Rummenigge: Boateng të kthehet me këmbë në tokë!

24 Nëntor 2016, 16:34Sport TEMA

Dy humbjet radhazi (në Dortmund dhe Rostov) e kanë nevrikosur shefin ekzekutiv të Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge. Pas performancës së dobët që skuadra bavareze bëri të mërkurën mbrëma në Champions League ndaj ekipit rus, drejtuesi 61-vjeçar i kushtoi disa fjali me kritika sidomos repartit të mbrojtjes dhe në veçanti mbrojtësit Jerome Boateng, i cili nuk ka qenë aspak i qëndrueshëm këtë sezon dhe këtë e reflektoi edhe dje. “Besoj është e qartë që Jerome duhet të kthehet sërish në qetësinë e tij. Që prej verës është tepruar disi me të. Do ishte mirë për të dhe për gjithë skuadrën sikur të kthehej me këmbë në tokë“, – u shpreh Rummenigge.

Më pas, numri 2 i klubit bavarez shtoi: “Ne luajtëm shumë keq në mbrojtje. Nëse pëson tre gola kundër një skuadre si Rostov, atëherë duhet të bësh autokritikë. Kur u hedh një sy tre golave të pësuar, e kupton se thjesht nuk e meritonim fitoren. Shënuam dy gola dhe kaq duhet të jenë të mjaftueshme për të fituar një ndeshje të këtij niveli.” I vetmi lajm i mirë që Bayern mori pas disfatës që përfundimisht e lë në vendin e dytë në grupin D është diagnoza e Boateng-ut.

Gjermani la ndeshjen e djeshme në minutën 58′ duke u ankuar për probleme muskulore në kofshën e djathtë. Për fatin e tij të mirë, kampioni i botës nuk ka asgjë serioze, edhe pse mund të mos luajë në fundjavë me Bayer Leverkusen-in.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje