Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli priti sot në një takim ministrin Federal të Mbrojtjes dhe Sporteve të Austrisë, z. Hans Peter Doskozil, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Fillimisht ministrja Kodheli e falënderoi homologun e saj Doskozil për mbështetjen që Austria, si një vend mik, ka dhënë gjatë gjithë historisë 104-vjeçare të Shtetit Shqiptar, si dhe i vlerësoi si të suksesshme marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kodheli e konsideroi Austrinë si një vend partner të veçantë të NATO-s, dhe siç u shpreh ajo “Shqipëria ka qenë dhe do të jetë e vendosur për fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit me vendet jo-anëtare.”
Dy personalitetet ndanë të njëjtin qëndrim mbi bashkëpunimin NATO-BE, i cili u jep mundësinë aleatëve dhe partnerëve, në përdorimin më efikas të burimeve financiare.
Në këtë kuadër, dy ministrat diskutuan për angazhimin e përbashkët në KFOR, të cilin e cilësuan si një histori suksesi të NATO-s.
Ministrja Kodheli vlerësoi shumë rolin e rëndësishëm që Austria ka luajtur në Kosovë. “Kontributi austriak ka qenë domethënës dhe ka forcuar kapacitetet e KFOR për të ofruar një mjedis të qëndrueshëm dhe paqësor për të gjithë qytetarët e Kosovës.”- u shpreh ajo.
Një tjetër pikë e diskutimit ishte edhe kontrolli dhe menaxhimi i emigracionit (duke vënë theksin në situatën në Evropën Juglindore, në atë ashtuquajturën, “Balkan Route”
Gjithashtu ministrja Kodheli shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të vijuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme si integrimi evropian, ekonomia, programe të zhvillimit, administrata publike, edukimi, shkenca dhe shoqëria civile.
Nga ana e tij ministri Hans Peter Doskozil u shpreh se “Austria e ka konstatuar, që Shqipëria ka bërë më shumë sesa detyrat e saj të shtëpisë. Mendoj që Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe hapa përpara si përsa i përket situatës ekonomike ashtu edhe situatës me vendet e tjera. Kjo vërtetohet dhe kurorëzohet me atë që Shqipëria prej shumë vitesh është vend anëtar i NATO-s dhe shpresoj që në muajt në vazhdim të çelen edhe negociatat e anëtarësimit. Më lejoni t’iu siguroj edhe njëherë që në këtë çështje Austria do t’i japë mbështetje e duhur, në qoftëse do të nevojitet mbështetja e Austrisë”.