Nga një trajner që ishte një hap larg shkarkimit, te trajneri që kryeson i vetëm Premier League. Jeta e Antonio Conte në drejtim të Chelsea-it është përmbysur në harkun e një muaji e gjysmë. Pas fitores të arritur të dielën kundër Middlesbrough, tifozët e “Blues” kanë thirrur në kor “Antonio” dhe shtypi anglez ka filluar të flasë për “Conte’s Way” (Mënyra e Conte-s).
Sekreti i suksesit të londinezëve qëndron te ndryshimi i skemës dhe te besimi që trajneri italian ka treguar tek ata lojtarë që ishin lënë në harresë si Moses dhe Pedro mbi të gjithë.
Por ish-tekniku i Italisë është kthyer të flasë edhe për Juventus-in, skuadrën që ai e ktheu te suksesi në kampionatin italian dhe që tani është në rrugën e duhur për të fituar titullin e gjashtë radhazi në Serie A.
“Juventus, që është skuadra e tetë në botë për sa i takon shumës që shpenzon për pagat e lojtarëve, nuk mund të kufizohet vetëm te Seria A”.
Ndoshta duhet të kërkojë suksesin në Champions League sepse, siç ka kujtuar edhe vetë Antonio Conte: “Nëse rivalët të shesin Higuain dhe Pjanic, gjithçka është më e lehtë”.