West Ham dhe Manchester City kanë nënshkruar me dy lojtarë që do t’i përfaqësojnë në arenën e eSports dhe është e lehtë të kuptohet një zgjedhje e tillë kur mëson se ky eveniment do të ndiqet nga shumë tifozë dhe ku ekziston mundësia për të fituar qindra mijëra sterlina. eSports ka magjepsur botën e sportit me klubet e futbollit që po nxjerrin fitime nga një industri që flitet se do të ketë më shumë se 400 milionë ndjekës në 2019-ën. Industria eSports do të prodhojë rreth 469 milionë euro të ardhura këtë vit, ndërsa 200 milionë tifozët e këtij sport kanë tërhequr vëmendjen e shumë sponsorëve. Manchester City dhe West Ham janë vetëm dy nga skuadrat europiane që kanë vendosur të nënshkruajnë lojtarë të FIFA-s që t’i përfaqësojnë, me synimin për të nxjerrë fitime nga tregu i eSports që është në rritje të vazhdueshme.
Lojtarët online tani po paguhen që të luajnë për klubet profesioniste në lojën virtuale dhe efekti eSports, që nisi në Korenë e Jugut, tani po rivalizon sportet tradicionale kur flitet për të tërhequr adoleshentët. Një kampionat i organizuar në Seul ka tërhequr 40,000 spektatorë dhe këto numra do të vazhdojnë të rriten në vitet e ardhshme. Atëherë pse skuadra të Premier League po investojnë kohën dhe paratë e tyre për lojtarë që t’i përfaqësojnë në këto lojëra virtuale? Për të tërhequr një audiencë plotësisht të re. 90% e ndjekësve të eSports janë meshkuj mes moshës 18 dhe 24 vjeç, kështu që skuadra si Manchester City dhe West Ham shpresojnë që t’i kthejnë këta ndjekës në tifozë të futbollit. Ligue 1 ka krijuar një e-Ligue ku 20 klubet e kampionatit francez do të sponsorizojnë dy lojtarë të FIFA-s që do të marrin pjesë në kampionatin virtual, me fituesin që do të kualifikohet te një Ligë Europiane. Loja e interaktive e Kupës së Botës së FIFA-s, në të cilën lojtarët mund të kualifikohen duke ngjitur vendet në renditje nga komforti i shtëpive të tyre në Ultimate Team, është loja më e ndjekur virtuale.
Procesi i kualifikimit ka filluar në nëntor të 2016-ës para finales së madhe që do të zhvillohet në Londër në ditët e fundit të gushtit të ardhshëm. 32 finalistë (16 lojtarë nga XboxOne dhe 16 nga PlayStation) – disa prej të cilëve do të kontraktohen nga skuadra profesioniste – do të përballen në finalen live për një çmim prej 185 mijë eurosh. Skuadra e Bundesliga-s Schalke ka vendosur që të nënshkruajë një skuadër lojtarësh që do të përfaqësojë klubin gjerman në League of Legends, një betejë me lojtarë të shumëfishtë që luhet online dhe që ka mbi 100 milionë lojtarë aktivë çdo muaj, raporton Telesport.
Twitch (një platformë ku shfaqen video live), që tani zotërohet nga Amazon, i lejon përdoruesit të bëjnë live streaming teksa janë duke luajtur për t’i dhënë mundësinë fansave që të jenë akoma më afër lojtarëve profesionistë. Amazon vendosi të investojë 1 miliard dollarë për shkak të numrit të madhe të ndjekësve që kishte Twitch. Kjo platformë tërheq mbi 100 milionë shikues çdo muaj dhe përdoruesit shikojnë një mesatare prej 104 minutash video në ditë nëpërmjet aparaturave të ndryshme. Lojtarët profesionistë të kësaj loje virtuale kanë filluar të trajtohen si idhuj nga ndjekësit e tyre, ndërsa ofrojnë këshilla se si duhet luajtur në Twitch. Vetë kompania e lojërave elektronike EA organizon kampionatin e tyre dhe do të ofrojnë shpërblimin më të madh ndonjëherë prej 1,3 miliard dollarësh për një turne të EA Sports.