Një aksident tragjik i ka marrë jetën mbrëmjen e së hënës në qendër të Tiranës fituesit të “X-Factor Albania” dhe mikut të tij, teksa udhëtonin me motorin me targa AP105.
Viktimat janë këngëtari Ergi Dini, 22 vjeç, nga Shkodra, që ishte pasagjer dhe Klejdi Halili, 21 vjeç, drejtuesi i mjetit.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:20, në bulevardin “Bajram Curri”, pranë urës së ish-Bllokut.
Këngëtari Ergi Dini dhe miku i tij Halili mësohet se udhëtonin në rrugën kryesore, kur drejtuesi humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përplasur në asfalt dhe trotuar. Pasojat ishin fatale.
Të rinjtë u dërguan të plagosur rëndë në QSUT nga policia.
Por mjekët thanë se rreth orës 21:50, gjysmë ore pas mbërritjes, ata ndërruan jetë që të dy.
Të rinjtë kishin dëmtime serioze në pjesën e kokës dhe shembje të brendshme, ndaj edhe nuk mundën të mbijetonin.
Lajmi është përhapur menjëherë në rrjetet sociale se një prej viktimave ishte pikërisht fituesi i edicionit të vitit 2014 për talentet e reja të këngës.
Policia tha se nisi menjëherë hetimet dhe paraprakisht përveç shpejtësisë dhe humbjes së kontrollit shkak është bërë edhe mungesa e kaskave mbrojtëse, skafandrave.
Kush është Ergi Dini
Këngëtari Ergi Dini, 22 vjeç lindur në Shkodër.
Edhe pse i ri në skenën muzikore shqiptare, që në moshë të re ai ka spikatur me zërin dhe talentin e tij në të kënduar.
Aq sa kur ishte vetëm 20 vjeç, do të shpallej fitues i konkursit muzikor të famshëm “X Factor”.
Pas një konkurrimi në vitin 2014, ai do të fitonte “X Factor”.
Një vit më vonë ai do të konkuronte në “Kënga Magjike” me këngën “Pa frymë”, por që nuk do të arrinte të fitonte.
Megjithatë për të karriera sapo kishte nisur.
Në 2016, këngëtari do të sillte dy këngë të shoqëruara me videoklipe, përkatësisht “Morphine” dhe “Asnji gram”.
NJË HUMBJE E MADHE PËR FAMILJEN DHE TË GJITH SHOQËRINE.
NUK MUND TE GJEJ FJALË PËR KETE HUMBJE TË PARAKOHSHME.
NGUSHËLLIME FAMILJES TË NDËRUAR E TE RESPEKTUAR, DINI.
ME NDERIME DHE RESPEKT.
Sa keq po me vjen, Ergi nje ze i shkelqyer, nje djale me bote te madhe, i lehte i qofte dheu!