Carlo Ancelotti mendon se 90 milionë eurot e paguara nga Juventus për sulmuesin Gonzalo Higuain nuk janë të tepërta, sepse – sipas tij – argjentinasi “është sulmuesi më i mirë në botë” bashkë me homologët e tij në La Liga dhe Bundesliga, Luis Suarez dhe Robert Lewandowski, me këtë të fundit të cilin e stërvit çdo ditë te Bayern München.
“90 milionë eurot që Juventus pagoi për të janë një investim i mirë, sepse lojtarët e mëdhenj kushtojnë shumë. Higuain është sulmuesi më i mirë në botë bashkë me Suarez-in dhe Lewandowski-n”, – konfirmoi tekniku italian për gazetën “Tuttosport“.
Ancelotti nuk arriti të punojë me ish-lojtarin e Napolit te Real Madrid, sepse në verën e vitit 2013, kur ai mbërriti në “Santiago Bernabeu”, “El Pipita” vendosi të braktisë “Galaktikët” për t’u transferuar në kampionatin italian, aty ku kishte më shumë mundësi për të luajtur. “Nuk doja që Higuain të largohej, por nuk arrita ta pengoja shitjen e tij, sepse ai donte të luante titullar dhe për këtë zgjodhi Napolin”, – deklaroi Don Carlo. Higuain aktualisht po zhvillon sezonin e tij të parë në Torino dhe deri tani ka shënuar 7 gola në 12 javë të Serie A. Mbase një ditë ai do të stërvitet nga mjeshtri i Bayern-it në Mynih.