Zyrtare/ Ndryshojnë mandatet e zonave zgjedhore, Tiranës i shtohen dy deputetë, ja qarqet e tjera

3 Dhjetor 2016, 11:25Politika TEMA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi sot me 7 vota pro ndryshimet e mandateve të zonave zgjedhore për zgjedhjet e 2017-ës.

Në bazë të të dhënave të gjendjes civile, zbatimi i nenit 75 të Kodit Zgjedhor përmes llogaritjes së numrit të deputetëve për qark sugjeron se Korça, Berati dhe Kukësi do të humbasin nga një deputet, ndërsa Tirana do të fitojë dy deputetë dhe Durrësi do të fitojë një më shumë.

Në vitin 2013, një vendim i ngjashëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikonte uljen e numrit të deputetëve për qarqet Berat dhe Korçë si dhe shtimin e deputetëve në Tiranë dhe Durrës.

Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, e kundërshtoi me argumentimin se në qarkun e Kukësit, ku numri i deputetëve nuk u ul, qe shënuar një rritje e pazakontë e regjistrimeve të reja të popullsisë banuese në regjistrin civil. Në vendimin final, KQZ-ja u nda në votim sipas përkatësisë partiake të anëtarëve dhe vendimi për ndarjen e mandateve nuk mori fuqi.

Sipas Kodit Zgjedhor, vendimi për ndarjen e mandateve sipas qarqeve duhet të marrë pesë vota nga shtatë anëtarët e KQZ-së. Në mungesë të vendimit nga ana e KQZ-së, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të lërë të pandryshuar numrin e mandateve, siç qe caktuar për zgjedhjet e vitit 2009.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje