Gareth Bale do operohet, mungon 2-3 muaj

24 Nëntor 2016, 16:32Sport TEMA

Reali i Madridit humbet shërbimet e Gareth Bale për të paktën dy muaj. Nuk përfundon kalvari i gjatë i dëmtimeve për sulmuesin e Realit të Madridit. Lëndimi i fundit i pësuar në sfidën e Championsit-it ndaj Sportingut të Lisbonës ishte i 15-ti për uellsianin që nga periudha që ka firmosur për Realin e Madridit. Dëmtimi në ndeshjen ndaj skuadrës portugeze, rezultoi shumë më i rëndë sesa parashikohej fillimisht, me Bale që ka vendosur të operohet për të lënë pas problemet në gjurin e këmbës së djathtë. Në këtë mënyrë Bale do të operohet në Londër dhe për tu rikthyer sërish në fushë ka nevojë për 2 muaj pushim absolut, ndërkohë që faza e riaftësimit të tij mund të zgjasë deri në 3 muaj. 27-vjecari humbet kështu ndeshjet e mbetura të këtij viti por edhe sfidat e para të 2017-tës. Mungesa e tij do të ndihet te Reali i Madridit në El Clasicon e 3 Dhjetorit ndaj Barcelonës dhe në sfidën e Championsit ndaj Dortmundit, 4 ditë më pas që mund të vlejë vendin e parë në grupin F.

Pas Toni Kroos dhe Alvaro Moratës trajneri i Los Blancos, Zinedine Zidane humbet një tjetër lojtar me peshë me dhimbjet e kokës që shtohen tashmë për teknikun francez.  Që nga 2013-ta ai numëron në total 15 dëmtime, me një mesatare prej 4 lëndimesh për sezon. Uellsiani është një nga futbollistët më të rëndësishëm që ka në dispozicion klubi merengues dhe njëkohësisht blerja më e shtrenjtë e gjithë historisë së Realit. Kalvari i dëmtimeve të Bale ka nisur në sfidën e parë që ai ka zhvilluar në Bernabeu me fanellën e Realit pikërisht në 22 Shtator të vitit 2013-të, në takimin ndaj Getafes, por dukej se këtë vit gjërat po shkonin mirë për 27-vjecarin nga Cardiffi i cili kishte humbur vetëm ndeshjen ndaj Espanyolit në La Liga për shkak të një goditjeje. Gjithsesi dëmtimi numër 15 i Bale që nga momenti që është bërë pjesë e Los Blancos erdhi në ndeshjen ndaj Sportingut, me fatin e keq që vazhdon të përndjekë uellsianin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje