Historia tronditëse e Hatlijes: Si vdiq pa faj një prej viktimave të Sigurimit

20 Nëntor 2016, 09:40Dossier TEMA

Një krevat i thjeshtë, me një batanije prej leshi, çarçafë të bardhë, me vetëm një komodinë, mbi të cilën është vënë një abazhur, një mbajtëse palltosh, por edhe një tualet. Kjo është një ndër dhomat e muzeut të ri “Bunkart”, kushtuar viktimave të regjimit komunist: është dhoma ku do rrinte ministri i Brendshëm në rast sulmi atomik.

Në paradhomën e saj, ku duhej të ishte salla e mbledhjeve qëndron një nga kompjuterët e parë të përdorur nga Ministria e Brendshme, i prodhuar më 1977. Libra, komedia, makina shkrimi, rafte qëndrojnë në kthinën para paradhomës.

Në korridore e dhoma, me foto, video, muzikë, imazhe, dokumente, riprodhime dosjesh, drita a errësirë, gjendja që krijohet është riprodhim i terrorit. Nga hekurat ‘e burgut’ mund të shquash një ‘të burgosur’ lidhur këmbësh e duarsh me zinxhirë, i shtrirë në pragvdekje.

Policë a ushtarakë të armatosur, anipse prej kartoni dalin nga fotografitë deri në paraderë; mandej qentë e frikshëm të kufirit dëgjohen të lehin, ndërsa lista shqiptarësh të burgosur enden në ajër, nga tavani drejt dyshemesë si shpirtra të mbetur pezull. Mundesh, në një dhomë të shohësh se si, të vdekurit identifikoheshin përmes kafkave: janë tri foto, dy të kafkës, e një e njeriut që u shua.

Tabela të mëdha rikujtojnë në shqip e anglisht urdhrat e Meh-met Shehut për pushkatim, porositë për vëmendje të Enver Hoxhës, rijepen mirkrofilmat a mjetet e përgjimit, krahas viktimave të tyre. “Trupi i liruar nga vdekja”, shënohet në mur, krah një xhakete të lënë nga ai që vdiq, ndërsa në dysheme, rrethuar me ‘shkumësin e skenës së krimit’ qëndrojnë pantallonat e njërit prej tyre. Pas një deriçke të mbyllur, dëgjohet zëri i Kiço Ngjelës, në një incizim origjinal. Prangat janë vënë ngushtë në mëngë xhaketash, ndërsa renditen mënjanë, të tëra llojet e torturave dhe të tëra mënyrat që Sigurimi i Shtetit përdorte për të shuar jetë. Më poshtë, është një rast i pacekur i njërës prej tyre, një vajzë e re, të cilës i është lënë një anë muri në muze.

Historia e Hatlijes

Si vdiq pa faj nën tortura një prej viktimave të Sigurimit

Detajet e dhunës ndaj Hatlije Tafajt në raportin e një efektivi të Sigurimit “I nënshkruari N/Toger Anastas Dushku, anëtar Partie prej datës 28-VIII-44, efektiv i Seks. Sigurimit Ministris Mbr. Kombëtare, parashtroj atij Komiteti Central, sa më poshtë: …nga muaj prill-maj 1945, në ish-Batalionin e IV të Brigadës i M.P. (ish-kuestura e vjetër, në rrugën e Barikatave), silleshin të burgosun prej Drejt. Sigurimit dhe mbaheshin në birucat të cilat i kishte krijuar që me kohë fashizmi. Atëherë kanë sjellë aty të arrestuar dhe një shoqe, për të cilën mësova që ishte anëtare Partie. Vinin nga Drejt. e Sigurimit çdo natë oficerë dhe e merrnin në pyetje duke e torturuargjithë natën. Kështu vazhdoi mjaft kohë dhe dukesh se kjo shoqe nuk tregonte gjë, sepse torturat vazhdonin gjithnjë, deri sa një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje dhe nga jashtë dhomës së pyetjeve digjonja që ajo të përsërisë dendur emnin e Partisë. Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerrshme. Atëherë më ishte dhënë rasti t’a shoh, ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje t’a përshkruaj këtu në letër.

Dhëmbët e para i kishte të thyera, pastaj ngaqë nuk ishte në ment, ndyeshe në vete dhe kështu ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësira. Nuk munD t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirrte. Me këtë pamje ajo i përgjiste një shtrige dhe jo një vajze 18-20 vjeçare. Por oficerat e Sigurimit vazhdonin t’a merrnin në pyetje edhe në këtë gjendje, por me sa mësova ajo nuk kish treguar gjë me gjithë torturat barbare që i bënin, kështu që ata u siguruan që ajo ishte e pa-fajshme. Por në gjendjen që ajo ishte nuk mundeshe që t’a lironin, prandaj e hoqnë nga biruca ku e kishin dhe e vunë në një dhomë të mirë me ajër dhe diell në katin e sipërm, e ushqenin tashi mirë, me qëllim që ajo të përmirësoheshe dhe pastaj t’a lironin.

Por ajo vazhdonte të mos ishte në vehte. Dhe një ditë në atë gjendje anormaliteti që ishte u hodh nga dritarja e dhomës së saj 8-10 metra lart, theu këmbën dhe dorën, dhe në këtë gjendje u çua në spital…. Mbas disa javësh mësova që i kishin prerë në spital një dorë dhe një këmbë dhe së fundi vdiq e çmendur. Emnin e kësaj shoqeje, e kësaj antareje Partie që kaq tmerrsisht u torturua, nuk munda t’a mësoj, por për këtë dhe për hollësira të tjera reth këtij krimi të pyetyet kapiten i Irë Sh. Skënderi, tash efektiv pranë Komandës Divizjonit Mbrojtjes Popullit, i cili n’atë kohë ish-Zv. Komisar i Batalionit IV të Brigadës I M.P. dhe ka marrë pjesë në torturimin e saj”./GSH

6 komente në “Historia tronditëse e Hatlijes: Si vdiq pa faj një prej viktimave të Sigurimit”

  1. Robi says:

    Tmerrrrrrrrrrrrr, Tmerrrrrrrrrrrrrrrr, Tmerrrrrrrrrr, mos e harroni kurre kete faqe te zeze te historise njerezore ne menyre qe te mos perseritet.

  2. Petro says:

    O Robi.Keta nuk e harrojne kurre, keta.Vetem se kane ndryshuar ca koherat dhe i thone derrit daje, pa e dine populli se c’do te hiqte perseri.Niperit dhe sterniperit e kasaj kategorie, askush nuk i do edhe sot e kesaj dite.Gjithcka eshte demagogji.Duan t i thone Europes se jane ndryshe, se ajo epoke ka mbetur prapa, por nga ana tjeter pikerisht kete shtrese(ata qe nuk u lepihet neper kembe), edhe pse me diploma te shkelqyera ne perendim e pushojne nga puna.Kjo eshte rivrasja e dyte, e trete.Ndodh ne epoken e ashtuquajtur demokraci po qe s eshte gje tjeter vec demokomunizem.Po me keot e kane.Nuk dalin dot nga vorbulla e krimit, nuk e lajne dot gjakun qe kane derdhur me muze te tille.Duket sikur me to duan te frikesojne popullin, te hesht se keshtu do ta pesoje perseri.I ngjajne Makbethit qe perpiqej te hiqte njollat e gjakut neper duar nga vrasja qe kishte bere dhe s’i hiqte dot. por i ka mallkuar Zoti per vellavrasjen qe kane bere dhe per mos pendesen dhe babezine.

  3. Illyrian says:

    Me siguri, partia dhe krye haleja, nuk dinin gjë për çka ndodhte.

  4. Ballisti says:

    Eh frymezim! Une beje kuaj me çizme meksikane,zhaba ne hallçi,bej pemet te qajne,zogjet te lotojne,foriserio,mama! Nuk e morem vesh,dhe nuk u tha,pse e torturuan vajzen? Vetem qe nuk tregonte? per çfare nuk tregonte? Cilido qe ka dhunti te shkruaj e te fantazoi,ka tagrin edhe te shtoi e te zbukuroi nje ngjarje,ta beje ate me te shemtuar,apo dhimbeshme.Tregimi eshte pak i dyshimt,ka zmadhime.

  5. Baton Gostivari says:

    KOMUNISTË, ANTISHQIPTARË!

    Përgjigjuni PSE KY TMERR dhe mijëra tmerre ndaj njerëzve të të njejtit gjak, e kushdo qoftë!
    Rrëfimi është autentik. Pse nuk përgjigjet (nuk i dëgjohet zëri) bashkëxhalatit Sh. SKËNDERI

    KOMUNISTË, vëllezër të Dushanave të Miladinave, përgjigjuni, folni – PSE!

  6. Po citoj nje rresht nga shkrimi:…ndersa renditen menjane,te gjitha llojet e torturave dhe te tera menyrat qe sigurimi i shtetit perdorte per te shuar jete.Une mendoj se nuk eshte korrekte,nuk i pergjigjet realitetit.Pas kaq shume boje te zeze qe eshte hedhur ndaj sigurimit te shtetit,gati eshte absurde te perpiqesh te vesh re ndonje pasaktesi,por per hir te se vertetes duhet ti themi lexuesve se se pari sigurimi i shtetit ishte organ informativ,se pas arrestimit personat e akuzuar, ligjerisht, nuk ishin ne duart e sigurimit te shtetit por te hetuesve te cilet edhe nepermjet dhunes perfundonin hetimin.Eshte per tu theksuar se asnjehere ne legjislacion nuk eshte parashikuar “llojet e torturave”sic behet fjale ne shkrim.E verteta eshte se ne te shumten e rasteve mbyllej njeri sy se sipas mendesise se asaj kohe ne fund te fundit ndaj ” armikut te klases ” po perdorej,por eshte e pabesueshme per lexuesit se herepashere jane denuar punonjes te hetuesise me heqje lirie,vetem per faktin se kane perdorur dhune e tortura gjate procesit hetimor.Pra poshtersite e sigurimit,per hir te se vertetes kryeshin para se personat e akuzuar arrestoheshin.Kjo eshte e verteta.Sot rezulton se keta ish hetuesa te kohes se diktatures,na jane shnderuar ne gjykates,prpkurore,avoketer apo notere ndersa sigurimsat moren ate qe meritonin perbuzjen e madhe e pamundesine per tu ingranuar ne administraten shteterore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje