Problemet e Italisë mbeten

6 Dhjetor 2016, 09:24Bota TEMA

Ndryshe nga ç’pritej tregjet financiare dhe bursat nuk u tronditën prej referendumit në Itali. Indekset e bursave në Londër, Frankfurt dhe Paris shënuan plus, dhe madje edhe humbjet në bursën e Milanos me më pak se 1% ishin të papërfillshme. Me sa duket investorët u surprizuan pak si nga jo-ja e referendumit edhe nga deklarata për dorëheqje e kryeminstrit Matteo Renzi.

Por megjithatë problemet mbeten. Dhe Italia duket se është më larg se kurrë një zgjidhjeje. Bankat italiane vuajne prej kredish të këqia, të cilat sipas FMN-së kapin një vlerë rreth 360 miliardë euro.

Bankave u nevojiten miliarda?

Dy bankat më të mëdha të Italisë, banka më e madhe e vendit Unicredit dhe banka Monte dei Paschi di Siena (MPS), që renditet e treta, duan të grumbullojë javët e ardhshme disa miliarda për të arritur një rritje të kapitalit. Atyre u duhen të holla për të mundur t’i transferojnë disa nga kreditë e tyre të këqija në një fond ndihme. Por gjetja e investitorëve tani mund të bëhet edhe më e vështirë. Në bursën e Milanos aksionet bankare ishin të hënën humbëset e mëdha.

Banka Monte dei Paschi di Siena ka nevojë për pesë miliardë para të freskëta – gati nëntë herë më shumë se sa vlen vetë kjo bankë aktualisht në treg. Unicredit shpreson të mbledhë deri në 13 miliardë euro, pra aq sa e ka vlerën e saj aktuale në treg.

Në rast se bankat nuk e mbledhin dot kapitalin që u nevojitet do të duhet që ato t’i shpëtojë shteti italian. Por kjo është mjaft e vështirë për shkak se borxhi i Italisë është rreth 130 përqind.

Krizë e re për Eurozonën?

Carsten Brzeski, kryeekonomist i bankës ING Diba thotë se sa i përket Eurozonës nuk ka pse të kemi shumë frikë, sepse borxhet e shtetit italian mbaren kryesisht prej italianëve dhe prandaj ata nuk do t’i shesin bonot e tyre të thesarit. Po ashtu përqindjet e interesit për momentin janë tepër të ulta.

Brzeski është po ashtu optimist, se nëse qeveria e re italiane do të drejtohet prej ndonjë teknokrati që do të ketë mbështetjen e gjerë në parlament, ai mund të nisë edhe një reformë në sektorin bankar dhe do ta bëjë këtë ndoshta edhe më mirë se Renzi.

Kurse Marcel Fratzscher, shef i Institutit më të madh studimor ekonomik gjerman DIW në Berlin, mendon se gjendja në Itali përbën rrezik për të gjithë eurozonën, dhe se Italia mund të jetë guri i parë i dominosë për një Evropë më të dobët, me më pak rritje ekonomike dhe paqëndrueshmëri më të madhe në tregjet financiare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje