Juanita Castro, motra e liderit të ndjerë kubanez, Fidel Castro, që ka jetuar në Majami për dekada, nuk do të marrë pjesë në funeralin e tij, kanë raportuar mediat lokale.
“Duke iu referuar thashethemeve se unë jam nisur për në Kubë për të marrë pjesë në funeral, dua të deklaroj qartë se kurrë nuk jam kthyer në ishull dhe nuk planifikoj ta bëj këtë gjë”, ka thënë Castro për El Nuevo Herald.
“Nuk i gëzohem vdekjes së asnjë qenieje njerëzore, e as për dikë që mban mbiemrin e familjes sime”, ka shtuar ajo.
“Si motër e Fidelit, po e përjetoj vdekjen e një qenieje njerëzore që ndante gjakun tim”, transmeton Koha.net.
Presidenti Raul Castro, vëllai 85 vjeçar i Fidelit, dha njoftimin për vdekjen e Fidelit në televizionin shtetëror kah mesnata e së premtes.
Fideli dhe presidenti aktual i Kubës, Raul Castro, ishin në mesin e shtatë fëmijëve. Juanita, e lindur më 1933, ishte e vetmja që kundërshtonte haptazi regjimin komunist të drejtuar nga vëllai i saj për më shumë se pesë dekada.
Ajo ka jetuar në Majami që nga viti 1964 dhe ka thënë se ka bashkëpunuar me CIA-në për një puç për rrëzimin e Fidelit nga pushteti.