të dalin hapur edhe kundër zgjedhjes së një presidenti me votë të lirë e demokratike, vetëm pse ai nuk është modeli apo i preferuari i tyre. Kjo “orë reflektimi” vlen edhe për mediat shqiptare në prag të fushatës së re të zgjedhjeve që do të fillojë së shpejti.

2 komente në “Zgjedhja e Trump-it dhe kriza e mediave”

  1. Uns says:

    Mereni shembull nga gazeta Tema dhe profesionalizmi i Mero Bazes. Mero do jete redaktuesi i pare per te perjetshmin e shndritshmin Kim Jong Un.

  2. bob says:

    U hap tenderi per ndertimin e murit me Meksiken.Kerkohen muratore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje