Pse une jam me Mirelen

24 Nëntor 2016, 19:26Blog TEMA
Pse une jam me Mirelen

Nga Kristo Mërtiri

Pranë urës te Brryli në Kryeqytet, aty ku qeveritë na kanë vënë brrylin dhe Kryeministri u hedh sytë fshehurazi të papunëve çdo mëngjes e mbrëmje kur vjen e ikën për tek vila-bunker në Surel, unë dhashë këtë përgjigje titull shkrimi. E respektoj shumë kuvendimin e njerëzve që nuk lypin lekë me dorën gjysmë të shtrirë nëpër lokale e rrugë, nuk lypin poste e privilegje me nder tendera, borde e rroga të larta shtetërore. Këto vatra të vegjëlisë pa mbështetje e përkrahje partiake e pushtetore, janë një nga të vërtetat lakuriq të kësaj kohe “bishtdhelpër” që na dhuroi në miniaturë sheshet drithëruese me emrin tronditës “Omonia”. Sheshe me refugjatë në dheun e tyre, në Shqipërizën tonë dhimbjeshumë ! Fryte të qeverive që vijnë e shkojnë me këmbët në yzengji, nëpër veturat luksoze me shoferë dhe eskorta gardiste që paguhen jo keq edhe nga kurrizi i këtyre fukarenjve taksapagues. Veçse për mua, ata kryefamiljarë të lodhur, të raskapitur e të mbytur nga trishtimi, janë nga “lypsarët” më dinjitozë në këtë botë të trazuar. Të gjithë lypin gjënë më njerëzore, më qytetare, më të ligjshme e më të pafajshme në jetë, lypin PUNË !…Shkurt, duan të shërbejnë dhe aspak të mashtrojnë a rrëmbejnë pa djersën e ballit. Duan të sigurojnë koromanen e përditëshme për fëmijët që mbijetojnë nga duart e tyre punëtore. Thirrja migjeniane “Bukën e përditshme, falna sot !”, dëgjohet në çdo pëllëmbë pranë urës te Brryli; rreth Partizanit të Panjohur që pret e përcjell i dëshpëruar gjer në kockë bashkëatdhetarët punëkërkues të përhershëm; te Unaza e Re; te Doganat në hyrje të Tiranës dhe në qytete të tjera të vendit tim. Ata nuk kanë nge të gjezdisin a të humbasin sadopak “mendjen” e streset nëpër pedonale e bunkerë hipokrizie ku derdhen pa hesap milionat e imazhit fals të “antikomunistëve” kallp që pushtuan e drejtojnë pluralizmin tonë politik, në mazhorancë e në opozitë. Edhe kur disa prej tyre vazhdojnë të më pyesin se “gazetar, me kë je ti ?”(rreth debateve shterpë të salcës), unë i bie shkurt dhe besoj më kuptojnë mirë :-Unë jam me Mirelën e studentët, jo me ministren e Arsimit…

Mirëpo, ndonjëri më cingëris jo më kot më tej. Kërkonte me të drejtë shpiegim e shtjellim të situr e më bindës për veten dhe të tjerët. Madje, parmbrëmë, një militant partiak i thekur e i kullandrisur me mik në “punë shteti”, ngriti zërin e po shante me fjalor të ndyrë Mirelën që hodhi salcë domateje mbi ministren Nikolla. Për pak caste u krijua një tollovi e papritur midis tij dhe atyre që lypin punë të ndershme. Shyqyr, që u largua shpejt e si me bisht në shalë ! Ndërsa në mbrëmje vonë, njerëzia u ngulën te ekranet dhe dëgjonin vetë ministren e Arsimit përballë gazetares e dy pedagogëve të nderuar (njëri ishte ish student i shkëlqyer i Filozofisë, i brezit tim në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike). Por mendimi dhe bindja ime personale për protestën e studentëve, nuk u lëkund asnjë fije. Doni edhe një hollësi tjetër ? Ajo natë ndalimi e izolimi e Mirelës në dhomat e Komisariatit nr. 1 të Policisë, u bëri “peshqesh” pagjumësinë mjaft banorëve aspak menefregistë që jetojnë aty pranë. Pritja e gjatë, rezistenca solidare dhe e qytetëruar e dhjetra të rinjve përballë dyerve të Komisariatit, nuk besoj se ua bëri gjumin harram ministrave, Avokatit të Popullit vetëm 5 metra larg dhe vetë Kryeministrit ! Vajza e thjeshtë, Mirela, lerë e rritur me mundime e thërrime në një fshat të Fierit dhe jo në bulevardet e Kryeqytetit; pa asnjë soj e sorollop në partira e qeverira; pa “shpatulla të ngrohta” në Rektorat a Dekanat; pa karta krediti bankare të mbarsura nga ethet e panginjura të parasë e korrupsionit galopant; pa fuoristradë e pa qen leshtor që kuis e nxjerr llapën me jargë nga dritarja me xhama të errët përmes metropolit; pa teka e pa yrysh nëpër diskoteka nate ku tymoset hashash dhe jo rrallë performohet “transparenca” nudo mbi skena pluraliste e kapitalisto-demokratike; pa pushime e pa ditënetë relaksi nëpër Evropë e Perëndim etj., befas u pagëzua ligësisht në kazanin e fjalëve pa kandar. Kazan ku hodhën ujë të pistë e uthull të skaduar (jo vaj ulliri) edhe deputete e politikane namuzqare të pagëzuara në kolltuqe nga dora vetë, Kryeministri ynë. Turp ! Dhe aty për aty, i qepën etiketat dalëboje: “ekstremiste e majtë”, “Komuniste”, “marksiste”, “neostaliniste”, “dembeliste”, “guerilase”, “katunariste”, “antifeministe” dhe mjaft të shara ordinere nga anonimë që e mbajnë veten evropianë, të qytetëruar e të rinovuar. Sharje që unë nuk guxoj t’i vendos në këtë shkrim opinion…

Së pari, unë nuk i njoh ende personalisht, as ministren dhe as studenten që nuk vazhdon dot studimet e thelluara pa paguar tarifat e kripura shtetërore që u mbyllin shtigjet fukarenjve. Më thoni, cila qeveri e majtë do mendojë e veprojë për këtë komunitet dinjitoz e të paprivilegjuar në Shqipëri ? Apo do bëjnë më në fund ndonjë “sevap” ata deputetë, ministra, zëvendësa, drejtorë të përgjithshëm etj. të sotëm e të djeshëm, duke zgjidhur qesetë erërënda nëpër vilat në Farkë, Dajt, Gjirin e Lalëzit, Golem, Orikum, Llogara, Himarë, Sarandë, Shëngjin, Theth, Velipojë e gjetkë ? Dhe as vetëm majat e Polit(h)ikës së pacipë e mjaft larg miletit halleshumë e për lumë. Apo do të flakin një ditë mantelin e zi ata dhjetra prokurorë e gjyqtarë milionerë dhe gati 3 miliardë lekët e rrëmbyera haptazi nga xhepat e shkundur të hallexhinjve do të rikthehen tek jetimët që nuk paskan as çati, as punë dhe as…dritë elektrike për të parë shkërdhatokracinë shqiptare ?! Me siguri, zonja ministre nuk e di fare se sa nxënës në fshat e qytet mësojnë nën vajgurin e kandilit (po ta dinte, nuk do heshtëte pas kritikave në media ose nuk ka dëshirë t’i qaset kësaj tabloje rrënqethëse ! ). Të mos kesh të drejtë as të mos shikosh a të lexosh kur bie mbrëmja në fusha, kodra e male, ç’farë emri t’i vemë vallë ?…Mos hyfshim kurrë në BE me kartëra të tilla hipokrizie e mjerimi ! Sepse nga studiot vezulluese, nga zyrat luksoze me ngrohje e ftohje, nga podiumet bubullitëse e imazhet metropolitane verbuese e mashtruese, njerëzisë nuk mund t’ia qash hallet sa një mal. Apo të vazhdojmë të mërmërijmë nofullashtrënguar atë këngë-vajin “O ju male me dëborë/ Pse s’qani hallet e mia…oi-oi !”.

