Partia Demokratike dhe partia që përfaqëson interesat e minoritetit grek në Shqipëri, PPDNJ, janë drejt zyrtarizimit të një aleance, për llogari të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Teksa Presidenti i Republikës ka caktuar datën 18 Qershor për zgjedhjen e ligjvënësve të rinj, Partia Demokratike, e cila ka shënuar pesë humbje radhazi që nga viti 2011, i sheh grekët si një mundësi për të maksimalizuar votat, sidomos në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës. Sinjalin dhe mesazhin e parë për një bashkëpunim të mundshëm e kanë dhënë disa muaj më parë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, pas një takimi kokë më kokë në selinë e Partisë Demokratike, shkruan Shqiptarja.com.
Por, tensionimi i marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, kërcënimet e udhëheqësve grekë ndaj qeverisë shqiptare, shtrimi për diskutim i Çështjes Çame nga qeveria “Rama” dhe deklarata e ish-kryeministrit Berisha në shërbim të Athinës, për ndërhyrjen e Turqisë në rrëzimin e paktit detar, duket se kanë afruar më tej Partinë Demokratike me partinë e grekëve në Shqipëri.
Me direktiva të Partisë Demokratike të Tiranës ka një miksim të strukturave të PD në Vlorë dhe Himarë me strukturat e PBDNJ dhe përfaqësues të OMONIA. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i aleancës nga Basha dhe Dule. Madje, ishkreu i PD dega Vlorë, Moisi Meminaj, thotë për Shqiptarja.com se PD është kthyer në strehëz e qarqeve greke.
“Zgjedhjet në Himarë, përveç aktit patriotik, kemi edhe një fiktivitet të madh në organizim. Organizimi ishte i degjeneruar. Nga 100 delegatë, morën pjesë 37, prej të cilëve 25 votuan Andrea Gjonin, i cili vjen nga OMONIA. Partia Demokratike është kthyer në strehëz e qarqeve greke. Është kthyer në shtojcë e PBDNJ”, ka pohuar Meminaj.
Afrimi i Partisë Demokratike me PBDNJ si dhe katapultimi i njerëzve të PBDNJ-OMONIA në strukturat e PD, është kundërshtuar nga përfaqësues të PD, me kontribut 25vjeçar.
Por, sipas burimeve nga PD dega Vlorë, ndëshkimi nga PDja e Tiranës, nuk ka vonuar. Disa krerë degësh dhe grupseksionesh, të cilët janë pozicionuar kundra, janë shkarkuar me shkresa nga Tirana. Ditët e fundit mësohet se është shkarkuar, me një shkresë po nga PDja e Tiranës, kreu u grupseksionit numër tre, dega Vlorë. Gjithashtu, në zonat ku PBDNJ ka influencë, Partia Demokratike ka nisur spostimin e edhe të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj tradicionalë.