Parlamenti në Tiranë sapo ka krijuar Autoritetin e Hapjes së Dosjeve. Ky institucion i ri, pritet t’u ofrojë qytetarëve informacione për përndjekjen dhe dënimet e tyre politike gjatë diktaturës komuniste nga Sigurimi famëkeq i Shtetit. Drejtuesja e Autoritetit, Genta Sula, thotë se, ligji i ri mund të shfrytëzohet edhe për vetëpastrimin e partive dhe institucioneve nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
Kryetarja e sapozgjedhur e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Genta Sula, u shpreh në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se institucioni i ri do të bëjë gjithçka që është e mundur, për t’u rikthyer viktimave të Sigurimit të Shtetit dinjitetin e nëpërkëmbur ndër disa dekada.
Zonja Sula thotë se, pas masave te marra se fundmi per një rehabilitimi financiar dhe shëndetësor, ish-të dënuarit e regjimit komunist mund të kenë tani edhe një rehabilitim shpirtëror për vuajtjet e rënda që pësuan nga përndjekja e diktaturës.
Autoriteti i Hapjes së Dosjeve do t’u sigurojë të interesuarve informacion për përndjekjen e tyre gjatë diktaturës mbi bazën e dokumenteve të ish-sigurimit famëkeq të shtetit.
Zonja Sula thotë se është e mundur që në kërkimet arkivore të rikuperohen edhe ato të dhëna që janë djegur apo dëmtuar nga dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Zëri i Amerikës: Zonja Sula, ju sapo jeni emëruar nga parlamenti në krye të Autoritetit për Hapjen e Dosjeve. Si lindi ideja për këtë institucion dhe cili do të jetë hapi i tij i parë?
Genta Sula: Programi i qeverisë Rama ishte shumë konkret dhe i guximshëm sa i përket qasjes me të shkuarën komuniste. Ai bënte thirrje për tri gjëra kryesore: së pari, krijimi i një institucioni të memories, ku një nga pjesët përbërëse është edhe hapja e arkivave, që deri sot kanë qenë të mbyllura; së dyti, programi përcaktonte dëmshpërblimin më të drejtë dhe më transparent për ish-të dënuarit politikë; dhe së treti, zbardhjen e natyrës së krimit në shoqërinë tonë gjatë viteve të komunizmit, që përfshiu edhe hapjen e disa muzeve, si psh Bunkarti.
U nis me dëmshpërblimet, sepse u pa që aty ishte nervi. Vuajtjet kanë qenë të mëdha dhe një pjesë e madhe e ish-të dënuarve politikë dhe familjeve të tyre mbetën të paintegruar në shoqëri nga ana ekonomike. Pati dhe ka ende probleme të rënda me banimin, punësimin si dhe një prapambetje të madhe (jo për faj të tyre), në aspektin arsimor. Ndaj bashke me demshperblimin u morën një sërë masash si garantimi i arsimit te larte falas për fëmijët e ish-të dënuarve, shërbimi shëndetësor falas, si dhe pati perpjekje per te rregulluar pensionet në kuadrin e madh të reformës së tyre, për të cilat do të thosha se ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët.
Njëkohësisht, u morën masa për institucionin e memories, një lëvizje e shoqërisë, e cila për shkak të tabusë dhe frikës së madhe ndaj institucionit të tmerrshëm të diktaturës, prej dy dekadash e gjysmë kishte mbetur në ngërç, sidomos për sa i përket të drejtës së shoqërisë për t’iu qasur informacioneve.
Zëri i Amerikës: Ju tani keni marrë përsipër të ndriçoni ngjarje të fshehta dhe të dhunshme të diktaturës. Cila është ideja juaj e parë, bazuar te ligji, për ta nisur këtë detyrë?
Genta Sula: Grupi më i zëshëm i shoqërisë, që bënte thirrje për transparencë, është pjesa që e ka përjetuar më egër diktaturen, por e gjithë shoqëria është shumë e ndjeshme ndaj kësaj çështjeje dhe nga përvoja personale me dëmshpërblimet, e kam të qartë se, çfarëdo që eshte bërë, çështjet që kishin të bënin me të kaluarën, sidomos emri i Sigurimit, ngjallin një reagim të menjëhershëm.
Ndaj tij ekziston ende një frikë në mendjet e njerëzve. Mendoj se është e pafalshme që një shoqëri demokratike të pranojë që një segment i shtetit të ngjallë akoma kaq shumë frikë te qytetarët e tij. Një shoqëri demokratike e ka për detyrë të japë informacion për të dhënat që mbledh shteti për qytetarët e tij. Natyrisht që ka edhe informacione të karakterit sekret, por në bazë të të gjitha normave të shtetit demokratik, të sanksionuara në konventat qoftë të të drejtave të njeriut apo të të drejtës për informim, ka një kohë kur shteti u jep llogari qytetarëve për veprimet që ka bërë, nëse ka pasur dyshime, qofshin të drejta apo jo. Për shqiptarët, shteti nuk e kishte dhënë këtë të drejtë për informim, që buron nga e drejta e njerëzve për të ditur dhe për këtë arsye jemi këtu ku jemi.Prandaj faze a pare e punes do bazohet te c’mitizimi i ceshtjes se dosjeve, sqarimi i publikut per ate qe vertet c perfaqson ajo per shoqerine sot, dhe pra per ta kapercyer friken qe ende shkakton kjo.
Zëri i Amerikës: Krahas të drejtës së informimit, është bërë një ligj i ri për t’i trajtuar këto të dhëna ende të fshehta. Si do të ecet më tej?
Genta Sula: U bë një ligj i ri për t’i trajtuar ato dokumente, sepse edhe karakteri i informacioneve që ndodhen aty brenda, është i veçantë, pasi ka të bëjë me jetën personale të individëve. Vetë qëllimi i Sigurimit ishte që të kontrollonte njerëz të caktuar, që i konsideronte kundër regjimit, t’i manipulonte, t’i vinte në pozita që të shërbenin si pjesë e luftës së klasave etj.
Informacionet e mbledhura aty janë të një karakteri tepër personal. Shpeshherë ka edhe elementë të sigurisë kombëtare, ka tema të ngërthyera, ndaj janë të një natyre të veçantë. Vende të tjera, ku ne kemi mësuar, që trajtojnë këtë trashëgimi të Sigurimit, e kanë parë të arsyeshme që të organizojnë një qasje të veçantë.
Zëri i Amerikës: Ju thoni se nëpër dosje ka të dhëna personale. Por një pjesë e shoqërisë është e shqetësuar se deri më sot nuk është ruajtur privatësia e viktimave, por është ruajtur privatësia e persekutorëve. Si do ta trajtoni ju këtë?
Genta Sula: Ligji i ri u jep mundësinë të gjithë personave të survejuar dhe të dëmtuar nga Sigurimi që të njihen me dosjen e tyre personale dhe nëpërmjet saj të mund të shkojnë në burimin e aktivitetit represiv që ka ushtruar institucioni ndaj tyre, duke njohur edhe personazhet që kanë marrë pjesë në këtë “lojë” apo në këtë “film”, që është luajtur me jetët e tyre.
Zëri i Amerikës: Sa informacion mund të marrin personat e interesuar përmes Autoritetit tuaj? Si vihet në lëvizje kërkimi i dokumenteve dhe sa thellë mund të shkojnë ata në zbardhjen e fatkeqësive të jetës së tyre?
Genta Sula: Nuk ka ndonjë mister për këtë. Ashtu si në vendet e tjera, ekspertët që kemi kontaktuar, thonë se klasifikimi i dokumenteve në arkivat e Sigurimit është shumë i ngjashëm me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, buruar nga modeli i Shërbimit Sekret Rus. Çdo individ ka një dosje të vetën dhe vetëm ai person ka të drejtë ta shohë dosjen e tij, pasi bën kërkesën pranë Autoritetit (nëse ky person nuk është zyrtar publik i niveleve të caktuara nga ligji).
Autoriteti, nëpërmjet personelit, bën pastrimin nga elemente informacioni për persona të tretë. Aty do të dalë me pseudonim personi që ka pasur një rol në survejimin e këtij individi dhe në bazë të dëshirës së qytetarit për të shkuar më thellë dhe të arsyeve që ai do të shprehë, varet se për çfarë është i interesuar.
Zëri i Amerikës: A mund të hapë i dënuari tani një gjyq ndaj persekutorëve të tij, me të dhënat që merr zyrtarisht nga ju?
Genta Sula: Ky është një informacion shtesë, që atij i shërben për të rindërtuar historinë e tij personale, krahas shumë informacioneve të tjera që ka. Mbetet për t’u parë dhe është vendim i tij se si mund ta përdorë kete. Dikush mund ta publikojë informacionin, dikush mund ta mbajë për vete, dikush mund t’ia tregojë fëmijëve, dikush mund të qartësohet për historinë e jetës së tij. Besoj se edhe për të hapur një gjyq është e drejtë e kujtdo, sepse njerëzit janë etiketuar si armiq, sabotatorë, terroristë, tradhtarë etj. Rehabilitimin moral ai do ta kërkojë. E dyta, mund të ketë kaluar vuajtje në të ashtuquajturën hetuesi, për të cilën nuk ka patur dokumentim dhe nuk ka marrë as dëmshpërblim. Personi mund ta përdorë informacionin për të vërtetuar përndjekjen. Njerëzit mund të kenë qëllime të ndryshme, por mundet edhe të sqarojnë pozicionin para familjarëve apo të qartësohen në raport me ngjarjet që u kanë ndodhur në jetë.
Janë ngjarje të rëndësishme të jetës së njeriut, si: lindja, vdekja, divorci, kujdestaria e fëmijëve, ndryshimi i karrierës, ndryshimi i banimit, heqja e pronësisë nga objekte të caktuara, sende personale, që nuk e di ku i ka, dikush kërkon ditarët që kishte mbajtur, dikush tjetër kërkon një dorëshkrim libri që kishte shkruar, dikush kërkon objekte personale të prindërve ose të vetat.
Të dhënat mund të përdoren për qëllime nga më të ndryshmet. Dikush mund edhe të kërkojë të shfajësohet nga një akuzë, për të cilën i është bërë shantazh. Kushdo mund të vijë e të kërkojë informacione të mëtejshme për një larmi ngjarjesh dhe detajesh për të sqaruar pozicionin e vet para publikut.
Zëri i Amerikës: A mund të nisin hakmarrje, bazuar në këto të dhëna të reja?
Genta Sula: Mendoj që jo. Këto 25 vjet unë kam patur kontakte të shpeshta me grupime të ish-të përndjekurve, sidomos tre vjetët e fundit. Ata perhere e kane ditur se si kanë ndodhur ngjarjet në pjesën më të madhe, janë përballur me dëshmitarët, me gjyqtarët, me hetuesit. Në Shqipëri dhe në Evropën Lindore është fakt që nuk kanë ndodhur gjeste të hakmarrjeve personale. Një gjë është e vërtetë, sa i takon qasjes së këtij ligji: ai mban në qendër të vëmendjes dhe mebshtet personat e dëmtuar. Autoriteti u jep atyre një instrument më shumë që të rehabilitojnë figurën e tyre.
Por ligji eshte edhe një kërkesë për reflektim ndaj personave që kanë qenë pjesë e makinerisë represive. Ata duhet të reflektojnë për veprimet, qoftë edhe në kontekstin e kohës, apo të rrethanave të jashtëzakonshme, ku ka ndodhur çdo gjë. Ka patur edhe rekrutime nën dhunë, nën presion. Gjithë familja mbahej peng nga lufta e klasave.
Kështu që, do t’i bëj thirrje shoqërisë të mirëkuptojë edhe kontekstin e kohës kur kanë ndodhur ngjarjet. Aty ku Sigurimi vendoste të bënte një rekrutim, pothuajse të gjithë nuk kishin kurajë të thoshin “jo”, sepse e dinin që refuzimi kishte pasoja te tmerrshme edhe per familjen, megjithese pati edhe nga ata që i duruan pasojat me guxim prandaj nevojitet një mirëkuptim për rrethanat dhe kohën e ngjarjeve.
Duke ditur që informacioni tashmë hapet, ata persona qe qene vegla te dhunes duhet t’i bëjnë një thirrje ndërgjegjes së vet dhe të mundohen të lehtësojnë sherimin e plageve te personave qe u demtuan duke kërkuar falje sipas mënyrës së tyre.
Ky hap i ri me dosjet qe sapo eshte hedhur, jo vetem qe nuk e nxit urrejtjen e hakmarrjen, por perkundrazi ka për qëllim pajtimin.
Zëri i Amerikës: A keni edhe ju shqetësimin, si shumë të tjerë, se kjo procedurë e re, në vend që të njollosë sigurimsat, mund të njollosë viktimat e përndjekura, që mund të jenë rekrutuar nën presion dhe dhunë?
Genta Sula: Qasja e dosjeve nuk do të përqendrohet te karakteret, te personazhet, sesa te fenomenologjia. Ne e kemi vënë theksin te historianët dhe gazetarët, sepse ata do të jenë shumë të specializuar dhe do t’i ndihmojmë me trajnime me ekspertë ndërkombëtarë, madje do të pajisen shumë mirë për të bërë saktë fenomenologjinë. Ambicia ime është hapja e një dialogu më të mirë për historinë, për identitetin e grupit tonë, për të përmirësuar narrativën e komunizmit drejt së vërtetës.
Zëri i Amerikës: Cilat janë ambiciet tuaja në këtë nismë të re?
Genta Sula: Një mesazh që dua t’ua jap sot shikuesve tuaj: Deri më sot, muzealizimi është marrë shumë me ilustrimin e dhunës, si është bërë etj., jemi fokusuar shumë në këtë pjesë. Në fakt, ajo që pres me padurim nga dosjet e Sigurimit, është që të shikojme gjurmët e rezistencës. Fakti është që shqiptarët kanë rezistuar. Disa ngjarje pak a shumë të njohura për publikun, nuk janë vënë mjaftueshëm në dukje. Bëhet fjalë për disa kryengritje: Kryengritja e Malësisë së Madhe, Kryengritja e Postribës, Kryengritja e Qafë Barit dhe ajo e Spaçit, që kanë qenë me humbje jetësh njerëzore. Por njëkohësisht ka patur qindra akte rezistence të njerëzve që kanë menduar ndryshe, që janë grupuar, kanë bërë një analizë kritike të regjimit, kane vepruar kundra diktatures, dhe e kanë paguar per te gjithe ne cmimin e lirise. Hapja e dosjeve do të na ndihmojë ta ndërtojmë mirë narrativën e rezistencës sone kundrejt diktatures.
Tjetër ambicie imja është te dokumentojme një formë tjetër rezistence të shprehur me bujarinë e njerëzve. Shoqëria shqiptare është e mbushur me episode bujarie dhe ndihme që i kanë dhënë njëri-tjetrit edhe në atë kohë kur solidariteti njerëzor dënohej. Lufta e klasave bënte thirrje të ndërpriteshin lidhjet shoqërore me njerëzit e etiketuar si armiq, madje etiketoheshin si armiq të popullit, por ky popull i priti dhe u hapi dyert e i ndihmoi duke rrezikuar edhe kokën.
Ruaj në kujtesë shumë ngjarje të tilla të bukura nga familjarët e mi, por dhe nga persona të tjerë. Mendoj se do të ishte një vepër e autoritetit që t’i dokumentonte këto dy gjëra: rezistencën e popullit shqiptar dhe bujarinë që duhet vënë në dukje.
Zëri i Amerikës: Si do ta trajtoni ju çështjen e dëmtimit të dokumentacionit në vitet 1991 dhe 1997?
Genta Sula: Shqipëria nuk është vendi i parë ku ka patur episode të shkatërrimit të dokumenteve. Qeverive dhe shteteve represive, si çdo diktaturë, një ditë u vjen fundi dhe të tmerruara nga ato që kanë bërë, ato mundohen të fshijnë gjurmët. Në Gjermani, për shembull, STAS-i ndezi furra për të djegur dokumentet dhe kur panë tymin, qytetarët u mblodhën masivisht në dyert e STAS-it me parullat: “Na ktheni jetën tonë”. Në Shqipëri nuk ka patur një lëvizje të tillë dhe sigurisht ka patur edhe shkatërrime.
Personalitete të ndryshme kanë folur në medie për këto dëmtime. Detyra jonë është që të mbledhim çfarë mund të mblidhet dhe të rregullojmë çfarë mund të rregullohet, sepse nuk ka shtet pa arkiva. Arkivi është shtylla kurrizore e një shteti. Autoriteti do të japë edhe një shembull të mbajtjes së një arkivi të mirë, një ambicie jona kjo, në varësi edhe të financave që do të kemi, për ta bërë si duhet, për ta dixhitalizuar dhe për ta sjellë te publiku në mënyrë sa më moderne.
Zëri i Amerikës: Sa i madh është dëmi i këtyre dokumentacioneve?
Genta Sula: Autoriteti po merret ende me çështje organizative. Një inventar serioz, me ekspertizë të mirëfilltë, do të nisë menjëherë pasi të hartohen rregullore, buxheti etj. Ekspertë të arkivit pohojnë se ka mjaftueshëm materiale që të përqendrohemi dhe të punojmë. Të gjitha analizat do të jenë transparente dhe do t’i themi publikut çdo gjë që do të gjejmë.
Në perberje te autoritetit janë Simon Miraka dhe Daut Gumeni, që përfaqësojnë rezistencën e paguan me vite burgimi politik. Ata janë personalitete që kanë përvojë në administratën e lartë qofte diplomaci apo arkive. Dy zotërinj të tjerë ne moshe me te re, zoti Kasmi dhe zoti Hoxha, vijnë me ekspertizë: njëri është historian ushtarak, që i njeh mirë arkivat, tjetri vjen nga shërbimet e sigurisë dhe njeh mirë natyrën e informacioneve të klasifikuara. Kapaciteti është i plotë për të ndërtuar një proces sa më të mirë. Vendimi i përbashkët ishte që të ndërtonim një institucion transparent ndaj publikut.
Zëri i Amerikës: A mund të rikuperoni në mënyra të tërthorta materialet e shkatërruara?
Genta Sula: Ajo që mund t’ju them sot është që do të punohet me ekspertët më të mirë; me Institutin gjerman homolog me ne, drejtuesi i të cilit, z. Roland Jahn, ka ardhur disa herë në Shqipëri. Ai është shprehur i gatshëm që të na ofroje asistence teknike bashkë me ekspertët e tij. Organizimi i këtij partneriteti është një nga gjërat e para që do të bëhet. Ata vazhdojnë të rikuperojnë maksimalisht dokumente të dëmtuara përmes softuerëve të posaçëm.
Por Ligji detyron edhe personat privatë, që kanë marrë informacione nëpër shtëpitë e tyre përmes formave të çuditshme, t’i sjellin pranë Autoritetit. Qëllimi është që të krijohet një bazë sa më e plotë; deri tani, dosjet janë nëpër thasë, të hedhur diku, në mjedise me lagështirë. Ne do të punojmë shumë që asnjë informacion të mos humbasë dhe të kthehet në përdorim me metodat më të mira shkencore që ekzistojnë.
Zëri Amerikës: Një pyetje për lustrimin. Shumë nga punonjësit e Sigurimit, Ministrisë së Brendshme dhe bashkëpunëtorë të tyre në diktaturë kanë arritur të përfshihen edhe në administratën e demokracisë.
Genta Sula: Ligji parashikon që për disa funksione drejtuese të institucioneve publike, është e mundur të hapësh dosjen e tyre nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ligji na jep si detyrë që me kërkesë të institucioneve, Autoriteti të jape informacion. Dy institucionet kryesore, që tashmë e kane kuader ligjor qe e kerkon pastrimin e figurës, janë shërbimi i jashtëm diplomatik dhe sistemi gjyqësor, për të cilin dha një shtytje të madhe reforma e fundit në drejtësi. Për këto dy sektorë, ligji na kërkon të japim informacion dhe ata vendosin vetë më tej për emërimet.
Pastaj, çdo institucion tjetër që dëshiron të njëjtën gjë, do të sjellë listën dhe ne do të dërgojmë informacion. Autoriteti nuk merr vendim për rekrutime në administratë apo për promovimet, por mbetet institucion i së drejtës për informim.
Zëri i Amerikës: A mund të vijnë te ju për të verifikuar listat e tyre edhe partitë politike para zgjedhjeve, që të shohin nëse kanë bashkëpunëtorë të Sigurimit midis kandidatëve?
Genta Sula: Po, mund të vijnë. Ne japim informacion dhe pas kësaj, lustrimi mbetet në vullnetin e tyre. Ligji është një instrument në dorën e shoqërisë, në dorën e politikës, ne dore e institucioneve.
Zëri i Amerikës: Pra, po thoni se ky lig i ri po u bën një ftesë gjithë institucioneve dhe partive për vetëlustrim?
Genta Sula: Po. Çdo institucion ka mundësinë të vijë e të kërkojë të dhëna për njerëzit e tij. Diplomacia dhe drejtësia e kanë taksative, me ligj. Avokati i Popullit, për shembull, u shpreh publikisht që do të amendojë ligjin e vet dhe do të futë pastërtinë e figurës, sepse administrata e tij nuk duhet të ketë asnjë çështje të hapur, asnjë dyshim, sepse është një institucion i ndjeshëm teksa ndjek të drejtat e njeriut.
Çdo institucion mund të bëjë analizën e vet se sa e rëndësishme është një pastërti 100 për qind e punonjësve të tij. Autoriteti mund t’ua japë të gjithë institucioneve këtë informacion, të cilin deri sot ata nuk kanë patur se ku ta merrnin.
Zëri i Amerikës: A i druheni ardhjes së një numri të madh kërkesash për dokumente, dhe ndërkohë që ju po organizoheni, kur do të duken frytet e para të punës suaj?
Genta Sula: Mendoj se interesi do të jetë i lartë. Por gjërat do të prioritizohen duke mbajtur Ligjin si baze. Do të ketë një fazë përgatitjeje prej disa muajsh, dhe ka të ngjarë të fillojmë me vitet më të hershme 1944-1950, sepse ato janë vite shumë të rëndësishme për themelet e diktaturës, nga pikëpamja fenomenologjike. Janë vitet kur u godit shumë egër dhe do të ketë interes të madh nga disidenca për historianët. Kjo do të na japë kohë dhe mundësi që të testojmë veten si institucion.
Po ashtu, kemi vendosur të thërrasim një rreth të miqve të Autoritetit; diplomatë, filozofë, historianë dhe ekperte që e kanë mbështetur këtë proces, te cilet te na keshilloje per cdo hap te pues sone. Ftesat e para i kemi bere tashme.
Zëri i Amerikës: Por, cilët mendoni se do të keni “armiq” të Autoritetit, njerëz që do të përpiqen t’ju pengojnë?
Genta Sula: Nga dita e parë kur u miratua ligji dhe sot që është bërë votimi i Autoritetit, kishte një frikë dhe tabu të madhe. Por mbështetja ka qenë në rritje. Armiku i parë ishte skepticizmi; dëgjoja njerëz që thoshin se “kjo nuk bëhet”, se “ky është një projekt i vdekur”, se “nuk do të arrihet gjë”. Ky skepticizëm më duket se është mposhtur. Edhe frika e madhe më duket se është mposhtur dhe është ngjallur një interes i madh publik e flitet përherë e më shumë për këtë proces. Të gjitha frikërat u dëgjuan gjatë procesit dhe konsultimi ishte i gjatë dhe i plotë. Ky është një ligj për pajtim dhe jo për të goditur qe Autoriteti ne zbatim te ketij ligji do synoje te garantojë të drejtën për informim, te dokumentojë rezistencën dhe bujarinë gjatë atij sistemi dhe inkurajojë pajtimin.
Natyrisht eshte e drejta per informim per kedo njeri,Mirpo sikurse e thote vete zonja
Genta Sula gjerat duhen pare ne kontekstin e rrethanave te kohes kur kane ndodhur.
Ama te mos harrohet se krahas shume gabimeve te bera nga sherbimi i sigurimit,ne ato dosje ka
plot te dhena dhe sekrete te karakterit thellesisht te rezervuar tek e fundit kane qene e jane prone e shtetit
shqiptar. E pra nxjerrja e tyre demton interesat e ketij shteti qe ekziston,Ta zeme per ata njerez qe
jane ndjekur si agjent te zbulimeve te huaja, sic quhen rendom ne gjuhen e popullit spiun te
te huajve,perse duhet te hapet dosja e tij,,,,Probleme te tilla do lindin prandaj duan njerez jo
vetem me integritet moral por edhe te kualifikuar e te pjekur. Gjithsesi urime e suksese ketij autoriteti,
Mjat u tallet me ket popull te lodhur.
Mjaft me mashtrime propagandistike se ata qe enderruan per hapjen e dosjeve ose kane vdekur, ose jane jashte shtetit ose besojne me shume te Erdogani si demokrat i vertete dhe Ilir Meta nje tregetar i varfer.
–
Dosjet e Saliut e shume spiunave te tjere jane zhdukur me kohe nga Saliu vete ose jane manipuluar dhe nese do hapen ato do jene per pesh te vegjel, jo ne politike apo ne pension dhe pa rendesi per popullin dhe per hir te vertetes dhe drejtesise.
–
Pastaj pse duhet te hapen dosjet kur ata njihen dhe dihen fare mire qe dalin dite per dite ne TV , jane deputete apo Kryetar i Komisionit te Sigurise.