Së dyti, disa papagaj të njohur deri në neveri, më tepër donin të mbronin Linditën se sa ministren e Arsimit. Dhe hidhnin topa balte mbi Mirelën nëpër emisione, gazeta e portale të përmbytur me anonimë e opinione “antiminë” mbi studentët e guximshëm e të çiltër në protesta. Ndonjëri përpiqej të fshihej si struci përballë interesave e favoreve të fëlliqura personale, nepotike e çalamane. Të kuptohemi. Edhe unë, po të ulem e të shkruaj thjesht për gruan me emrin Lindita, mbase do të them gjëra më tepër e të bukura. Flas sinqerisht e pa ekuivoke, fare pa qesëndi. Por nuk është vendi këtu e te kjo temë shkrimi. Dhe as për betejën adhuruese kundër “fabrikave të diplomave”, fabrika që kanë prodhuar edhe hajdutëri vilash buzë detit a rreth kryeqytetit. Dhe asnjë institucion antikorrupsion nuk del para publikut me emra e persona konkretë, me firma e vula të pista. Prandaj na duket shpesh sikur luftohet me mullinjtë e erës nga qeveria e sotme dhe ajo e djeshme. Më thoni, a ka ndonjë zyrtar të lartë a të ulët në vendin tonë, që jeton e mban frymën gjallë me 4 mijë lekë të vjetra në ditë ? Dhe nuk qenkërkan pak, po 400 mijë shqiptarë në fshat e qytet ! Ulërimë me thes në kokë ! Po sa mund të jenë nxënës a studentë nga ky komunitet i mjeruar, zonja ministre ? Sikur kjo shifër tepër tronditëse të trokasë fort në ndërgjegjen njerëzore të çdo deputeti e qeveritari, nuk do të jepte dorëheqjen vetëm ministrja e Arsimit por edhe të tjerë me më shumë përgjegjësi të drejtpërdrejta. Vetëm atëhere, besoj, do të ulnin kokën edhe përpara Mirelës me shokë e shoqe shumë…

Së fundi, unë do doja të merrja pjesë në protestën e këtyre studentëve trima, atdhetarë e të pakorruptuar. Mos e quani lajthitje a çudi : Ditën që do marr vesh se do u hedhin salcë a baltë disa rektorëve e dekanëve pasanikë hajdutë (të djeshëm e të sotëm),do jem atje. Nuk bëj aspak shaka e humor hidhërak. Qofsha i gabuar, por rrezikshmëria e krimit të këtyre kalanderëve me spaleta akademike të përlyera e të pamerituara, mendoj dhe kam bindjen se është shumë më e madhe se ajo e hajdutëve ordinerë që mbushin burgjet shqiptare e të huaja. Dëmi i tyre në breza, mendoj se është i pashoq dhe krejt i pafalshëm. Vetëm me reagime e protesta të fuqishme qytetare, mjediset universitare do të bien erë trëndelinë dhe jo para mbi e nën dorë e aspak hashash e heroinë. Vetëm kështu do të gjejë zbatim e përkrahje masive ajo parulla ediramiste (aspak neostaliniste) tashmë e fshehur : Të pastrojmë Shqipërinë ! Veçse jo me njerëz të lyer e të ngjyer kokë e këmbë (siç ndodh me kokat drejtuese të Reformës në Drejtësi), sepse nuk të beson askush në këtë vendin tonë të bekuar nga Zoti dhe të mallkuar nga Polit(h)ika putanë. Kështu ndodh kur mendon e punon vetëm për rrogat e tavanin e Administratës Shtetërore. Por mençuria popullore e ka dhënë herët e saktë përgjigjen : Po mendove vetëm për tavanin, kalbet dyshemeja !…Dhe kur them publikisht e pa e tradhtuar publikun se unë jam me Mirelën e studentët, në daçi edhe me Linditën, kjo nuk do të thotë aspak se jam dakort me ministren e Arsimit !…

5 komente në “Pse une jam me Mirelen”

  1. sofia says:

    Kristo, e kishe mire me ato tregime per laberine dhe Kurveleshin, ketu po fillon dhe po i humbet te gjitha piket qe i kishe fituar qe ne pedagogjiken Pandeli Sotiri qe nuk e perfundove dot se te muaren ushtar, prandaj bej mire ate pune qe te shkon dhe jo ate qe te diskretiton. Lere Mirelen te beje ndonje xhiro nga Fieri dhe Qorrin mbase i sherohet mendja se nuk ja vlen. Mos u fut ne kategorine e tyre, se e verteta, mua me vjen keq. Po do te futesh ne politike, Lulezim Basha ka bere nje thirrje pa dallim feje e krahine, ideje e kombesie, bile dhe holandez te jeshe mund te shkosh. Qe te jeme i sinqerte me ty, ato pershkrime qe beje para ca kohe me pelqenin shume, por te rekomandoj te mbash ekuiliber, se nuk ja vlen edhe mosha, pjekuria intelektuale, pse jo edhe zgjuarsia. Andej nga anet tona kur ndonjeri fillon e del nga binaret ne i themi: tu ngrohen theriat.

  2. lond says:

    Skeni faj ju o plera po i jepni b…dhe gojes si ju do suma, ju lumt po te flisje keshtu ne kohen e vicidolit ta tregonte qefin te shikonin te tjeret tek lajmerimet tek shtylla, dhe na plasi trapi or pusht se je ti me me nje lavire, me nje idiote,me nje psikolate.

  3. Meri Hasanaj says:

    TE FSHEHURES PAS “SOFIA”

    Si thua, e fshehta pas “Sofia”, ky gazetar i njohur te mos shkruaj per keto tema e ti bej hosanara qeverise se do ti dhe shpura jote? Edhe une nuk jam dakord me veprime si ato te vajzes nga Fieri, po ti kthehen asaj me kuc e me mac, sikurse atij djali kurajoz, Qorri, nuk mundet keshtu. Le te protestojne, se vendit i pastrohen mushkrite.
    Te inkurajoj z. Gazetar per mendimet e shprehura ne kete shkrim, sepse je i pavarur, por dhe i drejte me shkrimet e tua per temat e mprehta qe trajton. Nuk e di cdo thot Sofia pas kesaj, qe me cduket, e njehka kete gazetar, por nuk e di ci kerkon atij “per ta fut ne binaret”. Dreq o pune, hajde merre vesh.

  4. Aldo Bani says:

    Kush shkruan o plehra ska nevoj per emertimin, kur emertimin e ka vetmarre ashtu sic dhe quan te tjeret. Nuk dime nese ky cubel ka shkruar ndonje here apo eshte i paguar te zhgarravinos si dhe ne kete rast, te hedh pleh mbi korifej qe e kane vendosur emrin e tyre si autoro Mertiri i pa perdorurur, as shitet be as blihet me para nga pthador e kepucfshirews pa emer dhe pervers. Kjo eshte rrca e plehrave qe rremojne nper plehra dhe vdesin plehrave…Edhe ne harxhuam pak kohe per plehrate. Ndejs lexuesve…

  5. Renato Hadiri says:

    Ca fare horri, ca fare morri
    neper plehra u shkon plori.
    Ku pergjojne e ku s’i gjen
    Mendja pislleqe u krren.
    U krren mendja vec pislleqe
    emra ndryshem neper zgeqe,
    ne komente i perdorin
    Kujt i duhet kjo pjelle morri?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje