Ervis Imeri, i akuzuar për vjedhje me armë në bashkëpunim në banesën e prindërve të Elton Çiçës, do të përballet me gjykatën. Prokuroria e Gjirokastrës ka dërguar për gjykim para pak kohësh dosjen penale ndaj tij, pasi rezulton nga hetimi se ai ka qenë organizator i vjedhjes në shtëpinë e Elton Çiçës, raporton “Panorama”.
Kjo ngjarje, sipas Policisë dhe Prokurorisë, u bë shkak për një serial të përgjakshëm atentatesh e vrasjes në Gjirokastër, Tiranë dhe në Durrës, pasi Elton Çiça (tashmë i vrarë) tentoi të hakmerrej ndaj të dyshuarve për grabitjen në banesën e prindërve të tij.
Sipas akuzës, më 30.03.2015, në qytetin e Tepelenës disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e prindërve të shtetasit Elton Çiça dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, u kanë vjedhur një sasi prej 5000 eurosh dhe janë larguar.
Prokuroria e Gjirokastrës ka arritur në përfundimin se vjedhja është realizuar nga një autor i njohur, Robert Rama, si edhe nga dy persona të tjerë, për të cilët po punohet ende për t’i identifikuar. Robert Rama nga Laçi mbeti i vdekur pak kohë pas vjedhjes, në një atentat që u krye ndaj tij në Durrës.
“Nga hetimi ka rezultuar se ka qenë pikërisht shtetasi Ervis Imeri, i cili ka marrë nga qyteti i Tiranës për në Tepelenë, në banesën e shtetasit Elton Çiça, një ndër autorët e ngjarjes, shtetasin Robert Rama, me qëllim që ky i fundit të studionte nga afër banesën ku do të kryhej vjedhja”, bën me dije Prokuroria.
Sipas saj, shtetasi Ervis Imeri ka pasur dijeni të plotë në lidhje me gjendjen e një shume të madhe financiare që ka pasur i dëmtuari Elton Çiça, i cili përveç të tjerash, dispononte shumë pasuri dhe u kishte dhënë hua shuma të konsiderueshme parash atij dhe vjehrrit të tij ndërtues, shtetasit R. Z.
Prokuroria thekson se ardhja e autorit Robert Rama nga Tirana në Tepelenë pa kurrfarë interesi tjetër financiar, thjesht për të shoqëruar shokun e tij Ervis Imeri, nuk ka asnjë sens dhe nuk është aspak alibi e besueshme.
“Shtetasi Ervis Imeri, siç sqarohet edhe nga deklarimi i të dëmtuarës Antoleta Çiça, u ka dhënë autorëve edhe një kopje të çelësave të tri kateve të banesës, dyert e të cilave janë hapur me këta çelësa. Ervisi është pikërisht personi që i ka montuar dyert dhe dritaret e të tria kateve të banesës së prindërve të Elton Çiçës, ku më pas ndodhi edhe grabitja”, bën me dije më tej Prokuroria.
Grabitja në banesën e prindërve të Elton Çiçës në Tepelenë, ndodhur më 30 mars 2015, solli një serial ngjarjesh të rënda më pas. Më 8 prill 2015, rreth orës 20:00, në Durrës është vrarë Robert Rama (i dyshuar për grabitjen në banesën e prindërve të Elton Çiçës).
Më 12.07.2015, në automjetin e markës “Fiat”, me targa AA 021 HD, në përdorim të Ervis Imerit (që dërgohet në gjyq nga prokuroria me dyshimin e bashkëpunimit në grabitje) është vendosur një sasi prej 600 gr lëndë eksplozive (tritol) e lidhur me një telefon, e gatshme për t’u shpërthyer; shpërthimi nuk është arritur sepse Ervisi e ka diktuar lëndën shpërthyese.
Më 07.12.2015, në Kombinat, si pasojë e shpërthimit me lëndë eksplozive është shkatërruar automjeti model “Golf”, me targa AA 880 BX, ku brenda ishte pronari Elton Imeri, vëllai i Ervis Imerit. Nga shpërthimi, Elton Imeri është gjymtuar duke humbur një nga këmbët. Në vazhdim, më 1 maj 2016, rreth orës 22:20, në rrugën “Gjin Bua Shpati”, afër shkollës “Emin Duraku”, në mjediset e bar “De Niro”, ka ndodhur vrasja e Elton Çiçës.